1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Gjermani: Unioni CDU/CSU dhe FDP fituan shumicën

27 Shtator 2009

Steinmeier pranon humbjen. Merkel entuziaste për mandatin e dytë, kësaj here në koalicion me partneren e preferuar FDP. Të hënën fillojnë negociatat mes partive të Unionit dhe liberalëve

https://p.dw.com/p/JqBR
Angela Merkel, sërish fiton mandatin për kancelareFotografi: AP

Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu knaqësi mbi rezultatin e arritur në këto zgjedhje si dhe për shansin e krijimit të një qeverie mes partive të Unionit (CDU/CSU) dhe liberalëve (FDP).

"Kemi arritur diçka të mrekullueshme. Kemi arritur qëllimin kryesor zgjedhor, për një shumicë të qëndrueshme për krijimin e qeverisë së re. Besoj se sonte mund të festojmë, por shumë shpejt duhet të fillojmë punën, sepse ka shumë probleme që duhen zgjidhur. Ne duam të mbetemi parti popullore edhe në shekullin 21-të. Duam të mbetemi partia më e madhe popullore, ndërsa unë dua të jem kancelare e të gjithë qytetarëve. Unë kam telefonuar me kryetarin e Partisë Liberale, Guido Westerwelle. Nuk kemi biseduar për plane konkrete, por besoj se për këtë do të bisedojmë nesër, sepse vendi duhet të qeveriset", theksoi Merkel.

Deutschland Bundestagswahlen 2009 FDP Guido Westerwelle Flash-Galerie
Guido Westerwelle duke brohoritur për fitoren historike të FDP-sëFotografi: AP

FDP-ja e gatshme për bashkëqeverisje

Kryetari i Partisë liberale Guido Westerwelle është i gatshëm të marrë përsipër përgjegjësi në qeverisjen e vendit. Përpara zgjedhësve që borohorisinin me entuziazëm të dielën në mbrëmje në Berlin ai deklaroi: "Ne duam tani të bashkëqeverisim Gjermaninë". Njëkohësisht ai falenderoi për "rezultatin më të mirë" të FDP-së qysh nga themelimi i Republikës Federale të Gjermanisë.

"Ky rezultat do të thotë një përgjegjësi e madhe. Duhet tani të kujdesemi, që Gjermania të ketë një sistem të drejtë tatimesh dhe shanse më të mira për arsimim. Edhe të drejtat e qytetarit duhet sërish të respektohen më mirë", nënvizoi Westerwelle. Liberalët kanë shansin të kthehen në pushtet, për herë të parë prej vitit 1998.

Deutschland Bundestagswahlen 2009 SPD Pressekonferenz Frank-Walter Steinmeier
Ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier në konferencë shtypi në Berlin pas shpalljes së rezultateve paraprakeFotografi: AP

SPD-ja pranon humbjen

Më e humbura nga zgjedhjet doli Partia Socialdemokrate (SPD), e cila humbi rreth 11 % të votave në krahasim me zgjedhjet e vitit 2005 dhe ra në rezultatin më të dobët të historisë e saj.

Kandidati i partisë social-demokrate (SPD) për kancelar, Frank-Walter Steinmeier e pranoi humbjen në zgjedhjet parlamentare: «Është një ditë e hidhur për SPD-në.", tha ministri i Jashtëm në Berlin. «Atyre u duhet tani të dëshmojnë, se mund t' ia dalin", shtoi Steinmeier pas votimeve të së dielës prej nga pritet një ndryshim i qeverisë me një koalicion mes CDU/CSU dhe liberalëve (FDP). Kandidati i SPD-së për kancelar Frank-Walter Steinmeier, pas dështimit të rëndë të social-demokratëve do të jetë kryetari i opozitës në parlament. Ai deklaroi: «Unë e mora me kënaqësi përgjegjësinë si kandidat kryesor dhe për këtë arësye në këtë mbrëmje të hidhur nuk dua t' i shmangem përgjegjësisë.»

Ndryshe nga ç'kishte pritur opinioni, kryetari i aktual i partisë, Franz Müntefering, nuk e paralajmëroi dorëheqjen nga posti, në të cilin ishte kthyer vetëm një vit më parë, për të ndihmuar socialdemokratët të dilnin nga kriza brenda partiake.

Të gjelbrit, me gjithë rezultatin më të mirë të historisë së tyre, u treguan paksa të zhgënjyer për humbjen e thellë të socialdemokratëve: "Sado të shkëlqyer të jenë të Gjelbrit, ata nuk mund ta kompensojnë rezultatin katastrofal të socialdemokratëve", tha njëri nga dy kandidatët, ish-ministri i Ambientit Jürgen Trittin.

Deutschland Bundestagswahlen 2009 Bundesliga Prognose
Grafiku i rezultateve paraprakeFotografi: AP

Rezultatet paraprake sipas sondazheve

Unioni kristiandemokrat dhe kristiansocial (CDU/CSU) dhe Partia liberale (FDP), sipas vlerësimeve të deritanishme, kanë fituar shumicën e nevojshme për krijimin e një koalicioni të ri qeveritar në Gjermani. Unioni CDU/CSU ka fituar rreth 33,8 %, ndërsa liberalët rreth 14,6 %. Partia socialdemokrate (SPD), ka shënuar rezultatin më të dobët në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Socialdemokratët e kandidatit për kancelar Frank - Walter Steinmeier, kanë fituar vetëm rreth 23,1 % të votave. E Majta doli partia e katërt në Bundeastag me rreth 12,4 %, ndërsa ambjentalistët janë partia e pestë për nga numri i votave me rreth 10,1 % . Pjesëmarrja në votime ishte në nivelin më të ulët që prej themelimit të Republikës Federale të Gjermanisë (1949), me vetëm 72 %.

Gjithsej ishin thirrur të merrnin pjesë në zgjedhjet e 17-ta për parlamentin federal 62,2 milionë gjermanë. Në garë konkurronin gjithsej 27 parti.

Varianti klasik

Rezultati i zgjedhjeve tregoi, se në kohën e krizës gjermanët iu kthyen një koalicioni klasik: Të zinjtë, pra Unionin Kristiandemokrat e Kristiansocial dhe të Verdhët, Liberalët. Këto janë dy partitë që që nga krijimi i Republikës Federale Gjermane në vitin 1949 e kanë pasur më së shumti në dorë timonin e qeverisjes së vendit.

Anila Shuka/Bahri Cani

Redaktoi Vilma Filaj-Ballvora