Zëra të shtypit ndërkombëtar të javës | Studimi në Gjermani | DW | 14.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Zëra të shtypit ndërkombëtar të javës

Presidenti i ri i Italisë dhe skandali i shpifjeve në Francë

Kryeministri francez Villepin dhe ministri i brendshëm Sarkozy

Kryeministri francez Villepin dhe ministri i brendshëm Sarkozy

Gazetat europiane kanë trajtuar këtë javë skandalin e shpifjeve në Francë dhe tensionet e shkaktuara prej saj në politikën e brendshme. Një temë tjetër ishte zgjedhja e presidentit të ri në Itali.

Aleanca e qendrës së majtë e kryeministrit të ardhshëm italian Romano Prodi ia doli vetëm në raundin e katërt të kalonte kandidatin e saj. Ish komunisti dhe senatori për jetë Xhorxho Napolitano do të bëjë të hënën betimin si president i ri i Italisë. Në shtypin ndërkombëtar rezultati ka patur kryesisht jehonë pozitive. Gazeta zviceriane "Tages-Anzeiger" mendon: "Zgjedhja e presidentit të ri, pra e atij njeriu që ditët e ardhshme do të ngarkojë Prodin me krijimin e qeverisë së re, ishte fitorja e tij e parë. Nëse i njeh rregullat baroke të politikës italiane mund të flasësh madje për një kryevepër të vogël. Të gjithë partnerët e tij janë të kënaqur. Kjo është e qënësishme kur raportet e maxhorancës janë kaq të ngushta."

Gazeta hungareze "Nepszbadsag" mbi të njëjtën temë shkruan:
"Prodi nuk do të kish mundur t'i tërhiqte sërish në qeveri komunistët nëse politikanët e tyre të lartë nuk do të kishin spikatur për merita të veçanta dhe reputacion në qeverinë e tij të parë. Kështu p.sh. Napolitani ka bërë emër të mirë si ministër i brendshëm, si president i dhomës së ulët dhe si politikan i BE-së. E gjitha kjo u kthye në një bumerang kundër kryeminstrit në largim Berluskoni i cili gjatë fushatës elektorale notonte në retorikë antikomuniste."

Me thirrjen e Berluskonit për bojkot fiskal për shkak të zgjedhjes së Napolitanos në krye të shtetit italian merret gazeta belge "La Libre Belgique" : "Megjithëse respektohet nga të gjitha forcat politike, Xhorxho Napolitano duhet të mundohet shumë për të fituar titullin e presidentit të të gjithë italianëve. M.q.s. u zgjodh vetëm me votat e kampit të Romano Prodit, Napolitano duhet të përdorë të gjitha aftësitë e tij si ndërmjetës për të shmangur kërcënimin e një greve fiskale të përdorur nga Berluskoni si armë e kryengritjes civile. Ky argument do të jetë me siguri në qendër të fushatës elektorale për zgjedhjet e rëndësishme komunale në fund të muajit maj" parashikon "La Libre Belgique".

Skandali për llogaritë e supozuara me fonde të zeza të politikanëve francezë pranë ofruesit të shërbimeve financiare Clearstream kanë shkaktuar një krizë politike në metropolin mbi lumin Senë. Opinioni ndërkombëtar është i përmbajtur në komentimin e ngjarjeve. Shtypi francez përkundrazi është i indinjuar dhe kërkon marrjen e vendimeve.

Gazeta "Humanite" mbi këtë temë mendon: "Ka diçka të kalbur përreth Zhak Shirakut ku dy princat Vilëpë dhe Sarkozi zhvillojnë një luftë të pamëshirshme përpara një populli i cili me trishtim sheh mungesën e përgjegjësisë së politikanëve. Çdo që vjen ofron 'të dhëna të reja' të reja të cilat në fakt nuk informojnë aspak qytetarët. Përkundrazi po zhytemi gjithnjë e më shumë në terr. Në ç'vend jetojnë në të vërtetë?", pyet "Humanite".

Artikulli kryesor në gazetën e Strasburgut "Dernieres Nouvelles D'Alsace" e formulon kritikën e tij si letër të hapur drejtuar presidentit francez: "Ne presim prej jush zoti president që të ndërhyni. Sot nguroni të ndaheni nga një kryeministër i cili pavarësisht përgjegjësisë që mund të ketë në skandale, rëndon funksionimin e qeverisë dhe paralizon ekzekutivin. Ne nuk e kuptojmë përse. Nuk është fjala të ulërish me ujqërit. Por brenda nëntë muajsh në llogari të kësaj qeveri shkojnë trazira në periferi, kriza mbi kontratën e punësimit të parë dhe tani kriza qeveritare. Duhet të pranoni zoti president se kjo është shumë për një njeri të vetëm. Ka ardhur koha që të nxirren mësime përpara se të jetë shumë vonë", kërkon "Dernieres Nouvelles D'Alsace".

Ndërsa gazeta britanike "The Guardian" e formulon kështu gjykimin e saj: "Skandali Clearstream i cili cilësohet gabimisht si Watergate francez pasi të gjitha manovrat e ulëta drejtohen kundër anëtarëve të së njëjtës parti, është ende shumë i mjegullt. E qartë është megjithatë se sistemi politik në Francë vuan prej tij. Disa janë të mendimit se qeveria mund të paralizohet. Franca ka reputacionin, pjesërisht të merituar, se merret shumë me rrënimin e saj por pak është e aftë të bëjë për ta evituar. Tani politikanët e saj diskretitohen për shkak të paaftësisë, arrogancës dhe ambicies së tepruar" konstaton "The Guardian".

  • Data 14.05.2006
  • Autor Eleonore Uhlich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arpx
  • Data 14.05.2006
  • Autor Eleonore Uhlich
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arpx