Zgjedhje në ″zemër të territ″ - Kongo shpreson tek evropianët | Bota | DW | 10.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Zgjedhje në "zemër të territ" - Kongo shpreson tek evropianët

Për herë të parë që kur shpallën 45 vjet më parë pavarësinë nga Belgjika kolonizatore, kongolezët mund të vendosin vetë për të ardhmen e tyre politike. 25 milionë shtetasve me të drejtë vote u është bërë thirrje që të votojnë në mes të qershorit për parlamentin dhe presidentin e ri. Në këtë proces ato do të marrin ndihmë nga evropianët.

Refugjatë që kthehen në Kongo

Refugjatë që kthehen në Kongo

Që nga metropoli Kinshasa në brigjet e lumit Kongo e deri në krahinat e tronditura prej luftës civile në Verilindje mbizotëron atmosferë nervoziteti. Republika Demokratike e Kongos, një vend me madhësinë e gjithë Evropës Perëndimore, ndodhet në prag të një kthese historike.

Përmes një ceremonie shtetërore kongolezët miratuan në fund të shkurtit një kushtetutë të re, e cila hap rrugën për zgjedhjet. Qytetarët votuan me shumicë dërrmuese prej 84% për projektin e qeverisë. Kushtetuta parashikon maksimumin e dy mandateve nga pesë vjet për presidentin dhe që partia që mban shumicën në parlament të zgjedhë kryeministrin. Presidenti në post Jozef Kabila thotë se "kanë kaluar kohët e tranzicionit." Tani synohet ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë, sipas Kabilës.

34 vjeçarin, presidenti më i ri në botë, thuajse e imponuan që të marrë këtë post, kur në vitin 2001 i jati despotik Laurent Dezire Kabila u vra gjatë një tentative për puç. Por Kabila i riu nuk desh të pajtohej me rolin e një kukulle në duart e ushtarakëve:

"Populli kongolez dëshiron paqen dhe zhvillimin. Në radhë të parë ai dëshiron një qeveri dhe ministra që t´i vlerësojnë me seriozitet përgjegjësitë e tyre."

Por deri në ditën e zgjedhjeve është një rrugë e gjatë. Jo vetëm sepse ligji i domosdoshëm elektoral ende s´ka hyrë në fuqi, por edhe sepse prej disa dhjetë vjeçarësh në Kongo mbizotërojnë diktaturat, kaosi dhe terrori i milicëve. Një ndër luftrat më brutale në historinë e Afrikës, të paktën zyrtarisht, morri fund përpara dy vjetësh. Ushtria qeveritare, grupe të ndryshme rebelësh dhe pesë shtetet fqinjë kanë luftuar në Kongo për influencë dhe për të pasur kontroll ndaj burimeve të panumërta me lëndë të para. Si pasojë e luftës, e urisë dhe e sëmundjeve kanë gjetur vdekjen 4 milionë njerëz. Por edhe sot e kësaj dite Kongo është larg paqes së vërtetë, thotë Jason Stearns, ekspert i Kongos në Grupin Ndërkombëtar të Krizave: "Gjendja sot është më keq se në vitet 90-të. Armë panumërim janë shpërndarë në duart e popullsisë dhe ka shumë grupe që nuk duan të humbasin pushtetin. Ata bëjnë gjithçka për të penguar zgjedhjet."

Katër ish-lordë të luftës bëjnë pjesë në qeverinë e tranzicionit të Kabilës si zëvendëspresidentë. Për disa prej ish-shefave të rebelëve këto zgjedhje janë të rëndësishme për mbijetesën e tyre. Sepse atë që ata e kanë arritur me dhunën e armëve, mund ta humbasin shpejtë në kutitë e votimeve. Ndaj Kongoja nuk po gjen qetësi. Pjestarët e fiseve Hutu nga Ruanda luftojnë kundër fiseve Tutsi në Kongo, Hema kundër Lenduve, e dhjetra milicë si dhe njësi rivalizuese të ushtrisë luftojnë kundër njëri-tjetrit. Qëllimi i tyre nuk është aq politika sa etja për dollarë e diamantë. Banditët në unifromë zhvasin minierat, kontrollojnë kufijtë për në Ungandë e Ruandë, zhdukin doganat, u bëjnë lëshime peshkatarëve dhe tregtisë duke u marrë atyre taksa fantazëm: "Një kalashnikov mund ta blesh për më pak se 30 dolllarë", thotë eksperti Stearns.

Në vend të strukturave shtetërore mbizotëron fryma mesjetare e kalorësisë dhe kusarisë. Me përdhunime, rituale vrasjesh dhe ekzekutime masive milicët ngjallin tmerr e panik në popull. 17.000 trupa helmetkaltra të OKB-së janë dislokuar në Kongo në misionin MONUC. Ushtarët e paqes nga vende si Urugai, Nepali apo Maroku përpiqen të ruajën qetësinë dhe të mbrojnë njerëzit. Një detyrë kjo e vështirë për t´u përmbushur. Ndërsa para një viti nëntë ushtarë helmetkaltër nga Bangladeshi u rrëmbyen dhe u vranë prej milicëve në provincën Ituri, për herë të parë helmetkaltërit reaguan duke përdorur armët.

Zëdhënësi i misionit MONUC, Kemal Saiki: "Atje jetojnë viktima të pafajshme. Njerëzit janë në arrati, janë të pastrehë dhe pa ndihmë. Detyra jonë është që t´i mbrojmë këta njerëz. E pikërisht këtë kanë bërë ushtarët tanë nga Bangladeshi."

Komanda e misionit MONUC pret me padurim një sinjal pozitiv nga Brukseli. Qysh pas ndërhyrjes energjike të operacionit francez "Artemis" përpara dy vjetësh e gjysmë në krahinën verilindore Ituri, ushtarët e Eurocorpsit gëzojnë në Kongo një prestigj legjendar. Brenda pak javësh asokohe ata i dhanë fund masakrës së milicëve në Ituri. Përveç kësaj në Kinshasa thuhet, se prania e evropianëve është një mjet i përshtatshëm presioni, në mënyrë që të zhvillohen zgjedhjet. Misioni MONUC është i pashpresë dhe i mbingarkuar me mbikqyrjen e zgjedhjeve, mendon eksperti i Kognos Jason Stearns nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave:

"Ndërhyrja ushtarake e evropianëve në Kongo do të ishte një ide shumë e mirë. E drejtimi i saj nga Gjermania nga perspektiva politike do të kishte efekt pozitiv."

Kjo pasi gjermanët janë neutralë dhe gëzojnë prestigj, madje janë më të përshtatshëm se ish-kolonizuesit Beligjka dhe Franca.

  • Data 10.03.2006
  • Autor Vim Dorenbush
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMG
  • Data 10.03.2006
  • Autor Vim Dorenbush
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMG
Reklamë