1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje të parakohshme në Britaninë e Madhe

29 Tetor 2019

Britania e Madhe shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme në dhjetor, laburistët nuk e penguan të martën ligjin për shpalljen e zgjedhjeve të reja. Më parë BE e zgjati afatin e Brexit edhe me tre muaj të tjerë.

https://p.dw.com/p/3S7mc
England Unterhaus London Brexit
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/UK Parliament/Jessica Taylor

Kush e hap gojën shumë, duhet të dijë të presë edhe kundërgoditjet. Kryeministri britanik, Boris Johnson tha në shtator, se ai do të donte më mirë të ishte i vdekur në një gropë në rrugë se të kërkonte shtyrjen edhe njëherë të Brexit. Por edhe 31 tetori, që do ta nxirrte vendin nga Bashkimi Europian u anulua si datë.

"Flextension", kështu quhet koncepti i ri, me të cilin BE argumentoi të hënën shtyrjen për herë të dytë të Brexit. Ai do të mund t'u sigurojë britanikëve një dalje me fleksibilitet, e mundur në datën e parë të çdo muaji, për sa kohë që marrëveshja e daljes nga BE konfirmohet në parlament dhe ratifikohet. Nuk dihet, nëse kjo ofertë e BE është bërë për t'i dhënë më shumë guxim Boris Johnsonit ta provojë edhe njëherë  miratimin në parlament, apo është bërë për t'ia bërë të qartë atij situatën e koklavitur, në të cilën ndodhet.

Pas takimeve intensive diplomatike me qeverinë franceze, Parisi u tërhoq nga rezervat që kishte kundër shtyrjes së afatit. Fakti që në Londër po duken shenjat për zgjedhje të parakohshme, e ka përshpejtuar vendimin në Paris. BE gjithmonë ka thënë, se një referendum i dytë apo zgjedhjet janë arsye të pranueshme për zgjatjen rishtazi të afatit të Brexit. Megjithëse Brukseli dhe kryeqytetet e tjera europine janë lodhur me të, europianët e shohin veten në pozicionin e rehatshëm të vëzhguesit të dramës së Brexit, pa qenë në fund fajtor.

Në Dhomën e Ulët sërish kryeministri Johnson pësoi një humbje. Deputetët laburistë abstenuan dhe qeveria nuk mundi të mobilizojë dy të tretat e kërkuara për të shpallur zgjedhjet e reja para krishtlindjeve.

(akt.)

Por të martën, laburistët ranë dakord të mbështesin ligjin e sjellë nga kryeministri Johnson për zgjedhje të reja. Tani pritet që zgjedhjet në Britaninë e Madhe të zhvillohen më 12 dhjetor. Kryeministri Johnson arriti qëllimin e tij për zgjedhje para krishtlindjeve, por edhe kjo rrugë përmban rreziqe për të, shkruajnë mediat.

Para vendimit për zgjedhje të reja

Boris Johnson më parë e akuzoi në parlament partinë më të madhe opozitare për frikë para gjykimit të votuesve dhe deklaroi se "koha e këtij parlamenti ka skaduar", kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn nuk reagoi.

Großbritannien Brexit Symbolbild
Fotografi: Getty Images/AFP/T. Akmen

Megjithëse partia laburiste i referohet mungesës së besimit tek kryeministri, kjo parti ka rezultate shumë të dobta në sondazhe, afër 10% pas konservatorëve. Edhe në vlerësimin që iu bëhet politikanëve, Jeremy Corbyn qëndron shumë pas Boris Johnsonit, megjithëse shumë vetë nuk besojnë tek kryeministri dhe i japin atij notë të dobët. Laburistët me Corbyn ndodhen në një gjendje të vështirë dhe përpiqen t'i shtyjnë sa të munden zgjedhjet e reja. "Gjelat e detit nuk votojnë për krishtlindje" tallet pala kundërshtare në Dhomën e Ulët, sepse shumë deputetë laburistë duhet vërtet të tremben për mandatin e tyre.

Roli i partive të vogla

Zgjedhjet e reja i mbështetin edhe dy parti të vogla opozitare, liberalët dhe partisë skoceze, SNP. Por motivimi që i shtyn këto parti tek zgjedhjet e reja është diametralisht i kundërt me atë të kryeministrit. Partitë e vogla opozitare duan ta heqin nga axhenda ligjin e Brexit, që kryeministri të mos futet në fushatë si hero. Liberalët janë proeuropianë dhe nuk e duan daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Edhe partia skoceze, SNP i bashkohet kësaj. Skocia votoi në vitin 2016 kundër Brexit, do të mbesë në BE, dhe është ndërkohë duke u përgatitur për një referendum të ri për pavarësinë. Gati gjyma e skocezëve kërkon pavarësimin nga mbretëria.

Großbritannien London Parlament Brexit
Fotografi: picture-alliance/empics/House of Commons

Mbështetjen e opozitës, kryeministri nuk e merr pa asnjë shpërblim. SNP për shembull kërkon që të lejohen të votojnë edhe 16 e 17 vjeçarët si edhe qytetarët e BE. Kjo do ta ndikonte rezultatin e zgjedhjeve qartësisht në drejtim të partive proeuropiane. Se si do të dalë Boris Johnson nga kjo gjendje është e paqartë. Atij i duhet të bëjë lëshime që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme para krishtlindjeve. Sepse koha nuk pret. Do duhej që parlamenti të shpërndahej të hënën e ardhshme, në mënyrë që të respektohej afati për të zhvilluar zgjedhje në javën e dytë të dhjetorit.

Plane me rreziqe

Me kursin e tij për zgjedhje të reja, Boris Johnson i futet një rreziku të madh. Vërtet konservatorët në sondazhe kryesojnë, por në vitet e fundit, insitutet e oponionit publik shpesh kanë gabuar në parashikime e madje rëndë. Sistemi zgjedhor britanik i bën të vështira parashikimet. Edhe ujditë në fushatën zgjedhore mes laburistëve dhe liberalëve dot 'i bënin të vështira zhvillimet. Përveç kësaj gati 50% e votuesve britanikë janë të pavendosur dhe nuk dihet, nëse ata do ta ndëshkonin Boris Johnsonin për dështimin e mosnxjerrjes së vendit nga BE më 31 tetor, apo do t'i japin besimin, dhe ai me një shumicë të re, të mund të kalojë në parlament ligjin e Brexit.