Zhdukje dramatike të pyjeve tropikalë në Amazonë | Bota | DW | 03.08.2020
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Zhdukje dramatike të pyjeve tropikalë në Amazonë

Numri i zjarreve në pyjet e Amazonës u rrit në korrik me 28% krahasuar me një vit më parë. Vendimi për ndalimin e përkohshëm të spastrimit të pyjeve nuk solli efekte pozitive.

Bazuar në fotografimet satelitore në rajonin e Amazonës ka pasur gjatë muajit korrik të këtij viti 6.803 zjarre pyjesh krahasuar me 5.318 në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Kjo do të thotë një rritje prej 28 përqind. Vetëm më 30 korrik në pellgun e Amazonës pati më shumë se një mijë zjarre pyjesh. Ky është numri më i lartë i zjarreve të pyjeve në vetëm një ditë të muajit korrik që prej 15 vjetësh. Instituti Kombëtar për Kërkime Hapësinore INPE mbledh të dhënat në kohë reale duke përdorur sistemin satelitor DETER (Real-Time Deforestation Detection System).

Thatësirat si përshpejtuese të zjarreve

Zjarret në pyje shkaktohen shpesh nga spastrimi i paligjshëm i tyre. Inpe kishte njoftuar për shpyllëzime rekord gjatë qershorin e këtij viti. Në qershor në rajonin e Amazonës fillon sezoni i thatësirave që shoqërohet me shumë zjarre që shpërthejnë çdo vit. Ambientalistët kanë frikë se prej thatësirave javët e ardhshme mund të përsëriten zhvillimet e gushtit të vitit të kaluar, kur Inpe regjistroi gati 30.900 zjarre.

Sipas organizatës mjedisore Greenpeace vetëm në zonat ku banojnë popujt indigjenë numri i zjarreve të pyjeve u rrit në korrik me 77 përqind në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në zonat natyrore nën mbrojtje ka pasur një rritje prej 50 përqind. Dekreti që ndalon djegiet e paligjshme të pyejeve të të mbetet vetëm në letër, dhe nuk do të funksionojë nëse nuk ka mbikëqyrje adekuate të pyjeve, tha aktivisti brazilian i Greenpeace Rômulo Batista.

Sipas shkencëtarëve viti 2020 do të jetë shkatërrues për pyjet tropikalë

Ambientalistët kanë paralajmëruar prej kohësh se viti 2020 mund të jetë viti më shkatërrues për pyjet më të mëdhej në botë. Ata fajësojnë drejtpërdrejt politikat e presidentit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro. Sipas tyre veprimet e tij favorizojnë spastrimin e paligjshëm të pyjeve dhe asgjë nuk do të ndryshojë edhe prej vendimit për ndalimin e përkohshëm të spastrimit të pyjeve për një periudhë 120 ditore.

Presidenti i Brazilit Bolsonaro është ithtar i shfrytëzimit ekonomik të Amazonës dhe Bolsonaro i ka shkurtuar në mënyrë drastike burimet financiare dhe njerëzore për mbrojtjen e mjedisit.

Edhe shkencëtarët e Universitetit Shtetëror të Sao Paulos janë kritikë ndaj masave të qeverisë. Të dhënat e mbledhura deri në fund të korrikut tregojnë se masat e qeverisë për të zvogëluar zjarret dhe shpyllëzimet ishin joefektive, tha Carlos Nobre, një nga studiuesit më të shquar të klimës në Brazil. Tashmë, gjithçka tregon se situata në vitin 2020 do të përkeqësohet ndjeshëm në krahasim me një vit më parë.