Zgjedhje presidenciale në Kroaci: Shou në vend të politikës | Evropa | DW | 22.12.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Zgjedhje presidenciale në Kroaci: Shou në vend të politikës

Të dielën kroatët zgjedhin kreun e ri të shtetit. Ende është e hapur, se cili kandidat kalon në balotazh. Sido që të jetë politika e Kroacisë nuk ka për të ndryshuar shumë.

Gjestet emocionale, shprehja e patosit kombëtar-patriotik janë të zakonshme për presidenten kroate, Kolinda Grabar-Kitarović. Ajo gjithmonë do të dëshmojë afrinë me popullin, dashurinë e saj të pafund për vendin. Kujtojmë pamjet e paharrueshme të Kampionatit Botëror vitin e kaluar, kur ajo me javë u prezantua si një tifoze e zjarrtë e ekipit kombëtar kroat, e veshur me ngjyrat e bardha e të kuqe, si lojtarët e kombëtares e me fytyrë të qeshur.

As lotët e saj para kamerave gjatë një vizite në Vukovar nuk i harron kush në Kroaci, një qytet që në vitet e luftës, vitet 90-të gati u shkatërrua i gjithi. Publikun e saj ajo e përshëndet me dëshirë më fjalët: „Përshëndes çdo zemër që rreh për Kroacinë tonë të mrekullueshme, dhe çdo shpirt që jeton për këtë vend."

Politika si shou

Paraqitje të tilla publike, kaq emocionale, nuk zhvillohen vetëm për shkak të fushatës aktuale presidenciale, thotë Žarko Puhovski, analist politik nga Zagrebi. „Në 5 vitet e presidencës së saj, Grabar-Kitarović nga funksioni i saj si presidente kroate zhvilloi një shou, një telenovelë pa fund.”

Që në fillim ajo kërkoi të afrohej me figurat e njohura kroate, qofshin lojtarë futbolli, aktorë apo këngëtarë", thotë Puhovski. Vetëm në kohët e fundit, ajo u përpoq të tregojë më shumë distancë me partinë nga vjen, „Bashkësia Demokratike Kroate", HDZ. Por edhe këtë tentativë e la, kur kuptoi, se ka nevojë për mbështetjen e partisë për t'u zgjedhur sërish. „Në këtë kuptim ajo ka qenë një presidente e dobët dhe pa sukses."

Fushatë zgjedhore pa programe

Por në përpjekjen për bulevardizimin e politikës, presidentja nuk është vetëm. Edhe konkurrentët me më shumë shanse përdorin po këtë retorikë dhe politikë. Ish-kryeministri, Zoran Milanovic nga spektri i majtë-liberal politik bie në sy me përpjekjet e tij për të balancuar nga ana historike ustashët, fashistët kroatë në Luftën e Dytë Botërore dhe partizanët antifashistë. Kurse Miroslav Škoro, që përpiqet të fitojë vota në spektrin e djathtë të shoqërisë, ka bërë të ditur, se do të amnistojë nga burgu një komit të viteve 90-të të dënuar për krime lufte, sepse ai nuk është në gjendje të mirë në burg. Një program politik të qëndrueshëm nuk ka paraqitur asnjë kandidat gjatë fushatës zgjedhore. Përqëndrimi i tyre është tek mobilizimi i zgjedhësve përmes emocionalizimit, shpesh përmes parullave pa përmbajtje.

Kroatien Wahl Kandidaten / Miroslav Skoro Plakat

Kandidati Miroslav Skoro

Përgjegjësi të kufizuara

Kjo ka të bëjë sigurisht edhe me atë që funksioni i presidentit në Kroaci është më shumë përfaqësues. „Ai krahasohet me rolin e presidentit gjerman, por me një dallim të madh: presidenti apo presidentja në Kroaci zgjidhet drejtpërdrejt, dhe ka me këtë një legjitimim më të fortë se në Gjermani", thotë politologu.

Me këtë krijohet edhe përshtypja, sikur presidentët në Kroaci munden të ndikojnë më shumë, se bëhet në realitet. „Këtë e besonte edhe Grabar-Kitarović para pesë vjetësh dhe premtoi mrekulli, që as nuk mund t'i realizonte, pasi pushteti operativ është në duart e qeverisë dhe kryeministrit. Presidenti/tja është kreu i forcave të armatosura, sidomos në raste lufte, mund të emërojë apo shkarkojë gjeneralë, dhe bashkë me kreun e qeverisë mund të emërojnë ambasadorët dhe të kontrollojnë shërbimet sekrete.”

Përtej kësaj, presidentët mund të prekin tema të caktuara të shoqërisë, të thonë fjalën e tyre në diskursin publik dhe të japin impulse. Këtë nuk e ka bërë Grabar-Kitarović në pesë vitet e kaluara, edhe kandidatët e tjerë e kanë mënjanuar këtë.

Politika e jashtme e kontestuar

Sipas kushtetutës, presidenti kroat ka një masë të caktuar autonomie në politikën e jashtme. Këtë e ka përdorur edhe Grabar-Kitarović. Ajo sheh si arritje të saj të ashtuquajturën "Iniciativa e Tre Deteve”, si një përpjekje për marrëdhënie më të ngushta me vendet e Balltikut, Detit të Zi dhe Adriatikut. Sipas saj, ajo e ka nxjerrë me këtë Kroacinë nga rajoni i Ballkanit dhe e ka çuar drejt Europës Qendrore.

Kroatien Wahl Kandidaten / Zoran Milanovic

Kandidati Zoran Milanovic

Por me fqinjët e saj, Kolinda Grabar-Kitarović nuk ka vepruar gjithmonë në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Në Bosnje-Hercegovinë ajo i sheh të kërcënuara interesat kroate dhe përdor çdo mundësi për të kritikuar shumicën boshnjake-myslimane. Gjatë një vizite në Izrael ajo e cilësoi Bosnjen një "vend jo të stabilizuar”, që "në masë të caktuar ndodhet nën influencën e islamit militant” dhe paralajmëroi nga rreziku i "të kthyerve të IS-it”. Prova për këto pretendime të saj megjithatë ajo nuk dha. Megjithatë duhet shtuar, se në lidhje me vendin e dikurshëm armik në luftë, Serbinë ajo është përpjekur për një normalizim të marrëdhënieve, shpesh edhe kundër rezistencës në radhët e saj.

Pushteti është diku tjetër

Në fund të fundit beson Puhovsku nuk është shumë e rëndësishme, se kush i fiton zgjedhjet presidenciale në Kroaci, sepse pushteti është diku tjetër, në duart e presidentit kroat, Plenković, që në të njëjtën kohë është edhe kreu i partisë, HDZ. Drejtuesit e rinj kjo parti i zgjedh në pranverën e ardhshme. „E nëse Kolinda Grabar-Kitarović dështon të rizgjidhet, kjo dobëson edhe Plenković”, është i mendimit Puhovski. Sepse ajo në të vërtetë është "kandidatja e tij”.