1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

25 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Gjermani

Mimoza Cika-Kelmendi7 Nëntor 2012

Në kuadër të jubileut të 25-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Gjermani prononcohen për Deutsche Welle-n personalitete, që kontribuan në këtë fushë, si ish-ambasadori Bashkim Zeneli.

https://p.dw.com/p/16eAQ
Nga takimi në Berlin mes Angela Merkelit dhe Sali Berishës (08.10.08)
Nga takimi në Berlin mes Angela Merkelit dhe Sali Berishës (08.10.08)Fotografi: picture-alliance/ dpa

DW: Para 25 vjetësh, pra në vitin 1987, u vendosën për herë të parë marrëdheniet diplomatike mes Shqipërisë e Gjermanisë. Çfarë përbën ky vit, a ishte zhvillim për Shqipërinë e asaj kohe?

Bashkim Zeneli: Natyrisht ishte një ngjarje shumë e rendësishme dhe do të thoja e pritur shumë mirë nga çdo shqiptar. Shqiptarët kanë pasur vazhdimisht një respekt dhe dashuri për popullin gjerman, për kulturën, artin, sportin, për disiplinën dhe përkushtimin në detyrë të gjermanit. Kjo shprehej edhe në jetën e përditshme, kur për njërin apo tjetrin thuhej: është si gjerman, apo për një artikull: është mall gjerman. Në Gjermani kishin studiuar shumë personalitete të gjuhës, kulturës, mjekësisë shqiptare dhe respekti e admirimi për veprën e tyre lidhej edhe me Gjermaninë. Por ne njihnim edhe kontributin e shumë gjuhëtarëve e albanologëve gjermanë për historinë tonë të lashtë. Kishim përkthime të autorëve të shquar gjermane të letërsisë, poezisë etj..

DW: Megjithatë ky hap ishte i vonuar, koha e humbur nuk rikthehej...

Bashkim Zeneli : Padyshim që ishte shumë i vonuar dhe mund të them se kjo gjë na ka kushtuar jo pak. Një bashkëpunim me Gjermaninë, sidomos në fushën ekonomike, do të kishte sjellë përfitime të mëdha për vendin, për mirëqënien e popullit. Në vitin 1987, kishim një dekadë që ishim prishur edhe me Kinën dhe vendi kishte marrë rrokopujen. Mesazhet nga Gjermania ishin dhënë me kohë, por natyrisht, politika shqiptare udhëhiqej nga ideologjia dhe parimet komuniste, që nuk e lejonin të shihte ndryshe. Çdo hap, për hapjen e Shqipërisë me perëndimin konsiderohej si kërcënim për lirinë e pavarësinë e vendit, si devijim nga rruga e socializmit dhe si rënie në prehrin e kapitalizmit. Kjo që arsyeja që Shqipëria nuk vlerësoi aspak mesazhet shumë të qarta e të sinqerta te ish-kryeministrit bavarez, Shtraus në disa vizita te tij ne Shqipëri në fillim të viteve '80. Por natyrisht jo vetëm të tij, por edhe direkt nga Bonn-i.

Kam folur me shumë politikanë gjermane per kete pike, por ruaj në kujtimet e mija nje bisede shume interesante, me rastin e 75 vjetorit te ditelindjes se tij, me ish-ministrin e Jashtëm gjerman, Hans Dietrich Genscher. Zoti Genscher i beri nje analize te shkëlqyer humbjes nga kjo vonesë nga Shqipëria.

DW: Zoti Zeneli, ju erdhët Ambasador në vitin 1997. Pikërisht kur Shqipëria ishte në një krize të gjithanshme mbas ngjarjeve të atij viti dhe kur u shfaq në mediat botërore me një imazh shumë negativ. Kriza e atij viti zhgënjeu Gjermaninë, por zhgënjeu edhe Europën. Sa e vështirë ishte për ju që pikërisht në këto momente të përfaqësonit Shqipërinë nga zemra e Europës?

Bashkim Zeneli: Natyrisht nuk ka qenë aspak e lehtë. E kam ndjerë këtë që kur isha ende pa ardhur. Por natyrisht imazhin e ndryshoi shumë vetë politika. Në sajë të punës dhe të masave të menjëhershme të qeverisë shqiptare, nisi të ndërtohet një imazh përherë e më pozitiv, imazhi për rimëkëmbjen e demokracise, te institucioneve te saj, te funksionimit te shtetit, te ligjit dhe luftes kunder krimit. Nga ana tjetër, ndjeva shumë angazhimin e përgjegjesinë e qeverisë gjermane për të ndihmuar Shqiperine. Edhe në ketë rast nuk mund të rri pa shprehur mirënjohjën për atë që Gjermania bëri për Shqiperine. Une i kisha dyert e hapura kudo për të folur, për t'u takuar.

DW: Zoti Zeneli, cilat kanë qenë momentet kyçe të marrëdhenieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në periudhen tuaj pesëvjeçare si ambasador (1997-2002)?

Bashkim Zeneli: Natyrisht marrëdhëniet erdhën duke u forcuar e u konsoliduar përherë e më shumë. Ato u shtrinë në të gjitha fushat, por veçanërisht në atë politike, në ekonomi, në fushën e bashkëpunimit me ushtrinë, me policinë etj. Në atë periudhë ka patur një shkëmbim të jashtëzakonshëm të vizitave të ndërsjellta. Disa here ka qenë i ftuar Presidenti Meidani, po kështu të gjithe kryeministrat socialistë e vizituan Bonn-in e Berlinin, u organizuan vizita të shpeshta të ministave të mbrojtjes, ekonomise, rendit. Po kështu, veç Kancelarit Schrëder, që është vizita e parë e një kancelari gjerman në Shqipëri, erdhën disa herë ministrat e Jashtëm Kinkel e Fischer, ministri i Brendshëm Schilly, ministri i Mbrojtjes Sharping e shumë ministra të tjerë. Në vazhdim të përgjigjes së pyetjes suaj natyrisht do të kujtoj më shumë vemendje angazhimit gjerman për Kosoven, para, gjatë dhe mbas luftës. Në momentet kyçe të marrëdhënieve midis dy vendeve qe kërkoni të dini, nuk mund të rri pa përmendur çeljen e Ekspozitës së Kulturës Popullore në Muzeun e Mynihut. Ka qenë një pasqyrim i mrekullueshëm, mahnitës i vlerave tona kulturore.

DW: Zoti Zeneli, ju flisni më shumë mirënjohje per mbeshtetjen gjermane ne periudhen qe keni qene Ambasador, gjate 1997-2002. Cili është vlerësimi juaj për marrëdhëniet shqiptaro-gjermane sot?

Bashkim Zeneli: Unë mendoj se marrëdhëniet midis dy vendeve, dy popujve sot janë shumë të mira. Gjermania është një partnere shumë e përgjegjshme për Shqipërinë, ka një rritje të mbështetjes ekonomike e financiare dhe investitorët gjermanë janë më të pranishëm. Gjermania ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe tani në procesin për anëtarësimin e saj në BE.