1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet lokale në Prishtinë - do të ketë shtyrje?

29 Prill 2009

Në Kosovë akoma nuk është arritur të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Mosfillimi i procesit të decentralizimit dhe shtyrja e regjistrimit mund të jenë shkak që zgjedhjet lokale të shtyhen.

https://p.dw.com/p/HgXf
Fotografi: picture-alliance/dpa

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, shumë shpejt do të mbledhë në një tavolinë përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike në Kosovë, për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Më herët ishte thënë se zgjedhjet lokale do të mbahen në vjeshtë të këtij viti, mirëpo, mund të ndodhë që ato të shtyhen, për shkak të mosfillimit të procesit të decentralizimit dhe poashtu për shkak të mosfillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë.

Të dyja proceset ndërlidhen me zgjedhjet, sepse bëhet fjalë për zgjedhje komunale dhe për numër të votuesve. Çështja e mbajtjes së zgjedhjeve lokale ka mbetur të diskutohet edhe më Zyrën Civile Ndërkombëtare, e cila mbikqyr zbatimin e planit të Marti Ahtisarit. Deputetët e partive politike në pushtet, thonë se nuk ka ndonjë arsye që të shtyhet data e mbajtes së zgjedhjeve, mirëpo edhe nëse ndodhë që të ketë një shtyrje të lehtë, sipas tyre nuk do të paraqes ndonjë problem. Ismet Beqiri, është deputet i LDK-së:

“Mund të jenë një, dy apo tre muaj, që të shtyhen, kjo nuk çon peshë, por mendoj se nuk ka arsye as për këta dy-tre muaj që të shtyhen. Është me rëndësi që të respektohen afatet dhe të mos ndeshen mandatet”, thotë Ismet Beqiri.

Deputetët e opozitës nga ana e tyre janë kategorikë, që nuk duhet të ketë shtyrje të zgjedhjeve lokale. Ibrahim Makolli, është nga AKR-së:

“Ekzistojnë arsyet në bazë të Kushtetutës se kur mund të shtyhen zgjedhjet dhe në Kosovë, për fat të mirë, nuk kemi gjendje të jashtëzakonshme. Madje, unë konsideroj se jo që nuk ka nevojë të shtyhen zgjedhjet, por duhet rishikuar mundësitë që këto zgjedhje të mbahen para afatit të caktuar, për shkak të shumë defekteve që tashmë janë shkaktuar sa i përket qeverisjes lokale”, thotë Ibrahim Makolli.

Sidoqoftë, përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale tashmë ka kohë që kanë filluar. Mirëpo, akoma nuk është arritur që të emërohen të gjithë anëtarët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. E gjithë kjo për shkak të mospajtimeve ndërmjet subjekteve politike. Zyrtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunin në Evropë, OSBE-së, janë shprehur se ata kanë vërejtur tendenca për ndikime politike në KQZ, mekanizëm ky që sipas tyre nuk duhet të jetë i ndikuar nga politika. Elli Flenn, është zëdhënëse e OSBE-së:

“Ne shohim se ende ka gjëra për t'u bërë në aspektin e ndërtimit të kapaciteteve në KQZ. Ky institucion akoma duhet të përmirësohet dhe ne inkurajojmë udhëheqësit politikë të angazhohen në këtë proces dhe ta marrin atë seriozisht, sepse kemi pasur raste ku kemi vërejtur shenja të politizimit. Është shumë e rëndësishme që puna e KQZ-së të mbetet e pavarur, meqë, në fakt, është njëri ndër institucionet më të rëndësishme në Kosovë”, thotë zëdhënësja, Elli Flenn.

Zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë janë zhvilluar në vitin 2007, së bashku me zgjedhjet e përgjithshme, pak muaj para se të shpallej pavarësia e vendit. Këto zgjedhje u bojkotuan nga serbët lokalë, të cilët përfillën kërkesën e Beogradit zyrtar për të mos marrë pjesë.

Përfaqësues të serbëve të Kosovës thonë se tash ata janë duke pritur udhëzime nga Beogradi, edhe pse qysh tash janë deklaruar se zgjedhjet në Kosovë duhet të organizohen nga një mekanizëm ndërkombëtar dhe jo nga institucionet e Republikës së Kosovës. Mirëpo, në këtë pikë gjërat janë të qarta. Zgjedhjet pas shpalljes së pavarësisë do të organizohen nga institucionet e Kosovës sepse kështu e parasheh Kushtetuta e vendit.

Autor: Bekim Shehu/Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi