1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Gjermania është vendi më i civilizuar i Evropës"

11 Maj 2017

Gjermanët do të bënin mirë t'i linin mënjanë komplekset dhe të marrin drejtimin e Evropës: kjo është dëshira e Nobelistit të paqes dhe ish-Presidentit të Polonisë, Lech Walesa, në intervistë me DW.

https://p.dw.com/p/2ckbY
Lech Walesa
Fotografi: M. Biedrzycki /Lech-Walesa-Institut

DW: Në cilin drejtim po lëviz Evropa?

Lech Walesa: Kjo është një pyetje e mirë, për të cilën duhet të gjejmë një përgjigje. Duhet të shtrojmë pyetjen për themelet e Evropës, për sistemin e saj ekonomik, për modelin e saj të demokracisë.

Ne duhet të përballemi me populizmin, demagogjinë dhe shpërdorimin e pushtetit nga ana e politikanëve. Duhet ta marrim seriozisht atë që thotë rruga: sepse njerëzve nuk u pëlqen, e kanë humbur besimin te partitë. Le të shikojmë Francën: asnjëra nga partitë tradicionale nuk mundi t'i dërgojë atje kandidatët e saj në zgjedhjet e balotazhit. President do të bëhet një kandidat i pavarur, që nuk i përket asnjë partie. Kjo na mëson se strukturat që kemi nuk përshtaten me realitetin. Po hyjmë në një epokë të re dhe kemi nevojë për një debat për struktura të reja.

Më 4 qershor 2014, ish-Presidenti i SHBA, Barack Obama mbajti në sheshin e Kështjellës në Varshavë një fjalim historik, para shumë kryetarësh shtetesh të Evropës. Ai ju falenderoi edhe ju, për kontributin tuaj për përmbysjen e komunizmit dhe për çlirimin e Evropës Lindore. Çfarë ndieni kur ju duhet të përjetoni, siç ndodhi para pak ditësh, në të njëjtin vend ku u mbajt fjalimi, një marshim të radikalëve të djathtë me simbole nacionaliste?

Nuk kemi zgjidhje. Dhe atje ku nuk ka zgjidhje zgjohen demonët. Disa shkojnë shumë larg drejt së djathtës në kërkimin e tyre; të tjerë, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëjnë një zgjedhje të çuditshme. Prandaj duhet ta avancojmë debatin për zgjidhje më të mira. Duhet ta përmirësojmë demokracinë tonë. Po të mos e arrijmë këtë, do të ndodhë një revoltë.

Dhe cili është drejtimi në të cilin lëviz tani Polonia?

Lech Walesa drejton grevën në Kantierin Lenin në Gdansk, 1980
Lech Walesa drejton grevën në Kantierin Lenin në Gdansk, 1980Fotografi: picture-alliance/dpa/Lehtikuva Oy

Polonia kërkon tepër në të djathtë, ne e përziejmë shumë fenë me politikën. Por këtu kemi të bëjmë me një kërkim, sepse shumë nga ato që kemi ndërtuar në Poloninë e re, janë të papërfunduara.  Ajo që ndodh tani, ka të bëjë me zhvillime të gabuara. Kërkesa që na shtrohet neve është që të gjejmë zgjidhje të mira. Sepse diagnoza është në të gjithë Evropën e njëjta. Pakënaqësia është kudo. Prandaj ka rëndësi shërimi. Ata që qeverisin në Poloni ndjekin një terapi të gabuar. Duhet t'i zgjidhësh problemet, por jo në një mënyrë që i shkatërron parimet e demokracisë. Jo kështu.

Çfarë duhet bërë për t'i ndaluar populistët?

T'u vësh emrin gjërave që nuk na pëlqejnë. Të ngresh programe dhe struktura përkatëse. Ta detyrosh në zgjedhjet e ardhshme politikën që ta vërë këtë në jetë.

E djathta polake preferon t'u referohet paragjykimeve antigjermane dhe flet për skenare të frikshme për një dominancë gjermane. Ai shihni ju gjermanët si kërcënim?

Unë kam të drejtë ta them këtë që them, sepse kam humbur në luftë babanë: Gjermania është sot vendi më i civilizuar i Evropës. Po gjermanët kanë komplekse. Ata duhet t'i braktisin komplekset dhe të marrin në dorë drejtimin e Evropës, sepse si fuqia më e madhe ata mbajnë përgjegjësi për zhvillimin e Evropës.

Ne shohim se ka disa që duan ta shkatërrojnë Evropën. Gjermanët duhet të jenë të përgatitur dhe të themelojnë pesë minuta pas shpërbërjes së saj, një Evropë të re, vetëm më të mençur!

 

Bisedën e zhvilloi Bartosz Dudek.