1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Weltbevölkerungstag 2011

10 Korrik 2011

OKB-ja ka shpallur rreth 70 ditë përkujtimore. Këtyre u shtohen edhe vitet dhe dekadat përkujtimore. Ky inflacion bën që të zbehet vlera e ditëve të rëndësishme të OKB-së - si 11 korriku, dita e popullsisë së botës.

https://p.dw.com/p/11scw
Popullsia në Indi
Popullsia në IndiFotografi: dpa

Tik-tak. Bota rritet në çdo sekondë. Në internet gjen lloj-lloj orësh që e masin këtë rritje të shpejtë. Njëra prej tyre është në faqen e «Fondacionit Gjerman për Popullsinë e Botës». Sipas saj, bota çdo sekondë rritet me nga 2,6 njerëz, çka do të thotë rreth 225 000 në ditë, ose afro 83 milionë në vit, më shumë se numri i banorëve të Gjermanisë.

OKB-ja parashikon se vitin e ardhshëm numri i njerëzve në botë do të jetë mbi 7 miliardë. Deri më 2050 popullsia e botës madje do të arrijë gjer më nëntë miliardë. Sigurisht që këto parashikime edhe mund të ndryshojnë ose të jenë të gabuara. Askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se ç'pasoja do të këtë rritja e popullsisë së botës ndaj mënyrës së jetesës sonë.

Dossierbild Triptychon Eisausdehnung Arktis Teil 1
Fotografi: picture alliance/dpa

Burime të pamjaftueshme

Por një gjë është e qartë: Nëse të gjithë njerëzit sot do të kishin të njëjtin stil jetese siç e kanë sot shtresat e mesme në vendet e pasura industriale, atëherë presioni ndaj burimeve të planetit tonë të kaltër do të rritej pamasë. Do të nevojitej edhe të paktën një tokë tjetër për të furnizuar njerëzit.

Çdo njeri është i dobishëm. Ekziston vetëm një Tokë për të gjithë. Këtë synon të na kujtojë «Dita popullsisë së botës» më 11 korrik. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban ki Moon, në mesazhin përshëndetës para një viti do të shprehej: «Vetëm kur të merren parasysh nevojat e të gjithë grave, burrave, vajzave dhe të rinjve, atëherë ne do t'i arrijmë qëllimet e mijëvjeçarit dhe t'i afrohemi vlerave të përbashkëta të Kombeve të Bashkuara».

Masë kalimtarësh, një pamje e zakonshme në Tokio
Masë kalimtarësh, një pamje e zakonshme në TokioFotografi: Fotolia/Urbanhearts


Ditë, vite dhe dekada

Ditën ndërkombëtare të popullsisë së botës e shpalli Programi zhvillimor i OKB-së, PNUD, në vitin 1989. Organizata bijë e OKB-së e zgjodhi këtë ditë, sepse pikërisht më 11 korrik 1987 numri i popullsisë së botës e kaloi kufirin e 5 miliardave.

Ditë të tilla si kjo e popullsisë së botës, caktohen me rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ato synojnë të përkujtojnë disa arritje të bashkësisë së popujve dhe të shërbejnë si shtysë për të menduar dhe vepruar bashkërisht për çështje të mëdha globale.

Ditë të tilla përkujtimore ka rreth 70: «Dita e industrializimit të Afrikës», «Dita botërore e lundrimit me anije», «Dita botërore e postës», «Dita botërore e banesave dhe ngulimeve», «Dita botërore e turizmit», «Dita botërore e televizorit». A do të vijë vallë dikur edhe dita botërore e Faceebok-ut?

Lista e temave bëhet edhe më e gjatë po të llogarisim ato për të cilat OKB-ja rezervon vite ose dekada të tëra. Për shembull, tani ne gjendemi në «Vitin e lakuriqit të natës», në «Vitin ndërkombëtar të pyjeve», në «Vitin ndërkombëtar të kimisë», në «Vitin ndërkombëtar të rinisë», i cili vazhdon deri më 11 gusht 2011, dhe në «Vitin ndërkombëtar të njerëzve me prejardhje afrikane».

Veç kësaj njerëzia ndodhet edhe në disa dekada aksionesh, ndër to: «Dekada botërore e alfabetizimit» (2003-2012), «Dekada botërore e arsimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm» (2005-2014) dhe «Dekada e dytë e etnive indigjene të botës».

Salla e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork
Salla e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju JorkFotografi: picture alliance/Photoshot

Kopjues

Moria e përkujtimeve ka nxjerrë shumë imitues, si organizata ashtu edhe persona privatë. Kështu për shembull, prifti amerikan Kevin Zaborney shpalli mbi 20 vjet më parë «Ditën e ledhatimit» e cila ka tashmë përkujtues në të gjithë botën. E suksesshme është siç duket edhe «Dita ndërkombëtare e pantallonave të vrapit» e shpallur në Facebook.

Kritikët bëjnë vërejtje se ky inflacion i ditëve ndërkombëtare ia ul vlerën përpjekjeve për kujtimin e vetëdijshëm të temave të rëndësishme në shkallë botërore. Thua ta ketë pasur në mendje këtë OKB-ja kur në vitin 1947 shpalli ditën e parë botërore?

Ajo ishte 24 tetori, «Dita e Kombeve të Bashkuara». U zgjodh pikërisht kjo datë, sepse më 24 tetor 1945 kishte hyrë në fuqi Karta e Komeve të Bashkuara.

Por edhe kjo ditë e parë e OKB-së ka kohë që ndahet me një temë tjetër. Në vitin 1972 Asambleja e Përgjithshme e shpalli 24 tetorin edhe si «Ditën Botërore për Çështjet e Informacionit dhe të Zhvillimit».

Autor: S. Petersmann / A. Shuka

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora