Zhvillohet në Berlin takimi i treshes evropiane Shirak, Shrëder, Bler | Evropa | DW | 18.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zhvillohet në Berlin takimi i treshes evropiane Shirak, Shrëder, Bler

Në Berlin zhvillohet sot takimi tresh i nivelit të lartë mes kryeministrit britanik Toni Bler, presidentit Francez Zhak Shirak dhe kancelarit gjerman Gerhard Shrëder. Të tre politikanët do të konsultohen lidhur me propozimet për zhvillimin ekonomik në Evropë. Këto propzime do të parshtrohen si iniciativë në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të BE-së në mars.

Takimi i trios në Berlin do të zhvillohet gjatë pasdites fillimisht në një raund të zgjeruar me ministrat e ekonomisë, të financave, të punës dhe të shëndetësisë. Në mbrëmje Shirak, Shrëder dhe Bler do të diskutojnë në prani edhe të ministrave të jashtëm lidhur me cështjen e kushtetutës së BE-së si dhe rajonet ndërkombëtare të krizës. Vende të ndryshme të BE-së në sfondin e këtij takimi kanë reguar me pakënaqësi duke e konsideruar treshen si një drejtori të BE-së.

Në të vërtetë afrimi mes tri vendeve më të mëdha të BE-së doli në pah vitin e kaluar me vendimin për një politikë të përbashkët evropiane të mbrojtjes. Lidhur me këtë kancelari i Gjermanisë Shrëder thekson: "Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe së bashku arritën të hartojnë konceptin e politikës së mbrojtjes duke arritur kështu një sukses në bashkëpunim edhe me të tjerët. Ne kurrësesi nuk duam të pretendojmë dicka ekskluzive, por besoj, se kjo ëhstë një ngjarje që duhet vlerësuar."

Me politikën e përbashkët të mbrojtjes, e cila u arrit nën presionin amerikan dhe nëpërmjet marrëveshjes brenda NATO-s, si dhe me shpalljen javën e kaluar të themelimit të një trupe trilaterale të ndërhyrjes së shpejtë, është hedhur guri themeltar i një "grupi bërthamë" brenda BE-së. Në të vërtetë kryeministri britanik Bler nuk e pranon në asnjë mënyrë këtë koment, duke nënvizuar, se nuk ka drejtori treshe në BE. Por në praktikë Bler, i cili brenda vendit konfrontohet me opozitën si dhe me shtypin bulevardesk kundër BE-së, i është bashkangjitur motorrit gjermkano-francez, sepse ai nuk dëshiron që vendi i tij të mbetet në pozicion anësor në Evropën e zgjeruar: "Unë jam i bindur që Britania duhet të luajë një rol drejtues në qendër të Evropës dhe të mos qëndrojë në periferi të saj."

Shumë vende të vogla anëtare të BE-së e shohin me skepticizëm bashkëpunimin midis tri shnteteve më të mëdha. Një diplomat cek është shprehur në Bruksel, se të tri vendet janë të rëndësishme, por pikërëndesa gjeografike e unionit me pranimin në maj të 10 vendeve të reja anëtare do të zhvendoset në Lindje. Bler megjithatë nuk sheh ndonjë problem në këtë mes, ai e konsideron veten në grupin e treshes si zëdhënës të antarëve të rinj, sipas tij antarët e rinj janë pro-britanikë dhe pro-amerikanë: "Shumë shtete që do të vijnë tani në union kanë të njëjtin vizion për Evropën si edhe britanikët. Ata janë pro-amerikanë dhe për aleancën transatlantike. Ata janë për reformat ekonomike dhe për shtetet-kombe."

Pas dështimit të samitit të BE-së për kushtetutën në dhjetor, kancelari Shrëder dhe presidenti francez Zhak Shirak, duan që promotorin gjermano-francez që vë në lëvizje unionin që prej 50 vjetësh ta shndërrojnë në një grup pionierësh, i cili avancon më shpejt se të tjerët edhe jashtë marrëveshjeve të BE-së që ekzistojnë aktualisht. Idenë e grupit të pionierëve Shirak e shpalosi në një fjalim në Bundestag në Berlin duke rindezur kështu debatin mbi kushtetutën: "Unë kam propozuar, duke e parë këtë si një realitet të pashmangshëm, që ndoshta disa vende të krijojnë një grup pionierësh. Kjo do të thotë, që këto vende të avancojnë ashtu sic ka ndodhur edhe në rastin e euros, apo të marrëveshjes së Shengenit. Ka dy kushte: nuk duhet që këto vende të veprojnë kundër legjislacionit ekzistues të BE-së dhe që porta të mbetet e hapur për të gjithë, të cilët do të jenë të gatshëm të përmbushin kushte të caktuara."

Vetëm Belgjika, Hungaria, Cekia dhe Greqia në fillim të vitit ishin të gatshme t´i bashkangjiteshin grupit të pionierëve gjë që presupozon krijimin e Evropës së dy shpejtësive. Italia, Spanja dhe Polonia e ndjejnë veten të përjashtuar dhe janë kundër këtij grupi, të cilin e damkosin si një drejtori të BE-së. Italia e kritikon ashpër forcimin e treshes në BE. Ministri italian për cështjet e Evropës, Roko Butilione paralajmëroi Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe që të mos tentojnë t´i imponojnë politikën e tyre pjesës tjetër të Evropës. Nëse ndodh kështu shtetet e tjera do ta ndjejnë veten si qytetarë të klasës së dytë brenda BE-së, deklaroi Butilioni për radiostacionin britanik BBC. Evropa përbëhët nga 25 shtete dhe jo nga tre nënvizoi ai, duke shtuar që Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe nuk duhet të harrojnë se Italia është një vend po aq i madh dhe posedon një fuqi po aq të madhe ekonomike sa edhe tri vendet. Ndërsa kryeministri i Luksemburgut Zhan Klode Junker e përshëndet takimin e treshes në Berlin. Ky është një takim i dobishëm, deklaroi ai për radion kombëtare gjermane "Deutschlandfunk". Eshtë mirë nëse këto tri vende bien dakord dhe janë të një mendjeje, shtoi Junker, duke sjellë si shembull rastin e krizës së Irakut, kur vendet anëtare të BE-së kishin pozicione të ndryshme.

  • Data 18.02.2004
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIM
  • Data 18.02.2004
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArIM