Çfarë do të ndodhë me boshnjakët e veriut të Kosovës?
1 Maj 2013Nexhad Uglanin, përfaqësues i boshnjakëve në Mahallën e Boshnjakëve dhe kryetar i Partisë së Aksionit Demokratik të Boshnjakëve të Kosovës (BSDAK) për Mitrovicën, thotë për Deutsche Wellen se marrëveshja për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit do ta përkeqësojë edhe më shumë pozitën e boshnjakëve në Mitrovicën e ndarë. "Ne boshnjakët mendojmë se gjendemi në një pozitë shumë të pavolitshme, sepse faktikisht jemi ndarë. Ndonëse nuk thuhet, ne e dimë se me këtë marrëveshje në Kosovë është krijuar një lloj Republike Serpska, si në Bosnje e Hercegovinë. Ndoshta dikush nuk e sheh këtë por ne me siguri që po”, thotë Uglanin.
Ai i respekton qëndrimet e palës serbe dhe asaj shqiptare, por thekson se e ka për detyrë që në radhë të parë të kujdeset për interesat e boshnjakëve. Ndaj Uglanin ka biseduar me përfaqësuesit e gati të gjitha partive politike në veri të Kosovës. “Ne mendojmë se duhet ta gjejmë veten brenda asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të mbrojmë interesat tona brenda këtij asociacini. Mendojmë se me këtë marrëveshje shumica e boshnjakëve që jetojnë në jug të qytetit kanë mbetur në pozitë të keqe", thotë ai.
Mbrojtja e interesave nacionale
Në bisedë me përfaqësuesit e partive politike serbe ai ka marrë garanci se do të mund t'i mbrojë interesat kombëtare të boshnjakëve në kuadër të kuvendit të asociacionit të ardhshëm. “Do të kërkojmë që të jemi të përfaqësuar në institucione, në shëndetësi, në shkolla dhe në të gjitha degët ekonomike. Kam marrë përgjigje pozitive dhe ne jemi të gatshëm për zgjedhje. Shpresoj se muajin e ardhshëm do të fillojmë vizitat tek boshnjakët në veri dhe do t'u themi se s'kanë përse të kenë frikë, sepse do të jemi pjesë e kuvendit të ardhshëm dhe në kuadër të tij do të mbrojmë interesat nacionale", pohon Uglanin.
Raporte të këqija politike me shqiptarët
Raportet e përfaqësuesve të partive boshnjake me autoritetet e komunës në jug të Mitrovicës nuk janë të mira për vite të tëra. Uglanin thotë se momenti që i ka përkeqësuar edhe më shumë këto raporte kanë qenë zgjedhjet lokale të para katër viteve. Qysh atëherë boshnjakët nuk janë pjesë e qeverisjes në këtë komunë. "Bosnjakët e kanë mbështuetur në zgjedhjet e fundit kryetarin e tanishëm të komunës, Avni Kastrati me 577 vota. Nga kryetari i komunës kemi kërkuar që postet e nënkryetarëve t'i kenë jo vetëm boshnjakët por të tri bashkësitë etnike. Por kjo nuk u realizua. Kryetari i komunës ka emëruar si nënkryetar përfaqësuesin e bashkësisë etnike turke, i cili ka fituar vetëm rreth 100 vota", thotë Uglanin.