1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Gjermani & PDS, riemërtohet partia e së majtës & Turqia dhe terrori & Rekordet e çmimit të naftës

VFB18 Korrik 2005

Në shtypin gjerman komentohen dy tema të rëndësishme të politikës së brendëshme: vendimi i presidentit për zgjedhjet e parakohshme si dhe ripagëzimi i partisë së socializmit demokratik (PDS) në parti e së majtës. Sa u përket temave ndërkombëtare analistët i referohen terrorit në Turqi dhe çmimit rekord të naftës.

https://p.dw.com/p/Aruc
Kongresi i PDS-ë, sot parti e së majtës
Kongresi i PDS-ë, sot parti e së majtësFotografi: AP

Mbi politikën e brendëshme gjermane dhe vendimin që pritet nga presidenti për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme e përditshmja "Bild" komenton: "Mjaft është replikuar deri më sot ...! Tani është presidenti ai që duhet të vendosë. Horst Këler deri tani çdo gjë e ka bërë siç duhet: ai nuk ka lejuar që t´ia shohin kartat dhe e ka përgatitur me shumë kujdes votën e tij. Ai e di, se këtu s´kemi të bëjmë në rradhë të parë me sensibilitetin juridik të kushtetuesve, por kemi të bëjmë me fakte! E këto janë: të gjithë duan zgjedhje të reja! Shumica e Bundestagut, partitë, qeveritë e landeve, por ajo që është më e rëndësishmja: edhe vet qytetarët! Ndaj gjithçka tjetër veç zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do ta çonte Gjermaninë drejt një kaosi politik. Këtë nuk e dëshiron askush, as gjykata kushtetuese dhe as presidenti", komenton "Bild".

Në valën e përgatitjeve për zgjedhje të parakohshme partia e socializmit demokratik, pasardhëse e ish-partisë së bashkuar socialiste në RDGJ, në kongresin e saj vendosi për një emërtim të ri: partia e së majtës. "Süddeutsche Zeitung" lidhur me këtë komenton: "Përpara një viti artikujt mbi partinë e majtë hapeshin me fjalinë: "Sërish po vjen rrotull një fantazëm". Kjo fantazëm tashmë është materializuar, ajo po rritet shumë shpejt, ka dy kokë dhe kërkon të përfaqësohet në parlamentin e ardhshëm. Ajo që të habit është fakti, se sa shumë po ia arrin ajo që të vërë në lëvizje: Programet e socialdemokratëve dhe të ekologjistëve do të ishin krejt ndryshe pa këtë parti. Shpresa e socialdemokratëve se me zgjedhjet e parakohshme do të pengohej organizimi i gjithë së majtës, doli bllof. Përkundrazi presioni kohor i ka shmangur të gjitha rezervat, që mund të kish pasur midis dy partive tashmë në aleancë: partisë së socializmit demokratik dhe lëvizjes së sapokrijuar alternativa elektorale për drejtësinë sociale. ... Partia e së majtës po rrezikon tani edhe koalicionin e planifikuar mes kristjandemokratëve dhe liberalëve", analizon "Süddeutsche Zeitung".


Gazeta "Mitteldeutsche Zeitung" vëren: "Fakti që partia e së majtës po përjeton një hov të shpejtë ka të bëjë me dy arësye: Së pari: partia socialdemokrate dhe ekologjistët në pushtet me politikën e tyre sociale shkatërrimtare kanë hapur një hapësirë të mëtejshme majtas. Së dyti: deri tani projekti i ri i së majtës nuk ka zhgënjyer askënd, ndaj ai vazhdon të jetojë prej indinjatës së shumë qytetarëve që deri më sot shpresonin përmirësime. Nëse të tilla shpresa mund të bëhen realitet, kjo do të duket qysh në luftën elektorale, por më së miri pas zgjedhjeve kur të qetësohen gjakrat. Por sidoqoftë, ndërkohë të majtët janë me prejardhje nga më të ndryshmet, të dalësh jashtë vetes për të kapërcyer jo ndonjë mosmarrëveshje të vogël, por për të nxjerrë në pah të përbashkëtat thelbësore është një punë kurrësesi e vetëkuptueshme, paçka se ç´flitet për të", nënvizon "Mitteldeutsche Zeitung".

Sa i përket sulmit në Turqi gazeta "Stuttgarter Zeitung" komenton: "Prej kohësh ish shuar nga vetëdija konflikti i kurdëve. Ndaj politikanët, biznesmenët dhe turistët tregoheshin mëse të çlirët, qëkurse luftëtarët e partisë punëtore kurde verën e vitit të shkuar shpallën vullnetarisht armëpushimin. Konflikti i përgjakshëm, që deri më sot u ka kushtuar jetën mbi 300.000 njerëzve, dukej se i përkiste së shkuarës. Por kjo qe një bindje mashtruese siç tregoi edhe sulmi i fundit në Turqi", shkruan "Stuttgarter Zeitung".

Gazeta "Main Post" komenton rekordet e njëpasnjëshme të çmimit të naftës: "Çmimi i naftës po ngjitet nga rekordi në rekord, benzina, dizeli dhe gazi janë shtrenjtuar si asnjëherë tjetër. Mos vallë ndodhemi në prag të një krize të re të naftës? Përgjigja është; jo, sepse ne ndërkohë ndodhemi në etapën e fillimit të fundit të epokës së naftës. E megjtihatë nuk janë vetëm pasiguria politike dhe rritja mbarëbotërore çdo vit me 3% e kërkesës për arin e zi që influencojnë që nafta të mos ketë më kurrë kosto të favorshme. Shumë shpejt do të përjetojmë në realitet parashikimet e viteve 80 e 90 që ekspertët asokohe i injoronin si vizione të zbehta të së ardhmes: se nafta ngadalë por në mënyrë të sigurt po pakësohet", nënvizon "Main Post".