1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zemaj: Institucionet e Kosovës gjithnjë e më afër qytetarëve kosovarë në Gjermani

29 Gusht 2010

Nga prilli i këtij viti qytetarët kosovarë me vendbanim në Gjermani nuk kanë më nevojë të shkojnë në Kosovë vetëm për nxjerrjen e një dokumenti. Me këtë punë tashmë janë ngarkuar tri konsullata.

https://p.dw.com/p/OyKu
Astrit Zemaj, Konsulli i Republikës së Kosovës në Frankfurt mbi Majn
Astrit Zemaj, Konsulli i Republikës së Kosovës në Frankfurt mbi MajnFotografi: DW
Dokument për një udhëtim i lëshuar nga konsullata
Dokument për një udhëtim i lëshuar nga konsullataFotografi: DW

"Atje e nxirrni pasaportën dhe me lejen e qëndrimit, të cilën e merrni prej Entit për të huajt aty ku banoni ktheheni në Gjermani... ndonjë pyetje... jo faleminderit shumë, më vjen mirë që isha këtu në konsullatën e Republikës së Kosovës".

Kjo bisedë zhvillohet vetëm 1300 metra larg selisë së Bankës Qendrore Evropiane në Frankfurt mbi Majn mes zëvendëskonsullit Ardian Spahiu dhe qytetarit nga Kosova Besim Fazliu me vendbanim në Dyseldorf. Në Frankfurt mbi Majn, qytetin e pestë për nga madhësia në Gjermani dhe me rreth 672 000 banorë, qyteti më i madh në landin e Hessenit, në rrugën Rudolfstr. 13-17 ka ca muaj që ka filluar nga puna një nga tri konsullatat e Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë.

Zëvendëskonsulli Ardian Spahiu bisedon me qytetarin Besim Fazliu
Zëvendëskonsulli Ardian Spahiu bisedon me qytetarin Besim FazliuFotografi: DW

Besim Fazliu sapo ka tërhequr një dokument udhëtimi për vajzën e tij të lindur në Gjermani.

"Vajza më lindi këtu dhe shfrytëzova rastin edhe të vizitoj konsullatën e Republikës së Kosovës në Frankfurt… Kur dëgjoj se hapen konsullata këtu në Gjermani, ne kosovarëve në përgjithësi na vjen shumë mirë".

Për këtë nuk e fsheh kënaqësinë as konsulli Astrit Zemaj:

Në foto Konsulli Astrit Zemaj
Në foto Konsulli Astrit ZemajFotografi: DW

"Konsullata e Republikës së Kosovës në Frankfurt me krenari e thotë që është në rrugën e drejtë që gjithnjë në koordinim edhe me Ministrinë e Punëve të Jshtme për t'u gjetur sa më afër qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ju them siqerisht se kërkesat janë tejet të mëdha krahas stafit por me një mund dhe vetbesim ne kemi arritur që shumë shërbime konsullore t'i kryejmë që nga muaji i parë i ardhjes sonë këtu."

Pamje nga konsullata e Republikës së Kosovës në Frankfurt mbi Majn
Pamje nga konsullata e Republikës së Kosovës në Frankfurt mbi MajnFotografi: DW

Dhe që nga dita e ardhjes në Frankfurt nuk ka munguar as bashkëpunimi me palën gjermane:

"…Falë këtij bashkëpunimi mes nesh dhe palës gjermane ne jemi pajisur me dokumentacionin e nevojshëm diplomatik dhe kjo pajisje e shpejtë na ka mundësuar që të lëvizim si diplomatë dhe të punojmë në plotësimin e objektivave të përcaktuara nga Ministria e Jashtme dhe qeveria e Kosovës."

Dhe një prej objektivave kryesore mbetet plotësimi i kërkesave të qytetarëve, aktualisht pajisja e tyre me pasaporta kosovare:

Siç dihet qytetarët e Republikës së Kosovës 20 vitet e fundit kanë pasur lloj-lloj dokumentash, qoftë ato të ish-Jugosllavisë, pastaj të ish-Serbisë dhe Malit të Zi, më vonë të UNMIKU-t dhe tani të Republikës së Kosovës. Kështu që kërkesat kryesore mbeten pasaportat e Republikës së Kosovës.“

Ndërkohë intensiteti i punës sa vjen e shtohet në konsullatë:

Konsulli Zemaj i dorëzon pasaportën Besim Hotit (24.08.2010)
Konsulli Astrit Zemaj i dorëzon pasaportën qytetarit kosovar Besim Hotit (24.08.2010)Fotografi: DW

"Zoti Hoti ne ju kemi thirrur me një lajm të mirë për ju dhe për institucionet e Republikës së Kosovës këtu në Frankfurt. Ju nuk jeni i pari, por në mesin e të parëve që keni filluar të pajiseni me pasaportë përmes rrugës së përcaktuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Brendshme si dhe Konsullata e Republikës së Kosovës. Urime për pasaportën.“

Besim Hoti është një ndër qytetarët e parë kosovarë që për nxjerrjen e pasaportës ka shfrytëzuar rrugën konsullore dhe pasaporta i dorëzohet , kësaj radhe nga vet konsulli Zemaj. Hoti nuk e fsheh befasinë e tij:

Pamje simbolike - Pasaportë kosovare
Pamje simbolike - Pasaportë kosovareFotografi: DW

„Faleminderit, shumë. Shumë, shumë jam i befasuar. Kam aplikuar para 20 ditësh dhe shumë shpejt ka përfunduar. Thënë të drejtën se kam pritur që të përfundoj kaq shpejt. Shumë bukur."

Megjithatë aktivitetet e konsullatës në Frankfurt nuk janë fokusuar vetëm në çështjet teknike. Zemaj:

Logo në hyrje të konsullatës në Frankfurt mbi Majn
Logo në hyrje të konsullatës në Frankfurt mbi MajnFotografi: DW

"Ne krahas takimeve zyrtare dhe takimeve njohjeje me qeverinë gjermane dhe landet të cilat i mbulon konsullata jonë, kemi takuar edhe shumë përfaqësi diplomatike dhe konsullata të huaja, të cilat janë të akredituara këtu. Sipas rregullores në fuqi të Ministrisë së Punëve të Jashtme ne kemi filluar takimet e para me drejtuesit e misioneve konsullore këtu dhe kemi bërë një takim njohjeje që konsullata e Republikës së Kosovës, institucionet e Republikës së Kosovës janë të pranishme edhe në Frankfurt. Nga ky moment kanë vazhduar takimet e tjera me shumë shtete. Deri tani jemi takuar me përfaqësuesit e rreth 75 shteteve të huaja me të cilët kemi pasur kontakte të drejtpërdrejta“, shprehet në mikrofonin e DW-së, konsulli i Republikës së Kosovës në Frankfurt Astrit Zemaj.

Autor: Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi