1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet presidenciale, ligji emigracionit dhe fitorja e ekstremistëve të djathtë në zgjedhje - Retrospektivë e ngjarjeve politike në Gjermani në vitin 2004

Heinz Dylong29 Dhjetor 2004

Viti 2004 po mbaron. Vit që njohu konfliktet e vjetra të politikës së brendshme gjermane, por që shfaqi edhe konture të reja. Gjermania ka një kryetar shteti që diskuton për reformat sociale dhe ato të tregut tö punës. Rezultatet e zgjedhjeve të ndryshme të këtij viti kontribuan për kthjellimin e Partisë Socialdemokrate. Megjithëse rezultatet e sondazheve janë në përmirësim, Partia Socialdemokrate nuk mund të mos shqetësohet për të ardhmen. Këtyre u shtohet konfrontimi me terrorizimin ndërkombëtar, i cili ka lënë gjurmë të veçanta në Gjermani.

https://p.dw.com/p/Ar55

Kur filloi viti 2004, në skenën politike ishte e qartë se Gjermania do kishte një kryetar të ri shteti. Presidenti Johannes Rau pati deklaruar se nuk do kandidonte për periudhën e dytë. Përkrah arsyeve personale në këtë vendim mund të ketë luajtur rol edhe përbërja e Asamblesë Federale. Në këtë organizëm kompetent për zgjedhjen e Presidentit shumica përbëhej nga CDU, CSU dhe FDP. Kështu rizgjedhja e socialdemokratit Rau nuk do ishte e mundur.

Partitë opozitare u vunë në kërkim të një kandidati. Dhe pas bisedimeve të gjata u arrit në marrëveshje. Kryetarja e CDU-së, Angjela Merkel doli e lehtësuar para shtypit:

"Më 23 Maj zhvillohet zgjedhja e presidentit. CDU, CSU dhe FDP bazuar në vendimin e kryesive të tyre propozojnë si kandidat për postin e presidentit Profesor Doktor Horst Këhler. Me këtë vendim ne japim sinjalin e qartë të një alternative qytetare kundër të kuqve dhe të gjelbërve dhe jemi të kënaqur që këtë sinjal mundëm ta japim pa u vonuar"- tha ajo.

Ditën tjetër e pritën me një propozim edhe partitë në pushtet. Sipas dëshirës së tyre kryetar shteti duhet të bëhej Profesorja e Politologjisë Gesine Schwan.

Por vendimi i Asamblesë Federale ishte i qartë. Horst Këhler, ish drejtor i Fondit Monetar Ndërkombëtar u zgjodh President federal që në raundin e parë të zgjedhjeve. Pas betimit të tij më 1 Korrik Këhler deklaroi:

"Ne nuk mund të humbasim më kohë, por duhet të fillojmë me rinovimin e Gjermanisë pamvarësisht nga të gjitha zgjedhjet që pritet të zhvillohen. Ajo që na duhet është guximi i qeverisë për të ndërmarrë nisma që përparojnë rrugën e rinovimit dhe guximi i opozitës për të plotësuar dhe qartësuar alternativën e vet".

"Pavarësisht nga të gjitha zgjedhjet", thotë Këhler. Një vërejtje që synon t`i flasë Partisë Socialdemokrate e cila pësoi humbje të njëpasnjëshme në zgjedhje, mbase pjesërisht edhe për shkak të shkurtimeve që po bëhen prej reformave sociale. Humbje në zgjedhjet parlamentare në Hamburg ku SPD ra me 6 për qind, por CDU fiton 21 për qind duke marrë shumicën e parlamentit të landit. Humbje në 13 qershor në Tyringen. Atje CDU humbi shumë, megjithatë arriti të mbante shumicën absolute në parlamentin e landit. Partia Socialdemokrate humbi 4 përqind të zgjedhësve dhe përfundoi me 14,5 përqind të votave në forcën e tretë të landit, pas PDS.


