Zënka për para | Evropa | DW | 16.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Zënka për para

Cili është thelbi i vërtetë i polemikës mbi buxhetin europian

Me një propozim të fundit kompromisi në samitin që mbahet sot e nesër në Bruksel, kryetarët e qeverive të vendeve anëtare përpiqen të arrijnë një marrëveshje në polemikën mbi financat. Bëhet fjalë për planin financiar për periudhën 2007 deri 2013. Kompromisi duket i mundur në anën e shpenzimeve. Kritik mbetet konflikti mes Britanisë së Madhe dhe Francës për të ashtuquajturin "rabatin britanik" dhe subvencionet për bujqësinë.
Buxheti i BE-së është shndërruar gjatë dhjetëvjeçarëve të kaluar në një skemë të madhe e cila sipas mendimit të specialistëve karakterizohet nga shumë mangësi strukturore dhe mospërputhje. Deri në vitet '80 buxhetet miratoheshin për çdo vit dhe parapriheshin nga diskutime të ashpra. Për të mënjanuar ato, u zhvilluan projekt-buxhetet shtatë vjeçare të cilat pritej të bënin më të lehtë aplikimin e buxheteve të veçantë. Tani pritet të merret vendimi mbi projekt-buxhetin për periudhën nga vitit 2007 deri në 2013, kështu që edhe në rast dështimi të samitit, do të kishte kohë deri në mars të vitit të ardhshëm për të gjetur një kompromis brenda afatit.
Buxheti i Bashkimit Evropian është në tkurrje megjithëse në shifra absolute mund të vazhdojë të rritet pasi edhe produkti kombëtar është në rritje. Të ardhurat në buxhet vijnë kryesisht nga kontributet të cilat caktohen për secilin nga vendet anëtare në bazë të performancës ekonomike. Parimi i ndjekur është: të pasurit duhet të paguajnë, të varfërit të përfitojnë. Nisur nga niveli i mirëqënies, Britania e Madhe duhej të ishte paguesi më i madh neto por mbretëria gëzon që prej vitit 1984 një reduktim të kontributit të njohur me emrim "rabati britanik". Sistemi në përgjithësi është i komplikuar dhe nuk pasqyron më fuqinë e vërtetë ekonomike të vendeve anëtare.
Përsa i përket shpenzimeve buxhetore, 70% shkojnë në formën e një rishpërndarjeje të pastër në subvencione për bujqësinë dhe mbështetjen e rajoneve më të varfëra në BE. Gynter Verhojgen, komisari gjerman i BE-së për politikën industriale mendon se është i nevojshëm një ndryshim kursi. Për kanalin e parë televizi gjerman ARD Verhojgen u shpreh:"Ka ardhur koha që t'i shpenzojmë paratë për gjëra për të cilat kemi vërtet nevojë. Rritje ekonomike, punësim, aftësi konkurruese, inovacione. Por shpenzimet për bujqësinë janë përcaktuar vetëm pak vjet më parë, në vitin 2002 me Toni Blerin dhe mbi këtë mbështeten tani francezët."
Vetëm pak zëra shpenzimesh të buxhetit të BE-së krijojnë vërtet vlerë të shtuar europiane. Në këtë përfundim arrin një studim i Qendrës për Kërkime Ekonomike Europiane në Manhajm. Brukseli është vërtet në gjendje t'i shpenzojë paratë në mënyrë më efiçente se qeveritë kombëtare vetëm në politikën e tregtisë, kontrollin e konkurrencës, rregullimin e tregut të brendshëm, në politikën e transportit ndërshtetëror, në politikën e jashtme dhe azilit. Për këtë arsye struktura e shpenzimeve duhet riorientuar sa më shpejt për t'i bërë ballë me sukses një Bashkimi Europian në rritje me të ardhura buxhetore në rënie.

  • Data 16.06.2005
  • Autor Berndt Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArE4
  • Data 16.06.2005
  • Autor Berndt Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArE4