1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zi në Deutsche Welle për dy gazetarët e lirë të vrarë në Afganistan - Vazhdojnë hetimet për autorët

Rainer Solih9 Tetor 2006

Në Deutsche Welle mbizotëron hidhërimi për humbjen e dy gazetarëve në profesion të lirë të vrarë të shtunën në Afganistan. Karen Fisher dhe Kristian Shtruve gjatë natës duke gdhirë e shtuna (07.10) janë vrarë në Veri të Afganistanit nga persona deri tani të panjohur. Hetimet për autorët po vazhdojnë.

https://p.dw.com/p/Aqz9
Deutsche Welle
Deutsche WelleFotografi: DW

Bashkëpunëtorët e Deutsche Welle-s kanë reaguar të shokuar dhe të shqetësuar ndaj lajmit për vdekjen e dy kolegëve të tyre. Në librin e ngushëllimeve të Deutsche Welle-s ndërkohë po shënohen fjalët e lamtumirës së kolegëve që më vonë do t´u dorëzohet të afërmve të dy gazetarëve. Në faqen e internetit të Deutsche Welle-s është publikuar një seri e reportazheve të autores Karen Fisher. Zëdhënësi i shtypit të DW-së, Johanes Hofman: "Shumë kolegë dhe kolege i kanë njohur mirë dhe vlerësuar Karen Fisherin dhe Kristian Shtruven. Askush nuk mund ta besojë që ata s´janë më mes nesh. Ne duam t´u japim të gjithëve në Deutsche Welle mundësinë që të shprehin dhimbjen dhe ngushëllimet e tyre."

Gazetarja 30 vjeçare Karen Fisher dhe tekniku e autor televiziv Kristian Shtruve janë qëlluar prej autorëve deri tani të panjohur gjatë natës duke gdhirë e dita e shtunë. Të dy kanë qenë gazetarë në profesion të lirë të Deutsche Welle-s dhe kësaj here ata ndodheshin privatisht në Hindukush. Ata konsiderohen si gazetarë me përvojë në botën e jashtme dhe e njihnin shumë mirë Afganistanin prej shërbimeve dhe udhëtimeve të mëparshme private.

Sipas të dhënave të ministrisë së brendshme në Kabul, Fisher dhe Shtruve natën rreth orës 1:20 janë vrarë në çadrën e tyre në afërsi të një fshatit në rajonin Tala va Barfak. Martin Ebing, gazetar i lirë për Iranin dhe Afganistanin dhe herë pas here aktiv edhe për Deutsche Welle-n, ka hulumtuar në vendin e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të policisë vendase: "Të gjitha gjurmët të çojnë në përfundimin, se të dy gazetarët kanë dëgjuar zhurmë, kanë dalë me rrëmbim prej çadrës dhe janë qëlluar nga persona të panjohur. Të dy trupat kanë plagë prej disa të shtënave. Për shkak të zhurmës së të shtënave nga armët që janë përdorur, banorët e fshatit janë zgjuar dhe kanë nxituar në vendin e ngjarjes. Kjo ka bërë që katër të panjohurit të largohen menjëherë diku në zonën e shkurreve. Ka pasur përpjekje për t´i ndjekur ata, por asnjërin prej nuk kanë arritur ta kapin."

Hetimet ndaj autorëve vazhdojnë, deri tani sipas të dhënave të ministrisë së brendshme afgane s´ka asnjë të dhënë për identitetin dhe motivet e tyre. Qeveria në provincën veriore të Afganistanit, Baglan, njoftoi, se janë identifikuar pesë deri në gjashtë të dyshuar. Sipas ministrisë afgane rezultatet e para të hetimeve mund të priten të hënën (09.10).

Talibanët radikalë-islamikë deklarojnë, se nuk kanë të bëjnë me vrasjen. Por në bazë të hetimeve të deritanishme konsiderohet si pak i mundshëm një sulm për plaçkitje, sepse duket se nuk janë vjedhur as sendet personale dhe as makina e dy gazetarëve.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shteinmajer e cilësoi këtë si "një krim të tmerrshëm" dhe kërkoi, që autorët të përgjigjen për këtë. Drejtori i Përgjithshëm Deutsche Welle-s, Erik Beterman, qysh të shtunën u shprehu ngushëllimet të afërmve të të vrarëve. Njëkohësisht ai theksoi, se Deutsche Welle pavarësisht nga kjo ngjarje tragjike do të vazhdojë angazhimin e saj për rindërtimin e Afganistanit dhe përpjekjet për dialogun e kulturave. Këtë ai e kupton edhe si një amanet të dy kolegëve të vrarë, tha Beterman: "Atyre iu desh të vdesin në një vend, për të cilin ata kishin përkushtuar të gjithë angazhimin e tyre, e së paku siç besoj unë, ata edhe kishin arritur ta donin këtë vend. Kësisoj ata kishin planifikuar edhe këtë udhëtim privat në Afganistan."

Kristian Shtruve ka bashkëpunuar në një projekt të Deutsche Welle-s për ndërtimin e një redaksie të lajmeve ndërkombëtare në televizionin shtetëror të Afganistanit. Karen Fisher në radion Deutsche Welle ndër të tjera gjatë vitit të kaluar ka raportuar për zgjedhjet parlamentare në Afganistan.