1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet lokale në RMV - intensifikohet fushata

12 Tetor 2021

Partitë politike dhe kandidatët e pavarur pjesëmarrës në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut po intensifikojnë fushatën zgjedhore.

https://p.dw.com/p/41Y0E
Nordmazedonien Parlamentswahl in Skopje
Fotografi: DW/P. Stojanovski

Partitë politike dhe kandidatët e pavarur në zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Maqedoninë e Veriut kanë shpalosur programet e tyre për të fituar besimin e qytetarëve për qeverisjen e komunave në katër vitet e ardhshme. Gara më e ashpër për pushtetin vendor zhvillohet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së në bllokun politik maqedonas dhe BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët-Alternativa në bllokun politik shqiptar. Në këto zgjedhje për 80 komuna dhe qytetin e Skkupit garojnë 301 kandidatë.

Koalicionet parazgjedhore ndëretnike risi e këtyre zgjedhjeve

Krijimi për herë të parë i koalicioneve parazgjedhore mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, sipas njohësve të rrethanave politike ka pamundësuar hapjen e temave etnike andaj në fushatë kanë dominuar çështjet elementare-realizimi i projekteve për ujë të pijshëm, kanalizim, mbeturinat, infrastruktura rrugore dhe mjedisi i pastër.

Mazedonien Rentner QUALITÄT SCHLECHT KEIN AUFMACHERBILD
Fotografi: DW/S. Toevski

Analisti Ibrahim Mehmeti thotë se qytetarët po kërkojnë nga partitë politike që në zgjedhjet lokale të prezantojnë projekte konkrete dhe jo projekte grandioze, të cilat nuk përkojnë me mundësitë që ofron buxheti komunal. "Votuesit kanë filluar të bëjnë dallim mes projekteve të realizueshme dhe premtimeve boshe. Votuesit, besoj se tani do të orientohen nga ata kandidatë që do të flasin për projekte konkrete në përputhje me mundësitë që kanë komunat”, thotë Ibrahimi.

Profesor Isak Sherifi thotë se këto zgjedhje nuk dallojnë shumë nga zgjedhjet e kaluara lokale. Përveç temave lokale subjektet politike në të shumtën e rasteve përzgjedhin edhe tema politike qendrore.

Nordmazedonien Kommunalwahlen
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

"Në RMV po zhvillohet një fushatë ku ndeshen koncepti qeveritar dhe ai opozitar për qeverisjen lokale. Po të analizohen ofertat e tyre, këto janë relative kundrejt kërkesave të mëdha që kanë komunat në nivel vendi”, shprehet Sherifi.

Politologu Xhenur Iseni është i mendimit, se kësaj radhe për dallim nga ciklet e kaluara zgjedhore  gara në përgjithësi duket e qetë dhe karakterizohet me uljen e fjalorit nacionalist. Për dallim nga partitë politike maqedonase, tke ato shqiptare mungojnë programet zgjedhore, ose edhe nëse partitë i kanë, ato nuk po i prezentojnë sa duhet.

"Programet janë shumë të zbehta në taborrin politik shqiptar. Mendoj se votuesit, motiv kryesor për të votuar do të kenë farefisninë, miqësin, strukturën partiake por jo edhe për shkak të mbështetjes së një programi politik, sepse ato në një farë mënyre nuk ekzistojnë”, deklaron politikologu Xhenur Iseni. 

Humbja e besimit tek premtimet

Qytetarët janë skeptikë se partitë do t'i plotësojnë të gjitha premtimet që japin në fushatë. Thonë se nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara, shumica e premtimeve nuk realizohen ose ato fillojnë të realizohen vetëm kur zgjedhjet afrohen. 

Nordmazedonien Kommunalwahlen
Danela Arsovska, kadidate e VMRO-DPMNEFotografi: Petr Stojanovski/DW

"Asnjë premtim nuk e realizojnë, i harrojnë gjithmonë fillojnë prej fillimit dhe vetëm rikujtojnë nga ndonjë gënjeshtër të rradhës, asgjë tjetër”. "Pa marrë parasysh se prej cilave parti politike vijnë premtimet, nuk besoj. Nga ajo që shoh dhe dëgjoj nuk përkon me realitetin po dëgjojmë përralla”.

Kur kanë qenë reale premtimet e politikanëve, asnjëherë. Nuk shikoj as televizion nuk më interesojnë”.

"Nga këto zgjedhje pres të fitojë më i miri, ajo është kryesorja të punoj për qytetarin”, shprehen qytetarët e anketuar nga DW.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit për herë të parë do të përdoren pajisje për identifikimin biometrik të votuesve.K jo synon të avancojë procesin përmes digjitalizimit dhe automatizimit të një pjese të procedurës, tha Aleksandar Dashtevski kryetar i KSHZ-së.

"Votuesi identitetin personal e dëshmon edhe me gjurmë gishti. Votuesi nuk mund të votojë nëse gjurma e gishtave nuk përputhet me gjurmën e gishtave në listën e zgjedhësve, megjithëse gjendet në listën e zgjedhësve”, thotë Dashtevski.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut