Zelenski kritikon ashpër kancelarin Scholz
16 Nëntor 2024Telefonata e kancelarit gjerman Olaf Scholz me presidentin rus Vladimir Putin ka shkaktuar kritika dhe zemërim në Ukrainë. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e akuzoi kancelarin se me këtë veprim ka hapur "kutinë e Pandorës". "Kjo është pikërisht ajo që Putini do prej kohësh. Për të është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta dobësojë izolimin ku ndodhet”, tha Zelenski.
Zelenski tha se kancelari Scholz e kishte informuar paraprakisht për telefonatën. Ministria e Jashtme në Kiev deklaroi para telefonatës se kundrejt Putinit nevojiten "veprime konkrete dhe të forta që e detyrojnë atë të bëjë paqe, dhe jo punë bindëse dhe "përpjekje për ta qetësuar", të cilat ai i merr si shenjë dobësie dhe i përdor për avantazhin e vet."
Zelenski: Jo më marrëveshje Minsku
Zelensky theksoi se Ukraina ka nevojë për "paqe të vërtetë". Nuk do të ketë më marrëveshje Minsku, shtoi ai, duke iu referuar dy marrëveshjeve të Minskut të lidhura në vitet 2014 dhe 2015 pas përpjekjeve intensive diplomatike nga Gjermania dhe Franca. Në atë kohë Berlini dhe Parisi u përpoqën së bashku të ndërmjetësonin mes Rusisë dhe Ukrainës, por marrëveshjet e Minskut nuk çuan në frenimin e konfliktit në Ukrainën lindore. Rusia dhe Ukraina fajësojnë njëra-tjetrën për dështimin e marrëveshjeve.
Çfarë i tha kancelari Scholz Putinit?
Sipas burime të brendshme nga qeveria e kancelarit Scholz gjatë bisedës telefonike me presidentin rus Putin kishte dënuar luftën e agresionit kundër Ukrainës, "e cila prej më shumë se 1.000 ditësh ka sjellë vdekje, vuajtje dhe shkatërrim në Ukrainë". "Kancelari dënoi veçanërisht sulmet ajrore ruse kundër infrastrukturës civile në Ukrainë," thanë burimet.
Po ashtu thuhet se kancelari gjerman i bëri thirrje Putinit që të tërheqë trupat ruse nga Ukraina dhe "kërkoi nga Rusia gatishmëri për negociata serioze me Ukrainën për të arritur një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme".