1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Abrüstung Russland USA

7 Maj 2009

SHBA dhe Rusia po rinisin procesin e çarmatimit atomik. Por sfida në të vërtetë ka të bëjë me ndalimin e përhapjes së armëve bërthamore.

https://p.dw.com/p/HlKa

Të dy ish superfuqitë e Luftës së Ftohtë vazhdojnë edhe sot të posedojnë arsenale gjigande atomike, të cilat nuk u nevojiten më për të demonstruar reciprokisht forcën. Këto armë nuk kanë efekt kundër kërcënimeve aktuale nga e ashtuquajtura luftë asimetrike, si ajo që zhvillohet në Afganistan dhe lufta kundër terrorizmit. Të posedosh arsenalet bërthamore, t' i ruash dhe eventualisht edhe t' i modernizosh ato është e kushtueshme. Pikërisht për këtë arsye si SHBA edhe Rusia kanë interes, që t' i reduktojnë shpejt armët atomike ndërkontinentale. Tani duhet përshëndetur fakti, që pas ndryshimit të qeverisë në SHBA, të dyja palët janë ulur në një tryezë për të vazhduar bisedimet për çarmatimin.

Një botë fare pa armë bërthamore, siç la të nënkuptohet sërish në fillim të prillit në samitin e NATO-s presidenti i SHBA-së, Barack Obama, me siguri që nuk do të dalë nga bisedimet, që po zhvillohen ndërkohë. Ky qëllim, nëse do të realizohet ndonjëherë, ka të ngjarë që të arrihet vetëm në brezat e ardhshëm. Për fat të mirë këtë e pranoi me mençuri Barack Obama në fjalimin e tij në Strasburg. Sidoqoftë është pozitive fakti që mes Rusisë dhe SHBA-së me sa duket, është rritur besimi. Pas erës së Bush-it dhe pas ndryshimit në kreun e Kremlinit, të dyja palët kanë nisur përsëri me seriozitet, biznesin politik. Pavarësisht grindjes aktuale mes Rusisë dhe NATO-s, Moska është e gatshme të bisedojë për çarmatimin. Kjo është një shenjë shumë pozitive, sepse tregon, që pala ruse mendon vërtetë seriozisht. Ndonëse në mars në Moskë ende thuhej se synohet modernizimi i arsenalit bërthamor, kjo ishte më shumë inskenim në sfondin e krizës ekonomike, të rënies së vrullshme të të ardhurave të shtetit dhe kostove, që priteshin.

Bernd Riegert, Deutsche Welle
Bernd Riegert, Deutsche WelleFotografi: DW

Bisedimet për shtyrjen dhe ndryshimin e Marrëveshjes START, afati i së cilës përfundon në fund të vitit, apo për përpilimin e një marrëveshjeje krejt të re, do të zgjasin shumë. Për këtë s´duhet të kemi iluzione. Një problem i madh mund të jetë sistemi i mbrojtjes nga raketat, që planifikon SHBA-ja prej dhjetë vjetësh dhe që pjesërisht është instaluar. Pjesë të këtij sistemi do të instalohen në Çeki dhe në Poloni. Vërtetë, që sistemi i mbrojtjes nga raketat, siç është deklaruar, drejtohet kundër raketave ndërkontinentale nga Irani ose nga Koreja e Veriut, por për palën ruse ky sistem shërben si një bazë e mrekullueshme propagande. Parë në aspektin ushtarak, dhjetë raketambrojtëset e planifikuara për tu ngritur në Poloni pa koka shpërthyese janë krejtësisht të parëndësishme dhe nuk paraqesin kërcënim ndaj Rusisë. Megjithatë prej kësaj ngjallen frikërat evropiane, madje evropianët përçahen në kampet pro dhe kundër amerikane. Këtë Moska e shfrytëzon me virtuozitet.

Presidenti amerikan tani duhet që sa më shpejt të gjejë një mënyrë për t' ia bërë sërish të besueshëm botës dhe Rusisë sistemin e mbrojtjes nga raketat, i miratuar qysh në kohën e presidentit Bill Clinton. Në bisedimet për çarmatimin, që priten tani, rusët do të kërkojnë një çmim. Një tjetër aspekt është edhe më i rëndësishëm se pakësimi i arsenaleve bërthamore të dy superfuqive: Duhet të ndalohet përhapja e armëve bërthamore, e materialeve që përmbajnë elementët thelbësorë për armët atomike dhe njohuritë e teknologjitë përkatëse. Por, në thelb rreziku është më i madh në qoftë se armët bërthamore, apo ndezësit e pasuruar me uran, bien në duart e grupeve terroriste, se sa po të vihen në përdorim prej Rusisë apo SHBA-së. Qoftë Rusia, qoftë SHBA-ja duhet që për interesin e tyre të parandalojnë së bashku, Iranin apo Korenë e Veriut që të konstruktojnë bombën, ose që Pakistani, India, ose Izraeli të venë në përdorim bombën, ose që Osama bin Ladeni dhe ithtarët e tij, të shtijnë në dorë bombën. Kjo është sfida e vërtetë "bërthamore" e viteve të ardhshme.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Aida Cama

Atomwaffenarsenal Russland und USA, albanisch