″Women’s March″ kundër presidentit Trump | Bota | DW | 21.01.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Women’s March" kundër presidentit Trump

Në dy vjetorin e ardhjes së presidentit Trump në këtë post, në shumë qytete amerikane janë mbajtur protestat "Women’s March". Një hije të rëndë mbi këto protesta kanë hedhur mosmarrëveshjet e brendshme.

Në Uashington, Nju Jork dhe shumë qytete të tjera amerikane janë mbajtur protesta kundër presidentit amerikan Donald Trump. Policia në Uashington foli për 20.000 pjesëmarrës në "Women's March". Në Nju Jork kanë protestuar disa qindra, ndërsa në mbarë botën vlerësohet të ketë pasur protesta në të paktën 30 qytete të ndryshme.

Organizatorët flasin për protesta të mëdha, me të cilat kundërshtohen deklarimet e shpeshta armiqësore ndaj femrave, të presidentit Donald Trump. Simbol i protestave është i ashtuquajturi "Pussy Hat", që ka të bëjë me deklarimet e presidentit Trump në një video, ku ai thotë se një person i famshëm mund të prekë kur të dojë femrat, nëse ka dëshirë. Shumë pjesëmarrëse të këtyre protestave kanë pasur në duar edhe pankarta, në të cilat presidenti Trump prezantohej si marionetë e presidentit rus Vladimir Putin.

Marshi dhe kritikat

Në krahasim me protestat e para të këtij lloji "Women's March" në vitin 2017, kësaj radhe në rrugë kanë dalë shumë më pak pjesëmarrës, që ka të bëjë edhe me grindjet mes organizatorëve dhe kundërthëniet e dëgjuara kohët e fundit mes lëvizjeve të protestave. Disa pjesëmarrëse dhe anëtare të grupit organizativ të "Women's March" janë kritikuar për antisemitizëm.

Ndërkohë është krijuar edhe një lëvizje alternative me emrin "March On" (Vazhdoni marshet). Në Nju Jork janë mbajtur madje dy protesta - të organizuara nga këto dy organizata.

"Ne nuk jemi dakord në disa gjëra, që kanë bërë organizatorët e Marshit", thotë një demonstruese nga Denveri, lidhur me protestat që janë mbajtur në kryeqytet. Me rëndësi është që "Trumpit t'i tregohet se ende jemi këtu dhe do të vazhdojmë protestat kundër tij", thotë ajo.

Me 2017 kishte tre milionë protestues vetëm në SHBA

"Women's March" është mbajtur për herë të parë në vitin 2017, pas marrjes së postit të presidentit nga Donald Trump. Para dy vitesh, në rrugët e Uashingtonit kanë demonstruar me qindra mijëra njerëz, ndërsa në mbarë vendin kanë demonstruar rreth tre milionë vet. Në shumë vende të tjera janë mbajtur protesta në shenjë solidarizimi - ndër to edhe në Gjermani.

 

 

 

bc/hk/cgn (dpa, afp, rtr)

Reklamë