1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet komunale serbe në Mitrovicë

27 Maj 2010

Serbia zhvillon të dielën zgjedhjet lokale për komunën e veriut të Mitrovicës, në Kosovë. Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit e BE-së i vlerësojnë këto zgjedhje të jashtëligjshme.

https://p.dw.com/p/NYgK
Zgjedhjet në Kosovë, 2009
Zgjedhjet në Kosovë, 2009Fotografi: picture-alliance / dpa

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe Zyrës civile ndërkombëtare, thonë se zgjedhjet lokale serbe në veri të Mitrovicës, të organizuara nga Serbia ditën e dielë, janë të kundërligjshme dhe se rezultatet e tyre nuk do të njihen.

Zgjedhje jolegjitime

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci, thotë se me organizimin e zgjedhjeve në veri të Mitrovicës, Serbia sa po thellon hendekun në raportet Kosovë-Serbi dhe po rëndon pozitën e pakicës serbe në Kosovë. "Ju e dini që ne kemi pranuar dhe kemi bërë kompromise në kuptimin e decentralizimit, me krijimin e komunave të reja në pjesë të tjera të Kosovës dhe kjo ka pasur dy qëllime. Qëllimi i parë ishte që tu jepet e drejta etnike qytetarëve serbë dhe ata ta ndjejnë vetën pjesë të pushtetit dhe shtetit të Kosovës. Dhe e dyta, kemi bërë kompromis me qëllim të shtrirjes së autoritetit në veri të Kosovës. Kjo e dyta nuk po ndodh. Pra qëndrimi i qeverisë së Kosovës është së zgjedhjet lokale serbe në veri të Mitrovicës, nuk kanë fuqi juridike dhe nuk kanë legjitimitet demokratik dhe nuk do të jenë partner as të vendorëve e as të ndërkombëtarëve," thotë Hajredin Kuci.

Vazhdojnë përgatitjet për komunën e re të Mitrovicës së Veriut

Ndërkohë, zyra civile ndërkombëtare, nëpërmes një letre elektronike i tha DW-së, se të vetmet zgjedhje legjitime në veri të Mitrovicës cilësohen ato që organizohen nga institucionet e Kosovës. Zëdhënësi i kësaj zyreje, Kai Muller Berner, thotë se: "Në partneritet me qeverinë e Kosovës, ne jemi duke vazhduar përgatitjet për komunën e re të Mitrovicës së Veriut që do t`iu mundësojë qytetarëve të saj ndikim të vërtetë mbi çështjet që i preokupojnë më shumë, dhe e tërë kjo e bazuar në një sistem me standardet më të larta ndërkombëtare. Ekipi Përgatitor Komunal vazhdon të punojë në detyrat e tij për përgatitjen e komunës së re të Mitrovicës së Veriut. Ato janë të vetmet zgjedhje legjitime për atë komunë," thotë zëdhënësi Kai Muller Berner.

Më mirë të zgjedhurit se sa të emëruarit

Mirëpo, Oliver Ivanoviq, Sekretar shteti në ministrinë serbe për Kosovën dhe kandidat për kryetar të komunës veriore të Mitrovicës, i tha DW-së, se të zgjedhurit serbë nga zgjedhjet e të dielës do të jenë partnerë në bisedime me faktorin ndërkombëtar. "Kundërshtimin e institucioneve të Kosovës mund ta kuptoj, sepse kjo e dëmton planin e tyre për veriun, sepse njerëzit e zgjedhur në veri dhe pushteti funksional lokal në veri do të pamundësojë çfarëdo plani tjetër, përfshirë edhe planin e institucioneve të Kosovës për Mitrovicën dhe komunat veriore. Nga ana tjetër përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare nuk mund t`u kundërvihen këtyre zgjedhjeve dhe as nuk po u kundërvihen. Ata nuk i mbështesin, por as nuk i vënë në pikëpyetje. Me dikë do të detyrohen të bisedojnë," thotë Oliver Ivanoviq. Ai thotë se komuniteti ndërkombëtar më përpara do të bisedojë me dikë që është i zgjedhur, sesa me disa njerëz që mund të jenë të emëruar, siç veprohet deri tash.

Sidoqoftë, qeveria e Kosovës nuk do të ndërmarrë ndonjë veprim që të parandalojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në veri të Mitrovicës. Zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuci, thotë se përdorimi i forcës nuk është në logjikën e qeverisë së Kosovës, mirëpo u bënë thirrje serbëve të veriut që mos të marrin pjesë në zgjedhjet e ditës së diel.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama