271209 Gaza Hilfstransport
28 Dhjetor 2009Deputeti britanik George Galloway është shumë i zemëruar. Në vend që të mbërrijë në rajonin Gazës të bllokuar nga Izraeli, ai së bashku me autokolonën prej 250 kamionësh, është i detyruar që nga nata e Krishtlindjeve të sillet më kot në portin jordanez të Aqabës. "Jemi nisur para tri javësh. Njerëzit e mi janë të frustruar dhe zemëruar. Me vete kemi ndihmat më të nevojshme. Apeloj tek të gjithë ata që munden, na ndihmoni!" - tha Galloway.
Prej Aqabas përmes Detit të Kuq autokolona mund të mbërrijë në Nuveiba të Egjiptit për disa orë, ndërsa prej atje përmes Sinait i duhet vetëm pak orë deri në Rafah, pikëkalimin e vetëm kufitar të Gazës, i cili kontrollohet nga Egjipti. Kjo është rruga më e shpejtë.
Por egjiptianët nuk janë dakord dhe po pengojnë transportin e mallrave përmes Nuveibës. Ata kërkojnë që konvoji të kalojë me anije rreth gadishullit (siujdhesës) të Sinait deri tek Kanali i Suezit, dhe prej atje përmes Mesdheut të udhëtojë për në limanin El-Arish, që është një rrugë shumë më e gjatë. Sipas vlerësimeve të Gallowayit kjo rrugë do të kushtonte gjysmë milioni dollarë, vetëm për tragete, para të cilat ai nuk i ka. Ndërkohë që një pjesë e ndihmave është prishur për shkak të temperaturave të larta, deri në 30 gradë. Në autokolonë janë edhe rreth 500 ndihmës.
"Po përpiqem që t'i mbaj njerëzit e zemëruar nën kontroll, por kjo nuk do të jetë e mundur për një kohë të gjatë. Ata nuk do të lejojnë që transporti i tyre të prishet dhe që me ndihmat që duhet të mbërrijnë në Gazë të kthehen sërish në shtëpi." - tha Galloway.
Motivet e Egjiptit nuk janë tepër të qarta
Një deputet i Partisë Kombëtare Egjiptiane, parti në pushtet, thotë se shkaku kryesor është siguria, por pa shpjeguar se çfarë do të thotë kjo. Në Jordani, ku jetojnë dy të tretat e popullatës palestineze, zemërimi në përvjetorin e sulmeve izraelite ishte në veçanti i madh. Këtu dhe në pjesët tjera të botës myslimane arabe, Egjipti akuzohet për bashkëpunim me Izraelin, sepse gjithnjë ka penguar ndihmat dhe i ka lejuar ato vetëm pas ndërhyrjeve të shumta. Prej kohës që Hamasi ka marrë pushtetin në Gazë, Egjipti së bashku me Izraelin ka bllokuar rrugët që e lidhin atë me botën e jashtme. Galloway u ka bërë lutje për ndërmjetësim Turqisë, Malajzisë dhe mbretëreshës së Jordanisë Rania. Ai kërkon që udhëheqësia e Egjiptit dhe Presidenti Mubarak të veprojnë sa më parë.
Autor: Ulrich Leidholdt/Bahri Cani
Redaktor. Pandeli Pani