1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

280409 Tschechien Gewinner Verlierer

29 Prill 2009

Anëtarësimi i Çekisë në Bashkimin Evropian ka bërë që shumë njerëz të përparojnë, ndërkohë që të tjerë janë shtyrë në kufirin e ekzistencës. Dy portrete si nuk mund të ishin më të ndryshme.

https://p.dw.com/p/HgJU
Ne foto: Pamje nga lart e Prages. Tekst: Anëtarësimi në BE i sjell bum edhe turizmit në Çeki
Anëtarësimi në BE i sjell bum edhe turizmit në ÇekiFotografi: AP

'Puna ka filluar të ecë mirë vetëm pas anëtarësimit në BE'

Helena Fejkova e ka sallonin e saj të modës në një kalim elegant, të dekoruar në stilin modern në Pragë. Ajo e ka filluar punën si stiliste menjëherë pas rënies së Perdes së Hekurt.

"Një e treta e klientëve të mi ndërkohë janë të huaj - nga Gjermania, Skandinavia dhe Franca. Po ashtu vijnë edhe shumë amerikanë të cilët jetojnë këtu në Pragë. Por puna ka filluar të shkojë mirë vetëm pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian".

Anëtarësimi i Çekisë në Bashkimin Evropian u bë më 1 maj të vitit 2004. Në këtë mënyrë u zhdukën nuancat e zymta të epokës postkomuniste dhe me to edhe pengesat burokratike.

"Anëtarësimi në Bashkimin Evropian na solli vetëm përparim, unë personalisht më parë kam patur gjithnjë probleme me doganat. Për shembull nga Parisi kisha marrë njëherë shumë porosi dhe pastaj ishte shumë vështirë që gjërat t'i kaloje përmes doganës. Tani mund të punoj në tërë Evropën dhe e kam mundësinë që të gjej vend në shtete të ndryshme".

Bohemia është e famshme për figurat e kristalit
Bohemia është e famshme për figurat e kristalitFotografi: picture-alliance / Bildagentur Huber

Helena Fejkova sot ka 16 të punësuar. Prezantimet e saj të mëdha janë sfilatat e modës midis Pragës, Parisit dhe Pekinit. Për një koleksion mode ajo ka udhëtuar disa herë në Barcelonë dhe është frymëzuar nga arkitektura e Antoni Gaudi-t.

Nga ana tjetër pensionistja Eva Smela nuk ka dëgjuar kurrë për Antoni Gaudi-n. Vetëm pak kilometra larg studios së Helena Fejkovës 66 vjeçarja jeton në një ndërtesë 11 katëshe, të ndërtuar me parafabrikate. Garderoba e saj është e fundit ajo për të cilën brengoset sot shitësja e dikurshme.

Ne kemi frikë se qiradhënësi mund të na nxjerrë në rrugë, sepse nuk mund të paguajmë më qiranë

"Unë jam prej shtatë vitesh në pension. Dhe unë mund të siguroj gjërat ushqimore vetëm në rast se gjithnjë kërkoj ofertat më të lira. Çmimet për gaz, energji elektrike dhe ujë ngrihen çdo ditë e më shumë. Dhe po ashtu edhe qiraja. Ne kemi frikë se qiradhënësi mund të na nxjerrë në rrugë, sepse nuk mund të paguajmë më qiranë.Ne jemi të moshuar - ku të shkojmë? Ne kemi shumë frikë nga e ardhmja".

Eva Smela dhe burri i saj marrin të dy bashkë 500 euro pension. Banesa e tyre me dy dhoma, e cila është ende tërësisht e mobiluar me mobiljet e kohës së socializmit të viteve '80, kushton 380 euro. Për të përmirësuar sadopak pensionin e saj Eva Smela ka punuar disa vite si pastruese. Por që kur ka pësuar hernie diskale, ajo nuk mund të pastrojë më.

Praga e vjetër
Praga e vjetërFotografi: Kowalke

"Ne blejmë vetëm ushqimet e domosdoshme: bukë, qumësht, gjalpë, disa banane, katër mollë e kështu me rradhë. Çmimet ngrihen çdo ditë. Ne përdorim vetëm gjërat tona të vjetra. Rrobat tona të vjetra mund t'i arnoj. Këpucët e reja nuk vijnë në konsideratë. Me të vërtetë është një kohë e vështirë për ne".

Të rinjtë, çekët e shkolluar përfitojnë nga zhvillimi ekonomik, i cili është forcuar ende nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Prandaj shumica e njerëzve e ndiejnë veten më mirë që prej anëtarësimit në BE. Megjithatë të moshuarit nuk mendojnë kështu dhe shkaku për gjendjen e tyre të vështirë sipas tyre dihet: Bashkimi Evropian dhe Brukseli.

"Nuk më pëlqen fare që ne varemi nga Brukseli. Dikur kemi prodhuar vetë çdo gjë, këtu në Çeki. Tani ne duhet të pyesim Brukselin se çka guxojmë e çka jo. Pa Bashkimin Evropian do t'i kishim punët më mirë".

Dritë dhe hije. Ndërkohë që njëra grua nuk e di se si do ta paguajë qiranë muajin e ardhshëm, tjetra planifikon kapitullin e ardhshëm të historisë së suksesit të saj evropian.

Autor: Kristina Jansen/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi