1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Werder Bremeni mbështetë gratë në futbollin kosovar

18 Korrik 2009

Ekipi gjerman dëshiron të kontribuojë për zhvillimin dhe ndërtimin e strukturave të reja në futbollin kosovar. Werderi mbështet trainimin e të rinjve për t'u bërë trainerë - në radhë të parë gratë dhe vajzat e reja.

https://p.dw.com/p/Is4V
Interesimi është i madhFotografi: DW

Ato janë shpresa e futbollit të grave kosovare. Rreth 30 vajza të moshës nga 10 deri 16 vjeç, stërviten këto pasdite të nxehta në një fushë futbolli afër kryeqytetit Prishtina. Ato dëshirojnë të bëhen trainere. Gjatë stërvitjes ato i ndihmon Birte Brügmann. Tek Werder Bremeni ajo është drejtorja e sektorit të futbollit të grave:

"Vajzat janë shumë të motivuara dhe një pjesë e tyre edhe shumë të talentuara. Ngjashëm si në Gjermani është dhe këtu: kur u jep një dorë ato marrin vërtet krahë.

Fußball Trainerinnen Kurs in Pristina
Birte Brüggemann dhe Arfëdita FazliuFotografi: DW

Por jo gjithçka shkon mirë. Për shembull trainimi. “Sot pamë një senacë nxemje para ndeshjes, që të kujton pak 30 vitet e fundit, pra kjo është metodë e vjetëruar. Këtë unë kam kohë që nuk e kam parë. Ato jetojnë ende në botën e tyre të vjetër dhe prandaj në këtë fushë duhen modernizuar", thotë ajo.

Me kolegun e saj të Bremenit Björn Schierenbeck dhe trainerët e tjerë nga FC Basel, qëndrojnë në fushën e gjelbër dhe u japin këshilla trainereve të reja kosovare: Si mund të përmirësohen ushtrimet e topave me kokë, pasimet ose topat në portë etj.

"Ndihmo veten" është motoja e projektit që zgjat rreth 2 vjet, të cilën e ka vënë në jetë organizata SCORT nga Lichtensteini. Traineret kosovare duhet të formojnë grupe të pavarura ushtrimesh dhe të vazhdojnë punën e projektit si multiplikatorë. Përfaqësuesit e Werderit i kontrollojnë përparimet gjatë vizitave të tyre, që zhvillohen nga tre deri në gjashtë muaj. Për këtë projekt bashkëpunohet edhe me federatën kosovare.


Potenciali është shumë i madh, ndërsa kushtet e këqija


Afërdita Fazliu nga Ministria e Sportit është e gëzuar për ndihmat nga jashtë. Dalëngadalë edhe futbolli i grave do të krijojë profilin e vet, mendon ajo.

Fußball Trainerinnen Kurs in Pristina
Futbollistet e rejaFotografi: DW

“Është shumë interesant që shumë vajza të reja janë të interesuara për futbollin. Ka shumë vajza të reja që dëshirojnë të luajnë, por që nuk janë të talentuara. Për këtë arsye ne do të punojmë paralelisht. Së bashku me klubet profesionale, si Prishtina edhe të tjerët, dëshirojnë të gjejnë një zgjidhje që shumë të reja të mësojnë dhe të mundin të luajnë futboll. Kjo është më mirë se sa ato të qëndrojnë nëpër rrugë”, shpjegon Afërdita.

Potenciali është shumë i madh, pasi Kosova është një vend shumë, shumë i ri. 50% e popullsisë është nën moshën 25 vjeç. Futbollin e kanë qejf. Në të njëjtën kohë kushtet janë shumë të këqija. Vetë klubi Prishtina që mbahet si klubi më i madh, nuk ka fusha trainimi. Paratë për investimet e nevojshme nuk ekzistojnë. Problemet e kanë bërë të pamundur deri tani themelimin e liges së femrave futbolliste. Por në vjeshtë do të startojë më në fund një kampionat me tetë ekipe femrash. Fazliu shpreson për një fillim të ri: "Futbolli i grave në Kosovë ka një traditë. Veçanërisht në vitet 80', kur unë kam luajtur vetë në të vetmin ekip të ligës së parë klubin Prishtina. Dhe tani jam e sigurt që futbolli i grave përsëri ka një të ardhme të mirë”.


Shpresat për përmirësim


Dhjetë vjet pas luftës, në Kosovë, në vendin me dhjetra probleme rrezaton një tjetër shpresë. Krahas varfërisë dhe numrit të lartë të të papunëve edhe gjendja politike është e rëndë: Në shkurt të 2008 Kosova shpalli pavarësinë. Megjithatë jo të gjitha vendet e kanë njohur atë. Akoma në vend janë të stacionuar një numër i madh ushtarësh të KFOR-it, për të mbikqyrur paqen. Por këto probleme nuk do të luajnë asnjë rol në fushën e futbollit ku sportdashësit thërrasin: Prishtina! Prishtina!

Autor: Felix Hoffmann/Mimoza Cika - Kelmendi

Redaktoi: Bahri Cani