1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Serbi, Koshtunica, Tadiqi dhe Kosova

Eberhard Nembach19 Janar 2007

Ashtu si në fushatën e referendumit edhe tani në fushatën e zgjedhjeve parlamentare Koshtunica vazhdon të përdorë tone nacionaliste

https://p.dw.com/p/ArZX
Kostunica und Ilic
Kostunica und IlicFotografi: AP

Kryeministri i Serbisë Vojislav Koshtunica prezantoi në vjeshtën e vitit 2006 një kushtetutë të re, e cila e trajton Kosovën si pjesë të pandashme të Serbisë. Koshtunica arriti për pak të kalojë projektkushtetutën e tij. 54 përqind e elektoratit dolën në votime, 52 përqind i thanë po kushtetutës së re.

Dhe tani në prag ndodhen zgjedhjet e reja parlamentare. Në referendumin e kushtetutës çështja aq e rëndësishme kombëtare e Kosovës e ndihmoi atë. Tani Koshtunica i cili ka kohë që nuk e ka më shumicën në parlament filloi të përdorë tone nacionaliste edhe në fushatën elektorale.

"Nuk ka lindur ende serb i cili do ta jipte Kosovën. Ne nuk e japim Kosovën. Rroftë Serbia".

Por në Serbi e dinë të gjithë që menjëherë pas zgjedhjeve, Marti Ahtsiari do të prezantojë planin e tij për të ardhmen e Kosovës. Bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës kanë sjellë pak rezultate. Shqiptarët në Kosovë, të cilët përbëjnë shumicën e popullatës duan pavarësinë. Serbët e mbetur në Kosovë kërcënojnë se do t'i bashkangjiten Serbisë. Megjithatë është e qartë: Kosova nuk do të qeveriste më nga Beogradi. Ky qëndrim mbështetet edhe nga Gjermania, të gjithë në Serbi e dinë këtë. Por janë të paktë ata që marrin guximin ta thonë këtë.

Presidenti i Serbisë Boris Tadiq është duke bërë fushatë për partinë e tij demokratike. Ai dëshiron afrimin e Serbisë me bashkimin Evropian. Marrëdhëniet aktualisht janë të ngrira, për shkak se Serbia nuk po e arreston ish-gjeneralin Ratko Mlladiq, i cili kërkohet nga Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi. Serbia në këtë mënyrë, sipas pikëpamjeve të Kryeprokurores së Kombeve të Bashkuara Karla del Ponte, nuk është duke bashkëpunuar sa duhet me Tribunalin e Hagës.

Serbia nuk mund të izolohet më, as kur flitet për Kosovën dhe nuk mund të rrezikoj më me luftëra, thotë Tadiq. "Serbia do të zhvillojë një luftë diplomatike dhe juridike për Kosovën, por me siguri jo luftë të vërtetë. Kjo për faktin se qytetarëve të Serbisë nuk ju duhet më lufta. Ne nuk mund të durojmë më shkatërrimin e potencialeve ekonomike për shkak se kështu do të zhduknim shanset e ardhmërisë për të gjitha gjeneratat", thekson Tadiq.

Tadiqi është kandidati i preferuar për shumë vëzhgues ndërkombëtarë. Partia e tij demokratike është edhe konkurrenti kryesor në zgjedhje i partisë radikale të të burgosurit në Hagë, Vojisllav Sheshel. Ushtruesi i detyrës, kandidati kryesor i radikalëve Tomislav Nikoliq në fushatën elektorale i quan tradhtarë, si presidentin ashtu dhe kryeministrin.

"Në kushtetutën serbe thuhet: Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë. Andaj edhe e kemi miratuar kushtetutën. Tadiq, nëse ti mendon se Kosova do të bëhet e pavarur atëherë ofroje dorëheqjen tënde. Ne nuk duam të shohim më as se si Koshtunica nuk dëshiron të mbroj më Serbinë", thotë Nikoliq.

Kosova, edhe pse që prej vitit 1999 ndodhet nën administrimin ndërkombëtar formalisht është ende i takon Serbisë. Shumë shqiptarë të Kosovës kërcënojnë hapur me dhunë nëse Kosova së shpejti nuk bëhet e pavarur. Për shkak të frikës nga trazirat Bundesvehri gjerman ka dërguar trupa shtesë në Kosovë.

Por edhe në zgjedhjet e Serbisë çështja e Kosovës mbetet në rend të ditës - jo vetëm në Beograd por edhe në Berlin e Bruksel. Megjithatë herdokur Kosova dhe serbia duhet të jenë njëherë pjesë e një Evrope të bashkuar - të paktën këto thuhet të jenë qëllimet e politikanëve gjermanë dhe evropianë.