130909 Kabul Untersuchungsbericht
14 Shtator 2009Sipas një anëtari të këtij komisioni, Mohamadullah Baktashit, nga hetimet rezulton se prej sulmit ajror të kërkuar prej ushtrisë gjermane Bundeswehr janë vrarë 30 civilë. Në një intervistë për mediat gjermane në Kabul Baktashi sqaroi se numri më i madh i viktimave kishin qenë luftëtarë talibanë: "Numri i përgjithshëm i të vrarëve dhe të plagosurve është 119. U vranë 49 talibanë të armatosur dhe 20 talibanë të paarmatosur. Numri i viktimave në radhët e banorëve të fshatit është 30.“
Edhe pse prej sulmit ajror gjetën vdekjen persona civilë, në intervistën në fjalë Baktashi e mori Bundeswehr-in shprehimisht në mbrojtje. Sipas tij përgjegjësia bie qartësisht te talibanët: "Unë mendoj se jo vetëm trupat gjermane, por të gjitha trupat qeveritare dhe ndërkombëtare do të kishin vepruar kështu, në rast se do të kishin pasur përballë një trupë të tillë terroristësh. Në rast se autobotet do të kishin mbetur në duart e armikut, atëherë ata do t'i kishin përdorur për qëllime terroriste.
Komisioni ka një qëndrim lehtësues ndaj ushtrisë gjermane, i cili kishte kërkuar bombardimin, sepse bombardimi nuk ndodhi në një zonë të banuar. Avionët luftarakë i kishin bombarduar dy autobotet që kishin grabitur talibanët në provincën e Kundusit në Afganistan, në momentin kur ato kishin ngexur në një shtrat lumi. Shtëpitë më të afërta gjendeshin të paktën tre kilometra larg vendit të ngjarjes.
Pas kësaj ngjarjeje Ministria gjermane e Mbrojtjes u vu në qendër të kritikave, sepse fillimisht refuzoi të fliste edhe për civilë të vrarë. Tani hetimet e komisionit arrijnë në përfundimin se civilët e vrarë ishin banorë të fshatit që gjendeshin në afërsi të autoboteve. Gjithsesi pyetja se përse ata gjendeshin aty, mbetet sipas fjalëve të anëtarit të komisionit hetimor, Mohamadullah Baktashit e hapur: "Ata i kanë joshur apo mashtuar talibanët. Ose mund t'i kenë detyruar. Ose ata kishin shkruar atje për të vjedhur benzinë nga autobotet.“
Tani pritet se si do të reagojë për raportin presidenti Hamid Karsai, i cili kishte iniciuar edhe ngritjen e këtij komisioni. Në një intervistë të dhënë së fundi në lidhje me këtë sulm, Karsai e kishte kritikuar me forcë sulmin gjerman duke u shprehur për gabime trashanike në lidhje me gjykimin e gjendjes.
Autor : Kai Küstner / Dr. Pandeli Pani
Redaktoi : Aida Cama