1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Gjermani - opinione nga shtypi evropian

18 Shtator 2005

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani gjatë kësaj jave kanë qenë temë kryesore e komenteve në periodikun e vendeve evropiane.

https://p.dw.com/p/Artl
Fotografi: Bilderbox

E përditshmja zvicerane "Tages Anzeiger" bën një bilanc të fushatës elektorale: "Javët e luftës elektorale treguan edhe një herë në mënyrë të ashpër dhe të dhimbshme nga se vuan Gjermania. Nuk janë socialdemokratët dhe të gjelbrit ata që e kanë sjellë vendin në gjendjen e paralizës, siç preferojnë të komentojnë politikanët e unionit konservator. Eshtë një politikë që llumin, zhallamahinë dhe luftën për pushtet i ka nxjerrë si detyra kryesore duke i zgjidhur problemet si nëpër të, në rast se nuk do t´i shtyjë më ato. Gjermania ka përjetuar një luftë elektorale, në të cilën politikanët janë marrë më shumë me ofendimin ndaj zgjedhësve, me njollat e djersës dhe me ngatërrimin e brutos me neton, se sa me faktin që arka e pensioneve po zbrazet", komenton zvicerania "Tages Anzeiger".

Edhe gazeta tjetër e Zvicrës "Basler Zeitung" ndalet në të njëjtin aspekt: "Pasi të shpërndahet mjegulla e fazës së fundit të luftës së tensionuar elektorale, zgjedhësit do ta kuptojnë, se politikanët, institutet e studimeve demoskopike dhe mediet kanë paraqitur një tabllo fushë me lule që në realitet nuk ekziston. Pavarësisht se kush qeveris, Shrëderi apo Merkeli, dhe pavarësisht se në çfarë koalicioni, kushtet konkrete - arkat e zbrazura, plakja e shoqërisë, pasojat e globalizimit për kapitalin dhe punën - do t´ia ngushtojnë hapësirën e veprimit cilidto qoftë. Qeveria nuk do t´i shpëtojë faktit që shumicës së gjermanëve do t´u duhet të shtrngojnë rripin fort duke hequr dorë nga pretendimet e tyre", tërheq vëmendjen "Basler Zeitung".

Francezja "La Croix" i referohet rezultatit ende të hapur të votimeve: "Në Evropë kushdo që do të zbatojë reformat, fillimisht duhet të krijojë bindjen që ato janë absolutisht të domosdoshme dhe përveç kësaj duhet të tregojë, se rezultatet e tyre do të përpjestohen në mënyrë të drejtë. E meqenëse Gerhard Shrëderi nuk ia doli ta bëjë këtë padyshim që ai do t´i humbasë zgjedhjet, por ndoshta as Angela Merkel nuk do t´i fitojë ato", nënvizon francezja "Le Corix".

Komentatorët i kushtojnë vëmendje edhe opcionit të një koalicioni të madh mes socialdmeokratëve dhe kristjandmeokratëve në Gjermani. Gazeta suedeze "Svenska Dagbladet" i kërkon kandidates për kancelare të unionit konservator të jetë e guximshme për ndryshimin e kursit: "Duket sikur Angela Merkel do të jetë kancelarja e ardhëshme. Në të kundërt krejt e pasigurt duket, nëse gjermanët do ta shfrytëszojnë shansin për ta çuar përpara kursin e reformave. ... Alternativa e një koalicioni të madh mes kristjandemokratëve dhe socialdemokratëve si zgjidhje nga halli nuk ofron asgjë, por duket se po josh gjithnjë e më shumë zgjedhës. Një alternativë e tillë bart me vete rrezikun e një bllokade reciproke në vend që të japë një ritëm qoftë edhe mesatar për ecurinë e reformave. E një gjë e tillë nuk i duhet as Gjermanisë dhe as Evropës. Guximi politik i Merkelit duhet të bëhet një shembull frymëzues në mënyrë që jo të gjitha rrugët të çojnë drejt mesit", vëren suedezja "Svenska Dagbladet".

E përditshmja britanike "The daily Thelegraph" lidhur me koalicionin e madh ka këtë mendim: "Ky do të ishte si një recetë për stanjacion. Vitet e Shrëderit treguan, se konsensusi politik i socialdemokratëve nuk mjaftoi për t´u bërë ballë sfidave të kohës sonë. Le të shpresojmë që tani do të fitojë bindja, se ndryshimi është i nevojshëm", komenton "The daily Thelegraph".

Së fundi edhe një citat nga komenti i vjenezes "Der Standrad" që ka në fokus të ardhmen e kandidates për kancelare Angela Merkel: "Të djelën në mbrëmje gjermanët do ta mësojnë, se drejt cilit konsetelacion po shkon Berlini. Paskëtaj edhe Merkeli do të jetë e sigurtë nëse është fituesja e këtyre zgjedhjeve, apo ajo që i ka humbur ato. Ajo e ka të qartë, se shefi i kristjansocialëve në Bavari, Edmund Shtojber dhe të gjithë të mëdhenjtë e tjerë të partisë, që kohët e fundit u treguan aq të dashur dhe të njerëzishëm me të, presin kthimin e koalicionit koservator me liberalët. Vetëm nëse i dilet që socialdemokratët të ulen në bankën e opozitës mund të thuhet vërtetë që Angela Merkel ka fituar", nënvizon austriakja "Der Standard".