1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Çfarë mund të pritet nga fjalët e Vuçiqit dhe Thaçit?

Pas pesë muajt "heshtjeje", në Bruksel u takuan presidentët e Serbisë dhe Kosovës, për të vazhduar dialogun. Thaçi dhe Vuçiq dolën për herë të parë në opinion me mesazh të njëjtë.

Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq thonë se dialogu mes shqiptarëve dhe serbëve "është futur në një fazë të re". Vuçiq pohon se kjo nënkupton bisedime shumë më "serioze dhe të guximshe" për raportet mes Beogradit dhe Prishtinës. Ndërsa Thaçi thotë se "negociatat duhet të çojnë drejt normalizimit të raporteve mes dy popujve dhe shteteve”.

Palët thonë se do të nisin përgatitjet serioze për fazën e re të bisedimeve. Ndërsa në Qendrën për Politikë Evropiane në Bruksel kontestojnë seriozitetin e fjalëve të thëna në procesin për normalizimin e raporteve. "Trajtimi serioz dhe i guximshëm tingëllon mirë, por duhet të shohim veprat dhe jo fjalët”, thotë për DW, Korina Stratulat.

Dialogu Kosovë - Serbi

Dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka filluar me 8 mars 2011. Formatet e bisedimeve kanë ndryshuar disa herë, nga niveli i kryeminsitrave deri tek ministrat dhe të ngarkuarit për dialog. Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar në vitin 2013, por shumë gjëra nuk janë zbatuar kurrë. Vetëm në disa muajt e fundit ka pasur një ashpërsim të dukshëm të retorikës dhe ngjarjeve. Ka pasur mure, trena, ndërhyrje të forcave speciale, arrestimi i Ramush Haradinajt etj.

Në Bruksel mendojnë se do të jetë vështirë të flitet për normalizimin e raporteve, nëse palët nuk janë të gatshme t'i realizojnë marrëveshjet. Politikanët serbë dhe shqiptarë arrijnë marrëveshje, por si të largohen nga Brukseli dhe kthehen në vendet e tyre, ata paraqesin marrëveshjet sipas dëshirës së tyre. Në Bruksel thuhet se palët nuk duhet të presin prej BE që të gjejë ndonjë përgjigje konkrete, definitive për problemet dhe raportet mes tyre.

"Nëse BE vazhdon me përpjekjet që të jetë neutral, kjo do të konsiderohet nga palët si mbështetje e palës tjetër. Ndaj BE duhet të jetë më i saktë në qëndrime. Por aktualisht nuk ka ndonjë format tjetër që mund të zëvendësojë formatin e tanishëm të bisedimeve”, thotë Stratulat.

Serbia dhe anëtarësimi në BE

Takimi i fundit Thaçi-Vuçiq ka pasur karakter joformal, por presidenti serb ka kërkuar që Serbia të anëtarësohet sa më parë në BE. Ekspertët në Bruksel thonë se kjo kërkesë ka ardhur në momentin kur BE ka vënë në qendër të vëmendjes Ballkanin dhe kur në Kosovë nuk dihet se kush do të formojë qeverinë dhe si do të vazhdojë dialogu, që prapë kushtëzon rrugën e Serbisë drejt BE. Ata që përcjellin më gjatë zhvillimet në Bruksel e dinë se zgjerimi ndonjëherë është bërë edhe për shkaqe praktike dhe gjeostrategjike. Por edhe ata e kanë të qartë se shpejtësia e afrimit të Serbisë me BE varet nga zbatimi i reforma

Ivica Dacic Außenminister Serbien EPS Konferenz Brüssel (DW)

Stratulat me Daçiqin

ve në këtë vend.

"BE ka qenë gjithmonë i qartë në pohimet se Serbia ka perspektivë evropiane. Përshëndes qëndrimin e Vuçiqit për të vazhduar këtë rrugë. Reformat e para kanë dhënë rezultate konkrete, sepse janë hapur 10 kapituj në negociata. Por shpejtësia e afrimit të Serbisë me BE varet nga zbatimi i reformave”, thotë për DW, raportuesi i PE për Serbi, David McAlister. Ai megjithatë nuk mendon se për Serbinë apo Ballkanin gjërat do të përshpejtohen në qoftë se mungojnë rezultatet konkrete.

Vuçiq ka bërë të ditur se këtë vit do të bisedojë për raportet e Serbisë me BE edhe me Presidentin e KE Donald Tusk. Por nuk është e qartë nëse Tusk mund të ndihmojë kërkesat e Serbisë. Diplomatët dhe analistët në Bruksel thonë se bërja e prognozave për anëtarësimin e ndonjë vendi të Ballkanit në BE janë shumë të vështira. "Koha e anëtarësimit të mundshëm sot është më e paqartë se më parë. Tani më shumë vëmendje po i kushtohet raporteve mes vendeve të Ballkanit dhe më pak flitet për anëtarësimin", thotë Korina Stratulat.