1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhja e presidentit të Gjermanisë kalon në raundin e dytë

30 Qershor 2010

Ishte një test për koalicionin konservator liberal Merkel-Westerwelle. Dhe ky test nuk u kalua. Kandidati i maxhorancës, Christian Wulff, nuk arriti ta fitonte shumicën e votave të Asamblesë Federale që në raundin e parë

https://p.dw.com/p/O70c
Asambleja Federale zgjedh presidentin
Asambleja Federale zgjedh presidentinFotografi: AP

Në mesditë, nën kupolën e qelqtë të Rajhshtagut, ku ishte mbledhur Asambleja e 14-të Federale sundonte një gjendje e nderë. Për shumë delegatë të kampit konservator-liberal votimi ishte i vështirë, sepse ata do ta kishin votuar me dëshirë kandidatin e opozitës, ish-disidentin e Gjermanisë Lindore, Joachim Gauck. Por për shkak të disiplinës brenda partiake duhej të votonin për atë të maxhorancës, kryeministrin e landit të Saksonisë së Poshtme, Christian Wulff.

Lammert: Wulff-i nuk fitoi në raundin e parë

Një dilemë kjo, që u pasqyrua edhe në rezultatin e raundit të parë, që e bëri të njohur kryetari i kuvendit gjerman - njëkohësisht kryetar i Asamblesë Federale, Norbert Lammert: "1242 vota të dorëzuara, 13 abstenime, 499 për Joachim Gauck (SPD dhe Të Gjelbrit), 600 për Christian Wulff (CDU/CSU dhe FDP), 126 për Lukrecia Jochimsen (E majta), 3 për Frank Rennecke (NPD)."

Wulff me 44 vota më pak

Në këtë mënyrë, Christian Wulff jo vetëm që nuk arriti shumicë absolute të votave. Por përkundrazi maxhorancës doli që i mungonin 44 vota. Votimi ishte i fshehtë, kështu që devijuesit nuk njihen, por një numër shumë i madh mendohet se vijnë nga radhët e Unionit Demokristian ose Kristiansocial. Analistët e interpretuan rezultatin menjëherë si një shenjë pakënaqësie ndaj politikës së kancelares. Njëri prej tyre, Friedrich Nowotni, tha në kanalin televiziv Phoenix: “Ky është një paralajmërim për kancelares dhe për mënyrën se si sillet ajo me partinë. Dhe ajo ka për ta vrarë mendjen për këtë”.

Gauck me 36 vota më shumë

Ndërsa Wulff pat marrë 44 vota më pak, kandidati i opozitës Joachim Gauk, mori 36 më shumë nga ç'mblidhnin së bashku socialdemokratët dhe të gjelbrit. Tani ka filluar ndërkohë raundi i dytë i votimeve. Në se as ky raund nuk do të sjellë një rezultat të qartë shumice për njërin prej kandidatëve, atëherë do të kalohet në raundin e tretë dhe të fundit. Sepse në të do të dalë fitues kandidati me shumicë relative.

Wulf apo Gauk – një duel që po bëhet gjithnjë e më i interesant dhe që sidoqoftë po e plotëson më së miri, boshllëkun emocional të krijuar tek teleshikuesit gjermanë në këtë ditë të vetme pa ndeshje botërori.

Autor: Anila Shuka/Berlin

Redaktoi: Auron Dodi