1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220211 Libyen Deutschland

23 Shkurt 2011

Qeveria gjermane kërcënon regjimin me sanksione, opozita kërkon më shumë presion. Në sfondin e acarimit të situatës shtetet perëndimore dhe qeveria në Berlin synojnë të shpëtojë shtetasit e tyre, që ndodhen në Libi.

https://p.dw.com/p/10M5s
Fotografi: APTN/AP/dapd

Ndërsa kundërshtarët e Gaddafit pohojnë se kanë nën kontrollin e tyre 90% të Libisë, "udhëheqësi i revolucionit"bëri të ditur në televizion se do të mbahet në pushtet. Askush nuk e di me saktësi se çfarë po ndodh në Libi. Raporte nga disa dëshmitarë okularë, video të lëkundshme në Youtube dhe në stacionin televiziv arab Al Xhazira ofrojnë pamje të frikshme. Aktivistët e të drejtave të njeriut tregojnë se një shkollë në Tripoli është shndërruar në morg. Më shumë se 250 vetë duhet të jenë vrarë deri tani. Në Berlin ministri i Jashtëm Guido Westerwelle iu drejtua me fjalë të ashpra qeverisë libiane.

Westerwelle nuk përjashton sanksionet

Westerwelle zu Libyen
Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP)Fotografi: picture-alliance/dpa

„Ne i bëjmë thirrje qeverisë libiane të ndalojë menjëherë dhunën kundër qytetarëve. Në qoftë se Libia do të vazhdojë të përdorë forcën kundër popullit të saj, sanksionet do të jenë të pashmangshme. Një familje sundimtare, që kërcënon popullin e saj me luftë civile, ka marrë fund."

Këto sanksione mund të drejtohen kundër familjes Gaddafi – diskutohet për bllokimin e xhirokontove dhe ndalimin e udhëtimeve. Djali i Gaddafit Saif al-Arab, sipas njoftimeve të agjensive gjermane, bën një jetë luksoze në Mynih dhe mund të prekej nga kjo.

Më pak sukses qeveria gjermane deri tani ka patur në vendosjen e sanksioneve në nivel evropian. Kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi, i cili ka një komunikim paqësor me Gaddafin, ka frenuar përpjekjet përkatëse në takimin e ministrave të Jashtëm të BE në Bruksel. Kjo është vërejtur në mënyrë kritike nga opozita në Berlin. Jürgen Trittin, shefi i fraksionit të të Gjelbërve në parlamentin gjerman, kërkon më shumë angazhim nga ministri i Jashtëm Westerwelle dhe kancelarja Angela Merkel: „Eshtë e vërtetë se ministrat e Jashtëm të BE kanë shfaqur shqetësim, për këtë çështje. Ky qëndrim i zonjës Merkel dhe i zotit Westerwelle nuk është i mjaftueshëm. Tani menjëherë duhet ushtruar presion mbi Libinë."

Unruhen in Libyen
100 demonstrues protestojnë të hënën (21.02.2011) para ambasadë libiane në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

Trittin-in e preokupojnë veçanërisht bizneset fitimprurëse, që kompanitë evropiane kanë bërë vitet e fundit me klanin sundimtar në Tripolis dhe ndihmat që pavarësisht nga të gjitha, kanë vazhduar të jepen. „Eshtë e pabesueshme që BE vazhdon të mbajë ndihmën prej 50 milionë eurosh për mbrojtjen e kufirit libian dhe në të njëjtën kohë vazhdon negociatat për rikthimin e refugjatëve. Këtë ajo e bën në një situatë, kur shtetet evropiane përpiqen të evakuojnë shtetasit e tyre për shkak të gjendjes së sigurisë në Libi."

Gjermania bën përpjekje për kthimin e qytetarëve të saj

Ministria e Jashtme ka lëshuar një paralajmërim, ku këshillon të gjithë gjermanët, që ndodhen në këtë vend afrikanoverior të largohen që andej. Sipas ministrisë së Jashtme bëhet fjalë për 400 vetë. Shumica qëndrojnë aty për punë. Një numër i madh është kthyer tashmë me një avion të linjës, tha Guido Westerwelle. „Ambasada jonë në Tripolis dhe shtabi i krizës po punojnë për të larguar nga Libia gjermanët dhe familjarët e tyre, që kanë mbetur aty. Ne kërkojmë nga të gjithë kontaktoni me shtabin e krizës dhe me ambasadën, në mënyrë që të mund t'ju ndihmojnë."

Një avion tjetër i linjës dhe dy avionë transportues të Bundesverit janë nisur për të ndihmuar pjesën tjetër të gjermanëve,për t'u larguar nga vendi. ”Siguria e njerëzve tanë dhe familjeve të tyre”, tha Westerwelle në Berlin, kanë ”prioritet të lartë.”


Autor: Heiner Kiesel/Angjelina Verbica

Redaktoi: Eliana Xhani