Vëmendja e përgjithshme e këtyre ditëve i takoi zgjedhjes së Parlamentit Europian. Por edhe kjo provë që përfshiu gjithë federatën përfundoi me humbje të socialdemokratëve. Ata humbën më shumë se 9 për qind dhe arritën në 21, 5 për qind të votave. Po ashtu CDU/CSU pësoi 3,6 për qind humbje dhe mbeti me më shumë se 44 për qind. Të gjelbërit, liberalët FDP dhe PDS arritën të hynin në Parlamentin Europian. Kancelari gjerman Gerhard Schrëder komentoi rezultatin e partisë së tij:

"Mjafton për të treguar hidhësinë e humbjes. Humbja mund dhe duhet shpjeguar me atë se ne jemi në mes të proçesit të vështirë të ristrukturimit. Ajo që unë mund të vazhdoj është kjo politikë dhe unë dua të vazhdoj vetëm këtë politikë. Mendoj se edhe në të ardhmen duhet mobilizuar përkrahja e duhur për të."

Pra kancelari do të mbetet në të njëjtin kurs dhe do të zbatojë reformat e tregut të punës pavarësisht nga kundërshtimet e ashpra të sindikatave dhe disa socialdemokratëve.

Konsekuencat Schrëderit iu desh t`i ndiente që në shkurt, kur deklaroi dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Socialdemokratëve dhe propozoi për këtë post Kryetarin e Fraksionit Franc Myntefering. Myntefering, shumë o dashur në partinë e tij u zgjodh në një takim të posaçëm partie me më shumë se 95 për qind të votave të delegatëve. Ai tregoi qartë pozicionin tij:


"Ne diskutuam ashpër dhe do vazhdojmë të diskutojmë. Shumë mirë. Unë nuk dua parti të urtë, kontradiktat bëjnë mirë. Ne duhet të kemi kulturë grindjesh, ne duhet të kërkojmë përgjigje edhe për gjëra të vështira. Kompromiset dhe forca e vendimeve janë po ashtu të mira, të dashur shokë dhe shoqe. Dhe kur vendimet janë marrë ato duhen zbatuar me vendosmëri, sepse politika nuk mund të zhvillohet ndryshe".

Kjo që Myntefering i thotë partisë së tij ka vlera mbipartiake. Sepse nëpërmjet shumicës në Këshillin federal, landet që drejtohen nga qeveri të CDU/CSU kanë detyruar qeverinë federale të të kuqve dhe të gjelbërve të hyj në kompromise me opozitën.

Kështu për shembull në ligjin për emigracionin. Pas katër vitesh kontradiktash koalicioni ra në marrëveshje me opozitën për projektligjin, varianti i të cilit dhe u aprovua. Në ligj përmbahen lehtësime për emigrimin e forcave të kualifikuara të punës po ashtu mbrojtje më e mirë për refugjatët, detyrime për pjesëmarrje në kurse gjuhe dhe kurse integrimi si dhe rregulla më të qarta për dëbimet. Ministri i brendshëm federal Otto Shili për ligjin e emigracionit:

"Ne duam ta kontrollojmë më mirë ardhjen e të huajve, më mirë se deri tani, dhe të bëjmë kufizimet aty ku kufizimet janë të nevojshme dhe të krijojmë lehtësira aty ku ato janë të nevojshme dhe të kujdesemi më shumë për kualitetin e të ardhurve"- tha Shili.

Dëbimi i Metin Kaplanit në tetor për në Turqi nuk kishte shumë të bënte me ligjin e ri të emigracionit, i cili hyn në fuqi më 1 janar. Megjithatë ky rast ushqeu titujt e gazetave. Kaplani, i vetëquajtur "Kalif i Këlnit", ishte dënuar më parë për nxitje në vrasje. Ai luftoi për një kohë të gjatë me të gjitha mjetet ligjore që të mos dëbohej nga Gjermania. Por megjithë proçeset e pambyllura të revizionimit, Gjykata administrative e Këlnit dha dritën jeshile për dëbimin e udhëheqësit islamist. Sipas Gjykimit të Gjykatës Kaplani duhet parë si "figurë identifikuese për ekstremizmin islamik".

