1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet presidenciale në Sllovaki

Vladimir Müller19 Prill 2004

Ivan Gasparoviç fiton në raundin e dytë

https://p.dw.com/p/ArHb
Ivan Gasparoviç
Ivan GasparoviçFotografi: AP

Vetëm dy javë më parë, në raundin e parë zgjedhor, askush nuk do të kishte besuar në fitoren e 63-vjeçarit Gasparoviç. Juristi jo karizmatik ishte në vitet nëntëdhjetë kryetar parlamenti dhe fuqia e dytë në partinë qeverisëse atëhere "Lëvizja për një Sllovaki demokratike" HZDS. Pas një grindjeje me kryetarin e HZDS-së Vladimir Meçiar, Gasparoviç doli nga partia në vitin 2002 për të themeluar një "Lëvizje për demokraci" të vetën. Por në zgjedhjet e fundit parlamentare ajo mbeti nën kufirin e pesë përqindëshit duke e humbur hyrjen në parlamentin në Bratislavë.

Suksesin në raundin e parë Gasparoviç ia falënderon para së gjithash qëndrimit të panjësuar të partive qeverisëse sllovake. Këto futën disa kandidatë në garën për postin më të lartë në shtet. I favorizuari përgjithësisht, Ministri i Jashtëm Eduard Kukan u rendit në përfundim i treti. Me sa duket 4,1 milionë zgjedhësit deshën të ndëshkonin qeverinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Mikulash Xhurinda për politikën e saj radikale të kursimit që pikërisht nga të dobëtit po kërkon sakrifica të mëdha në sistemin social dhe atë shëndetsor.

Përfundimi tronditi veçanërisht botën e jashtme. Për në raundin e dytë të zgjedhjeve u kualifikuan Vladimir Meçiar dhe bashkëpunëtori i tij i dikurshëm Ivan Gasparoviç. I freskët ishte kujtimi për kohën e qeverisjes autokratike të Meçiarit. Me emrin e tij lidhen një sërë aferash të pazbardhura ende. Rrëmbimi i djalit të ish-presidentit Mihal Kovaç i organizuar nga shërbimi i fshehtë sllovak përbën rastin më të njohur. Praktikat jodemokratike të Meçiarit dhe shkarjet e tij të pakontrolluara ishin edhe arsyeja përse Sllovakia u ftua për bisedime anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe u bë anëtare e NATO-s vetëm pas dështimit të tij në zgjedhje në vitin 1998.

Por zgjedhësit u kujtuan edhe për lidhjen e ngushtë për vite me radhë të Gasparoviçit me Meçiarin. Në këtë mënyrë raundi i dytë zgjedhor u kthye përsëri në zgjedhjen midis një të keqeje "më të madhe" dhe një "më të vogle". Si edhe pesë vjet më parë kur Meçiari u mund nga presidenti në detyrë Rudolf Shuster, i cili ka qenë gjithnjë i papëlqyer nga shumica e sllovakëve. Fakti që tani fitoi përsëri "e keqja më e vogël" tregon se zgjedhësit sllovakë iu kthyen arsyes dhe u stepën përpara një ringjalljeje politike të Meçiarit.

Në fushatën zgjedhore Ivan Gasparoviç shprehu keqardhje për disa nga vendimet e tij në të shkuarën si dora e djathtë e Meçiarit, por atij do t'i duhet të dëshmojë se vërtet i respekton rregullat e lojës demokratike. Politikën konsekuente të reformave të Sllovakisë presidenti i ri nuk mund ta kthejë mbrapsht. Jo vetëm sepse fuqitë e tij janë të kufizuara për faktin se megjithë zgjedhjen e drejtpërdrejtë Sllovakia nuk është demokraci presidenciale, por edhe sepse bazat demokratike të vendit janë fuqizuar mjaft që prej vitit 1998.

Bashkëpunimi midis presidentit dhe qeverisë nuk do të jetë aspak harmonik, pasi Gasparoviç u shfaq si politikan i pastër opozitar me përkrahjen jo vetëm të partisë së tij të vogël. Për fitoren e tij kontribuan para së gjithash zgjedhësit e partisë më të madhe "Smer"/"Drejtimi" të populistit të majtë Robert Fico. Por pavarësisht nga emri i saj, drejtimi i kësaj partie është mjaft i papërcaktuar. Ivan Gasparoviç do të ketë tani mundësi të tregojë vijat e politikës së tij.