1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Xhihadisti Kreshnik B. pranon fajin para gjykatës

(afp/dpa)11 Tetor 2014

Kreshnik B. u arrestua në dhjetor të vitit 2013 në Aeroportin e Frankfurtit kur po kthehej nga Siria dhe që atëherë gjendet në paraburgim.

https://p.dw.com/p/1DTPw
Fotografi: Getty Images/AFP/T. Kienzle

Avokati Mutlu Günal lexoi para Gjykatës së Frankfurtit mbi Majn deklaratën e klientit të tij Kreshnik B., i cili kishte qenë në Siri në verën e vitit 2013. Ai e justifikonte vajtjen e tij duke thënë se kishte dashur të luftonte kundër regjimit të diktatorit sirian Bashar al-Asad. "Unë e shihja si detyrë timen që t'i kundërvihesha shtypjes dhe tiranisë atje," tha ai në deklaratë. Ai kishte ka bërë aty një betim për besnikëri ndaj grupit xhihadist IS.

Në rreshtat e fundit

Kreshnik B. deklaroi se në Siri ishte stërvitur për përdorimin e armëve. Më vonë po sipas thënieve të tij ai kishte marrë pjesë edhe në tre luftime, por kishte qenë gjithmonë në rreshtat e fundit. Kur kishte tensione mes IS-it dhe grupeve të tjera rebele, atij i kishin lindur dyshimet e para. "Unë nuk e kuptoja se pse ata luftonin kundër njëri-tjetrit," tha i akuzuari në deklaratën e tij. Nga ai moment ai donte të kthehej në shtëpi.

Kreshnik B. u arrestua në dhjetor të vitit 2013 në Aeroportin e Frankfurtit kur po kthehej nga Siria dhe që atëherë gjendet në paraburgim. Prokuroria Federale e akuzon atë për anëtarësi në një organizatë të huaj terroriste, sepse ai i është bashkuar grupit xhihadist "Shteti Islamik në Irak dhe Sirinë e Madhe".

Terrorprozess gegen Syrien-Rückkehrer in Frankfurt (IS)
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Roessler

Para dëshmisë së të pandehurit, gjykata kishte bërë propozimin që nëse Kreshnik B. do të pranonte akuzën mund të dënohej sipas dispozitave për rinjtë me heqje lirie nga tre vjet e tre muaj në katër vjet. Përveç kësaj Kreshnik B. duhet t'u përgjigjet pyetjeve të gjykatës dhe të Prokurorit të Përgjithshëm. Prokuroria Federal dhe mbrojtja ranë dakord për këtë propozim. Në seancën e ardhshme në fund të tetorit, 20-vjeçari do t'u përgjigjet pyetjeve të gjykatës dhe të Prokurorit të Përgjithshëm.

"Një jetë normale"

Në deklaratën e shtetasit gjerman me origjinë nga Kosova thuhet se ai e kishte kuptuar dhe e vlerësonte tani rëndësinë e paqes dhe është tani mirënjohës për këtë: "Unë dua që pas burgimit, të bëj një jetë normale."

Autoritetet gjermane besojnë se ndërkohë nga Gjermania janë larguar në drejtim të Sirisë rreth 450 muslimanë radikalizuar që duan të marrin atje pjesë në luftën e IS-it. Rreth 150 prej tyre pritet të kthehen sërish në Gjermani.