1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zënka për emrin, stabiliteti dhe ekonomia - Presidenti gjerman Köhler viziton Maqedoninë

Verica Spasovska17 Prill 2008

Presidenti gjerman Köhler zhvilloi një takim zyrtar me homologun e tij Branko Cervenkovski. Temë e bisedimeve anëtarësimi i Maqedonisë në BE dhe në NATO.

https://p.dw.com/p/Djol
Horst Köhler dhe Branko Crvenkovski
Horst Köhler dhe Branko CrvenkovskiFotografi: AP

Miqësi, sinqeritet dhe përkushtim - kështu e përshkroi presidenti maqedonas Branko Cervenkovski marrëdhënien e vendit të tij me Gjermaninë. Në fakt Gjermania është qysh prej pavarësisë së Maqedonisë përpara 16 vjetësh, një ndër mbështetësit kryesorë në rrugën e saj drejt strukturave euro-atlantike. Anëtarësimi i plotë në BE dhe në NATO janë qëllimet më të rëndësishme strategjike të Maqedonisë, e cila sidoqoftë pësoi një shok të rëndë gjatë samitit të fundit të NATO-s në Bukuresht, falë vetos së Greqisë.

Presidenti gjerman Köhler tha: "Unë i thashë presidentit maqedonas se Gjermanisë i vjen keq që zënka për emrin po merr përmasa të tilla dhe se ftesa për antarësim në NATO nuk u ndoq nga të gjithë. Na vjen vërtet keq për këtë gjë."

Gjermania është një ndër vendet më të rëndësishme për Maqedoninë në fushën e tregtisë. Këmbimet tregtare kapin rreth 740 milionë euro në vit. Sidoqoftë Köhler theksoi se kushti kryesor për investimet direkte aq të dëshiruara nga Maqedonia, është përmirësimi i kushteve kornizë: "Duke vlerësuar atë që është arritur deri më sot , duhet të shtojmë se për ta rritur edhe më tepër atraktivitetin e investitorëve të huaj për Maqedoninë dhe për të rritur gjithashtu numrin e vendeve të punës, vendi duhet t´u kushtojë rëndësi të madhe këtyre gjërave: Forcimin e sigurisë ligjore, luftimin e korrpucionit dhe krijimin e një fryme dhe një qëndrimi ndaj punës në insitucionet shtetërore, që mund të forcojnë dhe të rrisin nivelin e jetesës për të gjithë."

Pajtimi dhe barazia mes shumicës maqedonase dhe pakicës shqiptare prioritet për shoqërinë maqedonase

Presidenti Köhler theksoi gjithashtu se pajtimi dhe barazimi mes shumicës maqedonase të popullatës dhe pakicave shqiptare, duhet të jetë një ndër qëllimet kryesore të shoqërisë maqedonase. Ndonëse marrëveshja për paqe e Ohrit mundi të evitojë një luftë në vitin 2001, grupet e ndryshme etnike në vend kanë nevojë për impulse të reja:

"Presidenti më tregoi se marrëveshja e Ohrit është ende në zbatim dhe për Gjermaninë vlen e njejta gjë. Unë shtova se marrëveshjes i duhet dhënë një frymë e re duke krijuar projekte dhe iniciativa të reja për ta forcuar ndjenjën e pajtimit dhe bashkëjetesën mes grupeve etnike."

Köhler theksoi kështu edhe njëherë rëndësinë që ka për të paqja dhe stabilitetit në rajon - qëllimet kryesore këto të udhëtimit të tij në Ballkan. Krahas bisedave politike me presidentitn maqedonas Gruevski, në axhendën e presidentit gjerman qëndrojnë disa takime me përfaqësues të feve të ndryshme që ekzistojnë në Maqedoni.