1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk mund të provohet poloniumi

Fabian Schmidt9 Korrik 2012

Dyshimi u shfaq pasi në rrobat e tij u konstatua materiali radioaktiv polonium. Por fizikanti Thomas Fanghänel nga Instituti për Trasuranium ka dyshim, që prania e kësaj lënde mund të provohet tani.

https://p.dw.com/p/15ThK
Fotografi: AP

DW: Çfarë është e veçanta e polonium 210, përse është kjo lëndë kaq e rrezikshme?

Thomas Fanghänel: E veçanta në të është, se me kalimin e 138 ditëve arrihet gjysma e shpërbërjes radioaktive. Duke pasur një qendrueshmëri kaq të shkurtër ajo ka një veprim të lartë specifik. Kjo do të thotë, që mjaftojnë sasi të fare të vogla për të përgatitur një dozë relativisht të lartë. E përderisa kemi të bëjmë me rrezatim alfa, poloniumi mund të transportohet relativisht lehtë.

Rrezatim alfa do të thotë, se rezatimi është i rrezikshëm vetëm pasi depërton në trup?

Pikërisht kështu është. Nga jashtë kjo substancë nuk përbën ndonjë rrezik të madh. Prej rrezatimit alfa mund të mbrohesh lehtë. Por me të depërtuar në trup ajo shkakton dëme të mëdha duke çuar në mosfunksionimin e trupit dhe të organeve si mëlçia, shpretka dhe veshkat, gjë që shkakton vdekjen.

Prof. Dr. Thomas Fanghänel Hochformat
Prof. Dr. Thomas FanghänelFotografi: DW/F.Schmidt

Jassir Arafat u varros në vitin 2004. Poloniumi ka vetëm një afat të shkurtër dekompozimi. Sa e mundur është që të vërtetohet ky element sot?

Unë mendoj, se do të jetë e vështirë që të vërtetohet një helmim pas tetë vjetësh. Gjatë kësaj periudhe kanë kaluar njëzet etapa të mesatares së shpërbërjes radioaktive. Pas njëzet etapave të tilla mbeten vetëm fare pak nga një e milionta e materialit fillestar të disponueshëm.

Natyrisht që kjo varet edhe nga sasia e materialit që ka depërtuar në trup. Por nëse nisemi nga një dozë vdekjeprurëse prej rreth 100 nanogram, unë kam dyshime, që sot kjo do të mund të vërtetohej.

Në institutin Tuaj keni aparatura matëse, si p.sh. spektometër për matjen në masë të joneve sekondare. Përmes këtyre aparaturave Ju mund të gjeni edhe grimcat më elementare, pra a do të mund ta vërtetonit në këtë mënyrë ekzistencën e kësaj substance pas kaq kohësh?

Edhe këtë e kam me pikëpyetje, sepse grimcat e veçanta nuk janë atome të veçanta. Nëse e përllogarisni këtë, veprimi, që mund të mbetej edhe pas kaq shumë kohësh, do të duhej të matej në Becquerel (Bq). Unë dyshoj shumë që pas kaq kohësh do të ishte e mundur të vërtetohej një gjë e tillë, qoftë edhe sikur të bënim një ekzumim të Arafatit.

Me sa duket poloniumi është gjetur në rrobat e Arafatit. Nëse kjo është konstatuar pikërisht tani, shtrohet çështja, se si është e mundur të gjendet pas kaq kohësh kjo substancë në rroba...

Unë nuk i njoh rezultatet e sakta të hetimit. Ndaj nuk mund të shprehem në mënyrë spekulative. Unë nuk e di se çfarë sasie poloniumi është vërtetuar. Megjithatë nuk duhet të harrojmë, se polonium 210 mund të haset edhe në mënyrë të natyrshme. Ai del si radionuklid në valën e shpërbërjes së uraniumit 238. Kjo do të thotë, që në natyrën përreth nesh ka kudo polonium 210.

Symbolbild Radioaktivität
Paraqitje simbolike e radioaktivitetitFotografi: AP Graphics

Pra pyetja do të ishte: A kemi të bëjmë me përmasa sinjifikative mbi atë çfarë shfaqet rëndom në natyrë? Nisur nga mesatarja e shkurtër e dekompozimit dhe koha që tashmë ka kaluar, unë mendoj, se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë të vërtetohet, se është polonium 210, ai që ka depërtuar dhjetë vjet më parë në këto rroba.

A është e mundur që polonium 210 të gjendet edhe në shtëpinë time?

Kudo mund të gjeni polonium 210! Ai ekziston në natyrë, si p.sh. tek graniti dhe tek shumë materiale të tjera. Ky është një radionuklid që ekziston natyrshëm, që krijohet vazhdimisht përmes shpërbërjes së uraniumit. Uranium ka kudo në natyrë si p.sh. tek graniti, madje edhe tek uji i pijshëm - natyrisht këto janë gjurmë jashtëzakonisht të vogla. Në këtë mënyrë edhe është zbuluar poloniumi: Marie Curie e izoloi atë në mënyrë kimike nga mbetjet e uraniumit.

Le të supozojmë, se tani do të kishim gjurmë të freskëta poloniumi. A mund të ndiqej rruga e tyre drejt një impianti të caktuar bërthamor apo madje drejt një shteti të caktuar?

Kjo me gjasa do të jetë shumë e vështirë, nëse ndërkohë ato i janë nënshtruar një procesi pastrimi. Gjithashtu varet fort prej procedurave që janë përdorur. Nëse mund të gjenden elementë shoqërues, ndoshta mund të bëheshin përpjekje për gjetjen e vendit të prodhimit. Por kjo për poloniumin është thuajse e parëndësishme.

Prof. Dr. Thomas Fanghänel është drejtor i Institutit për Transuranium në Karlsruhe, qendra e përbashkët hulumtuese e Komisionit Evropian. Ky institut ndër të tjera hulumton në fushën nukleare të mjekësisë ligjore, por nuk merr pjesë në hetimet për rastin e Arafatit.