Zymtësi e jo atmosferë feste për zgjerimin | Evropa | DW | 03.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zymtësi e jo atmosferë feste për zgjerimin

Defiçitet në BE bëhen gjithnjë e më të qarta pas anëtarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë

Anëtarët e rinj të BE-së nuk priten shumë përzemërsisht

Anëtarët e rinj të BE-së nuk priten shumë përzemërsisht

Bashkimi Europian më 1 janar është bërë më i madh: Rumania dhe Bullgaria e kanë rritur në 27 numrin e vendeve anëtare. Por gëzim për këtë rritje ndiejnë vetëm pak qytetarë të BE-së.

Përshëndetja mund të ishte më miqësore: anëtarësimi në BE u festua me madhështi vetëm në Bullgari dhe Rumani. Festa nuk kishte të krahasuar me spektaklin pompoz me fishekzjarrë në të gjitha kryeqytetet europiane përpara dy vjetësh e gjysmë kur Unionit iu shtuan dhjetë vende të reja.

E kjo nuk ka të bëjë me faktin se pragun po e kapërcenin "vetëm" dy anëtarë të rinj dhe as me atë se bëhet fjalë për Bullgarinë dhe Rumaninë. Megjithëse ka rezerva pasi luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar në të dy shtetet lë ende për të dëshëruar, arsyeja e vërtetë e atmosferës së zymtë është një tjetër.

Shumë qytetarë të BE-së kanë ndjenjën se iu duhet të paguajnë vetë faturën për raundet e zgjerimeve: krah i lirë pune nga vendet e reja anëtare që i drejtohet perëndimit pasi tashmë lindorët janë të lirë të zgjedhin vendin e punës dhe banimit. Njëkohësisht biznese që transferohen në Lindje pasi aty mund të prodhojnë me kosto më të ulëta. Dhe së fundi, në vendet e vjetëra dhe të pasura anëtare të BE-së rritet numri i të papunëve. Nuk është pra çudi që frika përhapet pasi nga planet për të bërë BE-në "zonë ekonomike më dinamike" në botë ende nuk shihet asnjë rezultat konkret. Shembull është Gjermania: parashikimet pozitive ekonomike lexojnë vërtet një rritje të lehtë nga statistikat por në xhepat e qytetarëve kjo rritje nuk ka mbërritur ende.

Kësaj i shtohet rreziku që barka europiane të bëhet e pamanovrueshme. Me gjithnjë e më shumë anëtarë po bëhet gjithnjë e më e vështirë të merren vendime për të hedhur hapa përpara. Kjo bëhet e qartë edhe në projektin e kushtetutës i cili pas Jo-së së francezëve dhe hollandezëve ka hyrë në një rrugë pa krye nga e cila nuk di askush si ta nxjerrë. BE-së i nevojitet në fakt një marrëveshje e re themelore pasi ajo e Nicës që është tani në fuqi nuk është më e mjaftueshme madje as për zgjerimin me Bullgarinë dhe Rumaninë.

Gjetja e një zgjidhjeje për hir të zgjidhjes është kthyer në BE në modus vivendi: disa vite më parë u përcaktua një datë për anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë e m.q.s për fat të keq të dy vendet deri në atë datë nuk i kishin bërë detyrat e shtëpisë u vendos monitorimi. Anëtarët e rinj do të vëzhgohen nga BE gjë që në fund të fundit s'është veçse kontrolli nën të cilin ishin përpara anëtarësimit. Por ai nuk është një garanci që qeveritë në Sofje dhe Bukuresht do të përmirësojnë vërtet bilancin e krimeve në vendet e tyre.

Politikanët europianë nuk mund të fitojnë besimin e qytetarëve me këto zgjidhje provizore. Por pa këtë besim asnjë politikan nuk do të ketë guxim të përmendë sërisht fjalën "zgjerim".

  • Data 03.01.2007
  • Autor Klaus Dahmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9H
  • Data 03.01.2007
  • Autor Klaus Dahmann
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9H