1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

“Shqipëria ka nevojë për qarkullim të elitave politike”

7 Shtator 2020

Në Shqipëri zgjidhet parlamenti i ri më 25 prill 2021. Si rezultat i Reformës Zgjedhore votimi bëhet me lista të hapura. Eksperti Kume: “Listat e hapura mundësi reale të realizohet vullneti i zgjedhësve për kandidatët”.

https://p.dw.com/p/3i6Xf
Albanien Wahlen Wähler Wahllokal Wahlurne 23.06.2013
Fotografi: Reuters

Qytetarët e Shqipërisë do të zgjedhin me votën e tyre në pranverën e vitit që vjen, më 25 prill, qeverinë dhe parlamentin e ri që do drejtojnë vendin për katër vjet.

Presidenti I Republikës së Shqipërisë Ilir Meta dekretoi të dielën, (6.09) 25 prillin e vitit të ardhshëm si datën e zgjedhjeve parlamentare 2021, pas konsultimesh me të gjitha forcat politike që do të marrin pjesë.

Parlamentaret 2021 janë zgjedhjet e  dhjeta të përgjithshme demokratike në Shqipërinë post- komuniste.

Më 2021 votim me lista të hapura

Zgjedhjet parlamentare, që do të vitin e ardhëshëm, janë të parat që do të kryhen me ndryshime kushtetuese në Kodin Zgjedhor, si rezultat i Reformës Zgjedhore.

Risitë në Kodin Zgjedhor, që pritet të jetësohen më 25 prill 2021, janë listat e hapura të kandidatëve për deputetë dhe riformatimi i koalicioneve parazgjedhore.

Në sajë të listave të hapura, qytetarët e Shqipërisë do të kenë mundësi të votojnë jo vetëm për forcën politike që preferojnë por edhe për emrin e kandidatit për deputet që ata dëshirojnë të jetë anëtar i parlamentit të  ri, gjë që pa ndryshimin përkatës në Kodin Zgjedhor do të ishte e pamundur.

Eksperti për sistemet zgjedhore, Kristaq Kume, shpjegon për DW domethënien e votimit me lista të hapura.

"Renditja e kandidatëve në listat e partive politike, në fund të procesit zgjedhor do të bëhet sipas votave dhe preferencave të shprehura për kandidatët nga zgjedhësit. Kjo do të thotë që, mund të ndodhë që kandidati i vendosur nga partia në fund të listës, të marrë mandatin e deputetit, sepse kështu dëshërojnë zgjedhësit. Duke votuar me lista te hapura, krijohet mundësia reale që të realizohet vullneti i zgjedhësve për kandidatët që ata dëshërojnë t`i përfaqësojnë në parlament, vullnet përmes  votës së tyre preferenciale në kutitë e votimit.  Kjo  rrit mundësinë që në parlament të shkojnë, sipas gjykimit të qytetarëve, më të mirët që kandidojnë,” thotë eksperti Kristaq Kume.

Ai thekson se "votimi me lista të hapura do të krijojë kushte reale për funksionimin më efektiv dhe rritje të demokracisë përfaqësuese në Shqipëri”.  

Me riformatimin e koalicioneve parazgjedhore në Parlamentaret 2021 forcat politike, që do bëjnë pjesë në një koalicion do të garojnë me një listë të përbashkët kandidatësh për deputetë.

Ndryshimet e sipërpërmendura të sistemit zgjedhor bashkë me reformimin e strukturës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe identifikimin elektronik të votuesve përmbyllin fazën  e parë të  reformës zgjedhore, e cila përbën një nga kushtet prioritare të Bundestagut gjerman që Shqipëria duhet të plotësojë për  hapjen e negociatave të  pranimit në BE.

Shanse për prurje të reja politike

Që prej 24 vitesh në Shqipëri rotacionin e pushtetit, përmes votës së qytetarëve në zgjedhjet parlamentare, kanë bërë dy forcat e mëdha politike: Partia Socialiste, (PS) dhe Partia Demokratike, (PD). Që të dyja  kanë qeverisur me dy mandate katërvjeꞔare dhe kanë qenë në opozitë sejcila për 8 vite rrjesht.  Me Parlamentaret 2021, PS synon të fitojë mandatin e tretë qeverisës kurse PD të rivijë në pushtet. Ndërkohë opozita parlamentare ka njoftuar krijimin e dy partive të reja që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Gara elektorale 2021 me lista të hapura kandidatësh për deputetë krijon shanse për prurje të reja politike.

"Shqipëria ka nevojë për qarkullim të elitave politike. Jemi në momentin kur në procesin e zhvillimit demokratik të vendit dhe shoqërisë duhet të realizohet hop cilësor. Këtë e kanë të vështirë ta bëjnë kryesisht dhe vetëm partitë që kanë rreth tridhjetë vite që funksionojnë në Shqipëri. Janë të nevojshme forca dhe enegji të reja politike” thotë për DW, Kristaq Kume.

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana