1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhje parlamentare në Taivan

Peter Kujath12 Janar 2008

Rreth 17 milionë taivanezë me të drejtë vote kanë zgjedhur të shtunën një parlament të ri. Pas mbylljes së qendrave të votimit pasdite sipas orës lokale filloi numërimi i votave.

https://p.dw.com/p/Coha
Taivanezët votojnëFotografi: AP

Kjo votë është një test i rëndësishëm i opinionit të zgjedhësve për zgjedhjet presidenciale më 22 mars.

Lufta elektorale mes dy partive të mëdha në ishullin de facto të pavarur përpara bregdetit të Kinës u mbizotërua nga dy tema kryesore. Së pari ekonomia në amulli në vend për të cilën partia opozitare Kuomintang fajëson presidentin aktual, dhe së dyti qëndrimi ndaj Kinës, partnerit më të rëndësishëm në investime të firmave taivaneze:

"Përsa kohë ishte në pushtet Kuomintangu ekonomia shkonte mirë. Vetëm pasi erdhi në pushtet Partia Demokratike Progresive gjërat u përkeqësuan ngadalë por vazhdimisht. Për mua do të ishte më mirë që të vinte sërisht në pushtet Koumintangu."

Kështu shprehet Liu Veng-Feng e cila punon si sekretare në Tajpei, kryeqytetin e Taivanit. Ajo është 23 vjeç dhe mund të merrte pjesë për herë të parë në këto zgjedhje. Por prindërit e saj jetojnë në jug të vendit ku ajo është e rregjistruar dhe shpenzimi do të ishte shumë i madh. Në zgjedhjet presidenciale në muajin mars Liu do të marrë pjesë patjetër.

Parlamenti në Taivan kontrollon qeverinë dhe miraton ligje. Por gjatë viteve të fundit deputetët më shumë janë marrë me veten e tyre se sa me politikën e vendit dhe për këtë nuk kanë nam të mirë në vend. Pushtetin e vërtetë në Taivan e ka presidenti i cili që prej vitit 2000 zgjidhet nga partia demokratike progresive.

Deri atëherë pushtetin e kishte mjatur për 50 vjet me rradhë Kuomintangu që qeveriste në mënyrë autokratike. Objektiv i deklaruar i Koumintangut dhe të Taivanit të atëhershëm ishte bashkimi me republikën popullore të Kinës nëse kjo heq dorë nga komunizmi.

Gjatë viteve '80 dhe '90 Taivani u zhvillua në mënyrë të tillë që ekonomia e tij sot ka nivel të ngjashëm me atë të Greqisë. Por normat e larta të rritjes nuk janë ruajtur vitet e kaluara dhe numri i të papunëve ka arritur nivelin shqetësues prej 4 për qind.


"Natyrisht mirëqënia e popollit është e rëndësishme për Taivanin por edhe demokracia dhe reputacioni i vendit janë po aq të rëndësishme. Nëse kujdesemi vetëm për ekonominë dhe lëmë pas dore demokracinë Taivani do të bëhej si më parë", thotë një 65 vjeçar taivanez.


Koumintangu konsiderohet si fitues i zgjedhjeve parlamentare dhe kandidati i tij Ma Jing-jeu si favorit në zgjedhjet presidenciale të marsit të ardhshëm. Koumintangu përfton nga ndryshimi në sistemin elektoral dhe reduktimin e vendeve në parlament nga 225 në 113.