101109 Kreisau Friedenszeichen
12 Nëntor 2009Në një vend të vogël në Silezinë e Poshtme, në çiflikun e familjes von Moltke, në vitet 1942 dhe 1943 takoheshin njerëzit për të diskutuar për të ardhmen e Gjermanisë dhe Evropës pas fundit të nacionalsocializmit. Shumë prej tyre, të cilët u futën në histori si grupi i njohur me emrin 'Qarku i Krzhizhovat' janë ekzekutuar pas atentatit ndaj Hitlerit në vitin 1944, edhe pse nuk ishin pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në të.
Në vitin 1989, çifliku i shkatërruar ngadalë në Krzhizhova për herë të dytë u kthye në qendër të vëmendjes së opinionit publik: më 12 nëntor atje shkuan kancelari gjerman Helmut Kohl dhe kryeministri i parë polak i zgjedhur më votën e lirë të popullit, Tadeush Mazovietski. Atje ata shkëmbyen shenjat e paqes pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Përmes zgjedhjes së vendit për mbajtjen e meshës së pajtimit, pala polake u njoh me lëvizjen e rezistencës gjermane. Ajo para 20 vitesh ishte po thuajse fare e panjohur në Poloni. Tadeush Mazovietski nuk e kishte idenë atëherë se sa e madhe do të ishte forca simbolike e shenjës së paqes nga Krzhizhova.
"Fillimisht ishte një gjest krejt i thjeshtë. Qysh prej Këshillit të dytë të Vatikanit në meshat katolike shkëmbehen shenjat e paqes, duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Ipeshkëvi Nossol erdhi tek ne dhe shkëmbeu me mua dhe kancelarin Kohl shenjën e paqes. Pastaj ne të dy u përqafuam. Dhe kjo ishte diçka shumë e përzemërt. Por ky gjest filloi të shihej më vonë si simbol i pajtimit. Ne të dy si burrështetas dhe të krishterë kishim vullnetin politik dhe moral për pajtimin e popujve tanë".
Rruga e pajtimit gjermano-polak ishte e gjatë. Afrimet e para personale me gjermanët janë ndërmarrë në vitin 1956 nga përfaqësuesit e inteligjencës katolike në Poloni, në mesin e tyre Stanislav Stoma dhe Tadeush Mazovietski. Gurët e parë të themelit të kësaj rruge u vendosën në vitin 1961, me memorandumin e kishës evangjeliste për njohjen përfundimtare të Polonisë së kufirit gjermano-polak dhe disa vite më vonë letra e Ipeshkvit katolik polak me thirrjen e pazakontë:
"Ne falim dhe lutemi për falje".
Mesha e pajtimit gjermano-polak në Krzhizhova kishte një forcë të madhe morale simbolike për marrëdhëniet gjermano-polake. Megjithatë tek me njohjen e kufirit gjermano-polak 'Oder-Neiße' u përmbushën shpresat e Polonisë për pajtim me Gjermaninë e Bashkuar.
"Përkundër marrëveshjeve për kufirin të cilat ishin nënshkruar nga Willi Brandt dhe Vladislav Gomulka në Gjermani vlente doktrina se çështja e kufirit duhet të rregullohet me marrëveshjen e paqës. Megjithatë ishte e qartë se nuk do të ketë më marrëveshje paqeje. Për ne nuk vinte në konsideratë që të mbyllim ashtu çështjen e kufirit. Ne nuk donim që rajonet perëndimore polake të njihen nga Stalini por në bazë të marrëveshjeve bilaterale".
Andaj Mazovietski beson që hapi vemdimar për pajtimin gjermano-polak ishte pikërisht marrëveshja kufitare:
"Jam i bindur që marrëveshja kufitare krijoi një bazë të mirë për marrëdhëniet gjermano-polake. Gjermania ishte avokat i Polonisë në procesin e anëtarsimit në BE dhe në NATO. Kështu marrëdhëniet tona janë zhvilluar mirë dhe të mira janë edhe aktualisht. Herë pas here ka mosmarrëveshje. Por unë e kam thënë shumë herë se pikërisht tek marrëdhëniet gjermano-polake të ngarkuara aq shumë historikisht është shumë më lehtë t'i shkatërrosh ato se sa t'i kultivosh. Por aktualisht ne jemi të kënaqur me këto marrëdhënie".
Autor: Barbara Coellen/ Esat Ahmeti
Redaktoi: Auron Dodi