Zhurmë shkaktoi edhe një proces tjetër juridik. Në Hamburg para gjyqit u nxorr Abdelghani Mzoudi. Prokuroria e akuzon atë për pjesëmarrje në grupe terroriste dhe se ka ndihmuar në vrasjen e mbi 3000 vetëve. Fjala është për sulmin terrorist të 11 shtatorit 2001. Procesi morri fund me lirimin e Mzoudis. Sepse nxitësi i mundshëm i 11 shtatorit Ramsi Binalshib- që ndodhet në hetuesi në SHBA, nuk mund të merrej në pyetje nga gjykatat gjermane.

Ndërkohë në Hamburg kemi një situatë të re në proçesin e parë në botë për sulmet e 11 shtatorit. Marokeni Mounirel Motassadequ u dënua fillimisht me 15 vjet heqje lirie. Në pranverë Gjykata Federale e çfuqizoi dënimin sepse autoritetet amerikane nuk mundësuan marrjen në pyetje të dëshmitarëve. Në proçesin e Hamburgut nuk ndryshoi asgjë. Gjykata ka përpara pohimet e bashkëpunëtorëve të mundshëm të terroristëve që kanë zhvilluar sulmet, të përmbledhura nga autoritetet amerikane. Ndërkohë që mbrojtja kërkon pezullimin e proçesit Prokuroria vazhdon mbajë akuzat e saj. Zhvillimi i proçesit vazhdon të mbetet i hapur.

I hapur vazhdon të mbetet jo vetëm proçesi i Hamburgut por edhe gjithë zhvillimi politik në Gjermani. Shtatori ishte muaj zgjedhjesh për parlamentet e landeve- dhe sërish SPD u dënua prej tyre. Për shembull në Saarland. CDU morri 47 për qind dhe shumicën absolute. FDP dhe Të gjelbërit arritën të kalonin pengesën prej 5 për qindësh ndërsa SPD përjetoi rënie të madhe. Me 31 për qind të votave ajo humbi 14 përqind të përkrahësve. Për shumë vëzhgues më shqetësuese ishte katër përqindshi që morrën ekstremistët e djathtë NPD.
Dhe ky shqetësim u rrit më shumë dy javë më vonë kur në zgjedhjet parlamentare të Landit të Brandenburgut dhe Saksenit partitë ekstremiste të djathta arritën të hynin në parlament. Në Brandenburg SPD dhe CDU si parti në pushtet u paraqitën para zgjedhësve së bashku me një koalicion të madh. Ky bashkëpunim vazhdon edhe pas zgjedhjeve, por SPD humbi 7 për qind megjithëse mbeti me 32 për qind të votave partia më e fortë në land. E pasuar nga PDS e cila spostoi nga vendi i dytë CDU-në. Ndërkohë që esktremistët e djathtë të DVU arritën të hynin në parlament.

Në Saksen në parlament hynë esktremistët e djathtë të NPD të cilët morrën 9 për qind të votave. Ndërsa CDU dhe SPD formuan koalicionin e nevojshëm për krijimin e qeverisë.
Tema kryesore e diskutimeve mbeti rezultati i partive esktremiste të djathta në Saksen dhe Brandenburg.

Në axhendën politike të partive ndodhen sigurisht tema të tjera. CDU dhe CSU u morrën për javë të tëra me marrëveshjen për reformën shëndetësore. Duke parë pikët në rënie të sondazheve dhe largimin e personelit, Unioni mbeti në përpjekje të gjetjes së formulës së suksesit për zgjedhjet e 2005.
Në Bundeswehr, mbylljet e 105 qendrave ushtarake dhe 12 rastet e keqtrajtimit të rekrutëve tërhoqën vëmendjen e përgjithshme e cila në fund të vitit u përqëndrua në diskutimet për masën e duhur të patriotizmit. Temë që shoqëroi diskutimet mbi vendin që zenë të huajt veçanërisht ata myslimanë në shoqërinë gjermane. Ndërsa në komisionin e federalizmit federata dhe landet kërkojnë ndarjen e re të kompetencave dhe përgjegjësive.