1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

130810 Deutschland BIP

14 Gusht 2010

Gjermania e kapërceu krizën ekonomike. Koniunktura zhvillohet papritmas mjaft mirë. Zyra e statistikave në Visbaden ka bërë publike shifrat për rritjen e produktit të brendshëm bruto në tremujorin e dytë.

https://p.dw.com/p/OnbL
Pamje simbolike e rritjes ekonomike
Pamje simbolike e rritjes ekonomikeFotografi: picture-Alliance/dpa

Ekspertët i kishin pritur lajmet e mira nga ekonomia gjermane. Por ato që publikoi Zyra Federale e Statistikave ishin shumë më tepër se parashikimet. Një rritje 2,2% e produktit të brendshëm bruto krahasuar me fillimin e vitit. Holger Bahr drejton sektorin e Analizës së Ekonomisë Popullore në Deka Bank. Ai është surprizuar nga ky lajm: "Është një rritje gati rekord dhe është mbështetur nga shumë komponentë: Para së gjithash nga eksportet, por edhe nga investimet dhe konsumi. Janë bërë bashkë shumë të mira që e nxorrën të fortë Gjermaninë në këtë tre mujor."

Rol pozitiv luajti madje edhe moti. Industria e ndërtimit përfundoi ato projekte që kishin mbetur përgjysmë nga dimri i ashpër i këtij viti.

Industria e automobilëve dhe makinerive - promotorë të ekonoimsë gjermane
Industria e automobilëve dhe makinerive - promotorë të ekonoimsë gjermaneFotografi: picture-alliance/dpa

Cilët sektorë e bëjnë Gjermaninë të fortë

Një rritje ekonomike me 2,2% është e jashtëzakonshme. Si krahasim: në tremujorin e mëparshëm mes janarit dhe marsit produkti i brendshëm bruto ishte rritur vetëm me gjysmë përqind. Ekonomia gjermane po gjen dyer të hapura veçanërisht në vendet që e kanë kaluar fazën e vendeve në zhvillim dhe aktualisht janë në ekspansion, si Brazili, Indonezia dhe Kina. Produkte të suksesshme eksporti "made in Germany" janë automobilët, prodhime kimike, por edhe makineritë gjermane.

Ralph Wichers nga Shoqata e Industrisë së Makinerive, risjell ndërmend fazën e vështirë nga e cila vjen ky sektor: "Industria e makinerive u prek rëndë nga kriza në vitin 2009, pësuam një ulje drastike, të cilën e tejkaluam shpejt. Nga maji i 2009 kemi rritje të numrit të porosive, që nga gushti kjo po ndjehet në fitim dhe prodhim."

"Made in Germany" mbetet produkt i kërkuar
"Made in Germany" mbetet produkt i kërkuarFotografi: AP

Rritja rekord megjithatë afatshkurtër

Numri i të punësuarve në shumë sektorë megjithatë nuk ka ndryshuar, nuk është reduktuar, por as nuk është rritur. 40,3 milionë të punësuar janë të dhënat që jep Zyra e Statistikavve, 72.000 më shumë se në verën e vitit të shkuar. Ndërkohë është rritur aftësia blerëse e konsumatorëve. Ekonomistët e vlerësojnë këtë situatë, por paralajmërojnë se nuk do të ruhet gjithmonë ky ritëm. Holger Bahr: "Kjo është një shifër rekord, është e kuptueshme. Por që nuk do ta kemi në tremujorët e ardhshëm. Ata do të sjellin përqindje më të ulëta rritjeje. Ne presim një lloj zbritjeje, pasi iu mbaron afati edhe masave stimuluese nga qeveria, por edhe sepse hovi do të kthehet në normalitet. 2,2% nuk janë normale."

Masat stimuluese, me këtë nënkuptohen paketat koniunkturore në Gjermani dhe në shumë vende. Megjithatë parë në nivel ndërkombëtar Gjermania ndodhet në një situatë të shkëlqyer. Ekonomia në vendet e eurozonës së bashku u rrit me një përqind, dhe me këtë më pak se gjysma e rritjes në Gjermani.

Autor: Hendrik Buhrs/Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani