Zëvendësimi i Presidentit dhe Gjykata Kushtetuese pa kryetar tensionojnë politikën në Tiranë | Ballkani | DW | 21.05.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Zëvendësimi i Presidentit dhe Gjykata Kushtetuese pa kryetar tensionojnë politikën në Tiranë

Çështjet për zgjedhjen e presidentit të ri dhe vonesës së emërimit të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese janë shndërruar në një debat të ashpër mes mazhorancës dhe opozitës gjatë seancës së sotme të parlamentit

Edi Rama dhe Alfred Moisiu

Edi Rama dhe Alfred Moisiu

Seanca plenare e parlamentit ditën e hënë u shoqërua nga një debat i fortë mes mazhorancës dhe opozitës. Veç argumentit se a mund të zëvendësohet presidenti aktual Alfred Moisiu nga kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, në rast se deputetët nuk e zgjidhin dot një president të ri brenda 24 korrikut, tani i është shtuar edhe një argument i dytë: Lënia pa kryetar e trupës së Gjykatës Kushtetutese. Për këtë të dytën mazhoranca gjatë seancës plenare kritikoi rreptë Presidentin Moisiu, sipas
Topallit, duke shënuar një rast të paprecedentë në Shqipëri për Gjykatën Kushtetuese duke i humbur asaj funksionet.

Sa i takon zëvendësimit të presidentit actual, Jozefina Topalli tha se gjithshka do të bëhet në bazë të Kushtetutës, duke lënë të nënkuptohet se pas 24 korrikut Presidentit Alfred Moisiu i Mbaron mandati për detyrën. Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në opozitë, Ben Blushi akuzoi mazhorancën se sipas tij po mban qëndrime politike për gjëra që jane vetëm keqkuptime administrative. Blushi paralajmeroi se presidenti aktual nuk mund të nxirrej forcërisht nga zyra, pasi në një rast të tillë deputetët e opozitës do të ishin sipas tij në mbrojtje të presidentit dhe kundër shkeljes se kushtetutës dhe ligjit.

Seanca plenare ka vazhduar me diskutime të nxehta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, të cilët shprehnin qëndrime bardh e zi për këto dy çështje. Të hënën ka reaguar dhe presidenti i Republikës me anë të një deklarate. Presidenti duke konsideruar debatin e fundit metiadiko-politik mbi zgjedhjen e Presidentit, si një debat artificial, të panevojshëm dhe të motivuar nga interesa politike të ditës, apeloi „parlamentin, qeverinë, partitë politike, institucionet dhe median, që në krye të axhendës së tyre politike e profesionale të vendosin interesin madhor të stabilitetit demokratik dhe bashkëpunimit politik për kryerjen e reformave të
nevojshme që mundësojnë përmbushjen e të gjitha kritereve politike dhe ekonomike për marrjen e ftesës të anëtarësimit në NATO“.

Kryetari i shtetit bëri thirrje „për një politikë vizionare, të matur dhe qytetare, e cila në prag të vizitës historike të Presidentit të SHBA, Xhorxh Bush dhe të zgjidhjes së statutit përfundimtar të Kosovës, të dëshmojë se jemi një vend në normalitet, stabilitet dhe me zhvillim të qëndrueshëm demokratik“.

  • Data 21.05.2007
  • Autor Arben Muka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArVK
  • Data 21.05.2007
  • Autor Arben Muka
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArVK
Reklamë