1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë rruge po merr euro?

31 Maj 2012

Kriza po e bën gjithnjë e më të pasigurtë të ardhmen e euros. Megjithatë ekonomistët vrasin mendjen, se si mund të shpëtohet ende monedha e përbashkët.

https://p.dw.com/p/155RF

Në Greqi më 17 qershor zhvillohen zgjedhjet e dyta parlamentare brenda 50 ditëve. Vendi është ekonomikisht një fuçi baruti. Një sondazh i ri, apo një deklaratë e pamatur e ndonjë politikani, do të bënte që grekët t'i tërhiqnin më parë nga ç'pritej paratë nga xhirollogaritë e tyre. "Unë mund ta marr me mend që situata mund të përkeqësohet para zgjedhjeve", thotë Martin Huefner, kryeekonomist i Assenagon Investments në Mynih. Pastaj ndoshta brenda nate mund të hyjnë kontrollet e transferimit të kapitalit. Këtë e ka shprehur hapur shefi i Bankës Qendrore Zvicerane."Unë jam i sigurtë se edhe në Athinë, në Bankën Qendrore Evropiane, apo në Bruksel mendojnë lidhur me kontrollet e transferimit kapitalit", thotë Huefner për DW.

Të mos dërgohet asnjë euro në Athinë

Derisa në Athinë të jetë formuar një qeveri, që i përmbahet kërkesave të dala nga programet e ndihmës, atje nuk duhet të çohen më para, thotë Huefner. Edhe partnerët europianë duan ta ndihmojnë Greqinë sërish me miliarda të tjera, nëse ekspertët e së ashtuquajturës troikë, Komisionit të BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të konfirmojnë se kursi i kursimit po zbatohet.

Kriza qeveritare në Greqi
Kriza qeveritare në GreqiFotografi: picture-alliance/dpa

Nëse kësti tjetër nuk pranohet, Athinën në fund të qershorit e kërcënon një herë falimentimi dhe pastaj dalja nga bashkimi monetar. Dështimi i bankave, paralizimi i ekonomisë dhe trazirat sociale mund të jenë pasojat. Por kaq keq nuk ka për të ndodhur. Sipas Thomas Mayer, kryeekonomist i Deutsche Bank, Greqia mund të ketë paralelisht dy monedha në të njëjtën kohë. Në vend të rrogave dhe pensioneve, grekët do të merrnin fillimisht letra këmbimi, që do t'i këmbenin me njëri-tjetrin për të mbuluar nevojat e përditshme. Letrat e këmbimit Mayer i quan euro greke: "Kjo do të ishte një zgjidhje, duke dale pjesërisht nga euro. Kjo është ndoshta e keqja më e vogël."

Greqia trajtohet tani në tregjet financiare si problemi më i vogël për eurozonën. Spanja ka kohë që është bërë gjuhëza e peshores në zonën e euros. Ekonomia e katërt për nga madhësia e BE-së vuan nga luhatjet e sektorit bankar, në të cilin pas shpërthimit të flluskës së imobilieve problemet bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Ekspertët kanë vlerësime të ndryshme për gjendjen në Spanjë

"Çdo njeri me arsye do të thoshte se spanjollët duhet të hyjnë nën ombrelën e shpëtimit. Normat e interesit janë rritur shumë. Ata thjesht nuk kanë më para", thotë ekonomisti Hüfner. Spanjollët duhet të kapërcejnë krenarinë e tyre kombëtare dhe të kafshojnë mollën e thartë. Për Thomas Mayer të Deutsche Bank gjendja për Madridin nuk është aq e rëndë. "Spanja ka opcione. Nga njëra anë ata mund të marrin të holla me një interes prej gjashtë e gjysëm, ose shtatë për qind në treg, në mënyrë që të rikapitalizojnë bankat e tyre."

Ekonomisti Martin Huefner
Ekonomisti Martin Huefner

Në të kaluarën Spanja ka paguar më shumë. Nëse do të bëhej i papërballueshëm vendi do të kishte mundësinë të përfitojë nga ndihma evropiane për ristrukturimin e bankave. Për këtë Spanja duhet vetëm të pranojë kushtet e vendosura për sektorin bankar dhe jo një program për gjithë ekonominë, i thotë Mayer Deutsche Welle-s.

Nuk ka më asnjë dyshim se strategjia e deritanishme e shpëtimit, që mbështetet vetëm në disiplinën e shpenzimeve, ka dështuar. Shumica e vendeve në eurozonë po rrëshqasin gjithnjë e më thellë në recesion. Një ekonomi në tkurrje sjell më pak të ardhura nga tatimet dhe një kuotë më të lartë të borxhit.

Një rregull fiskal "me frymëmarrje"

"Europa ka nevojë për një rregull fiskal "me frymëmarrje", shkruan Dennis Snoçer, presidenti i Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore në" gazetën "Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung". Vendet e prekura nga recesioni duhet të lejohen të "stimulojnë ekonominë nëpërmjet shpenzimeve të shtetit dhe shkurtimeve të taksave", tha Snoçer më tej. Për më tepër duhet të shfrytëzohen fondet strukturore të BE dhe Bankës Europiane të Investimeve.

Martin Huefner sugjeron edhe një buxhet të dytë për vendet e krizës, një buxhet investimesh. Ai duhet të përfshijë të paktën një për qind të produktit të brendshëm bruto të vendeve të prekura. Tregjet do të financonin programet kombëtare, nëse e shohin, se përmes kësaj përmirësohet situata, është i bindur Huefner. Për të siguruar euron, vendet nuk mund ta anashkalojnë një bashkim politik. Huefner kërkon që qeveritë gradualisht të sigurojnë legjitimitetin e monedhës së përbashkët nga populli me të gjitha pasojat: "Kancelari i dikurshëm, Helmut Kohl ka thënë: Një referendum për (euron) do të kishte rezultat negativ. Prandaj nuk duhet të bëhet." Diagnoza ka qenë e saktë, por konkluzioni i gabuar. "Ne kemi nevojë për mbështetjen e popullatës", theksoi Huefner.

Papunësia në Spanjë është shumë e lartë
Papunësia në Spanjë është shumë e lartëFotografi: AP

Shpërbërja apo përçarja e eurozonës?

Shanset, që kjo do të ndodhë, ai i vlerëson në 50 për qind. Përndryshe vendet do të kthehen në monedhat e tyre kombëtare, gjë për të cilën nuk është Thomas Mayer. Sepse jo vetëm shpenzimet për shpërberjen e bashkimit monetar do të ishin të mëdha. "Kjo nga ana monetare do ta kthente Evropën përsëri në shtete të vogla. Ne nuk do të kishim më pavarësi të vërtetë në politikën monetare."Evropa do të ishte përsëri e varur nga ajo, që ndodh jashtë Evropës. "Ne do të kishim pak mundësi të shkëputeshim, së paku nga ana monetare", thotë kryekonomisti i Deutsche Bank.

Idenë, që hidhet shpesh për ndarjen e unionit monetar në një zonë veriore dhe jugore, Martin Huefner e konsideron jorealiste: "Ky është një konstruksion i parelizueshëm politikisht. Sepse atëherë Gjermania dhe Franca ndoshta do të duhej të ndaheshin." Atëherë bashkëpunimi politik në Evropë do të bëhej shumë, shumë i vështirë, në mos i pamundur, përfundon ai.

Autor: Zhang Danghong/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi