1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çlirim apo pushtim? Një skandal në Sofje

6 Shtator 2019

Një ekspozitë që merr shkas nga historia ngjall tensione mes Bullgarisë dhe Rusisë. Ngjarjet para 75 dhe 45 vjetësh nuk janë zbardhur si duhet në Bullgari, sipas historianëve bullgarë.

https://p.dw.com/p/3P5nN
Symbolbild Gas aus Russland Bulgarien Symbolbild Gasstreit Russland Bulgarien, Gas, Pipelines, Flaggen

"Një kalimtar kalon një kryqëzim të rrezikshëm. Nga e djathta kalon pranë tij një Opel ngjyrë kafe me shpejtësi të lartë dhe nga e majta një automjet që lëviz me shpejtësi edhe më të lartë një 'Moskovitç' i kuq", që e merr me vete këmbësorin dhe shkatërron Opelin. Këmbësori mbetet i ngujuar 45 vjet në karriken e invalidit. 30 më pas pronarët e rinj të „Moskoviçit" hapin një ekspozitë nën moton: "Si e shpëtoi "Moskoviçi" këmbësorin prej Opelit." Kështu në mënyrë figurative i shpjegon për DW zhvillimet dramatike në Bullgari para 75 vjetësh dhe jehonën e tyre sot politologu bullgar Daniel Smilov.

Sfondi historik

Më 5 September 1944 Bashkimi Sovjetik i shpalli luftë Bullgarisë. Deri në këtë kohë Bullgaria ishte miqësore ndaj Gjermanisë, por megjithatë neutrale. Qeveria e re demokratike e pati larguar Wehrmacht-in nga vendi ose e pati çarmatosur atë dhe madje 74 njësi gjermane lufte i mbyti në Detin e Zi. Megjithatë, edhe pse Sofja donte t'i shpallte luftë Gjermanisë, Ushtria e Kuqe më 8 shtator e pushtoi vendin. Dhe më 9 shtator 1944 qeveria legjitime bullgare u largua me puç prej disa oficerëve dhe komunistëve. Vendi mbeti për 45 vjet një satelit besnik i Moskës. E deri në vitin 1989 në Bullgari dhe në Bashkimin Sovjetik interpretimi zyrtar i historisë ishte: „Ushtria e lavdishme e Kuqe e çliroi Bullgarinë prej fashizmit".

Politologe, Daniel Smilov Bulgarien
Daniel Smilov Fotografi: BGNES

Në 75 vjetorin e kësaj ngjarjeje Qendra e Kulturës Ruse në Sofje më 9 shtator 2019 do të hapë një ekspozitë me titullin:„Çlirimi i Bullgarisë". Kjo ekspozitë është një degë bullgare e ekspozitës "75 vjet që nga çlirimi i Europës Lindore prej nazizmit", thonë organizatorët. Ministria e Jashtme bullgare nuk e konsideroi të drejtë këtë dhe publikoi një notë proteste me tone të ashpra.  „Pa dashur ta vemë në pikëpyetje kontributin e BRSS-së për fitoren ndaj nazizmit, ne nuk duhet të mbyllim sytë prej faktit, se bajonetat e ushtrisë sovjetike për një gjysmë shekulli në Evropën Lindore shkaktuan jo vetëm raprezalje të vetëdijes qytetare, deformim të zhvillimit ekonomik dhe izolim të zhvillimeve dinamike në shtetet e zhvilluara europiane", shkruhej në të. Ministria e Jashtme i kërkoi më tej ambasadës ruse që të mos e mbështesë "tezën e diskutueshme historike ('çlirim')".

Të ndarë në qëndrimin ndaj Rusisë

Ky reagim ishte surprizues për shumë vëzhgues. Sepse Bullgaria si anëtare e BE-së dhe e NATO-s sillet gjithmonë me shumë kujdes ndaj Rusisë. Cari i fundit bullgar në fron Boris i III, i cili ndërroi jetë në rrethana misterioze pas një takimi më 1943 me Hitlerin, citohet të ketë thënë një shprehje që vlen dhe sot e kësaj dite, se: Bullgaria duhet "gjithmonë të jetë me Gjermaninë dhe asnjëherë kundër Rusisë". Edhe sot qëndrimi i popullsisë bullgare ndaj Rusisë është i përçarë në mënyrë dramatike. Qeveria aktuale ndonëse i mbështet sanksionet kundër Moskës, nga ana tjetër do t'i tërheqë projektet energjetike ruse në vend dhe ka qendruar e distancuar ndaj akuzave të shteteve perëndimore kundër Moskës lidhur me rastin e atentatit ndaj Skripal-it.

Qeveritarët në Moskë vitet e fundit disa herë kanë tërhequr vëmendjen, se nuk presin gjeste jo miqësore prej Sofjes. Pas kësaj note proteste tani nga Ministria e Jashtme bullgare ka pasur një reagim përkatës. Drejtuesi shkencor i Muzeut rus të Historisë së Luftës, Michail Myagkov, i tha agjencisë zyrtare të lajmeve TASS, se elitat drejtuese në Bullgari po përpiqen ta harrojnë historinë e luftës së vendit të madh vëlla dhe ta relativizojnë rolin e Bashkimit Sovjetik si çlirues të Bullgarisë prej nazizmit. Senatori rus Vladimir Dshabarov madje shtoi edhe diçka: Akuzat, se Moska ka instaluar një regjim pushtues në Bullgari, janë të papranueshme, i tha ai RT-TV. Dshabarov kërkoi që ndaj kësaj duhet të reagojë presidenti bullgar.

Flash-Galerie Sofia Bulgarien
Parlamenti bullgarFotografi: www.bulgariainside.eu

Por historianët bullgarë e shohin krejt ndryshe. Në një intervistë për DW Ljudmil Spassov, profesor në Universitetin e Plovdivit, bën fjalë për një pushtim sovjetik të vendit. "Në gati 50 vitet që pasuan në Bullgari qeverisnin marioneta, të cilat edhe vet disa herë e kanë vënë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit bullgar. Kam parasysh përpjekjet për ta bërë Bullgarinë si një republikë të shtatë të Jugosllavisë apo të 16-të të BRSS-së." Ndërsa Kalin Yanakiev, profesor në Universitetin e Sofjes kritikon edhe reminishencat e shumë bullgarëve, që ngjarjet pas 9 shtatorit 1944 i kanë interpretuar gabim: „Krahasuar me vende të tjera si Polonia, Çekia apo Hungaria, Bullgaria ende nuk e ka zbardhur agresionin sovjetik. Shumë njerëz kanë një farë nostalgjie ndaj "socializmit", ende debatohet se çfarë duhet të mësojnë nxënësit në shkolla për këtë kapitull të mjerueshëm dhe poshtërues të historisë bullgare."

Ekspozita ruse në Sofje sipas planit do të hapet më 9 shtator. Ndërsa në tetor bullgarët do të zgjedhin një kryetare apo një kryetar të ri bashkie. Qevria konservatore e djathtë e drejtuar nga Boiko Borisov me çdo kusht do që të rizgjidhet kandidatja e vet. Për këtë një konsolidim i zgjedhësve skeptikë ndaj Rusisë është me dobi, komenton për DW, Daniel Smilov. Sepse kandidatja e mbështetur prej socialistëve konsiderohet si e afërt me Rusinë dhe nota e ashpër e protestës së Ministrisë së Jashtme në këtë sfond mund të ndihmojë për një sukses të Borisovit në Sofje, argumenton Smilov.