1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Várhelyi: Shqipëria më pranë se kurrë hapjes së negociatave

8 Tetor 2020

Kryerjen e reformës zgjedhore dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi i sheh si test për Shqipërinë këtë vit. Të mërkurën ai vizitoi disa orë Tiranën.

https://p.dw.com/p/3jbRy
Albanien | Parlament | Oliver Varhelyi
Olivér Várhelyi duke folur të mërkurën në Parlamentin e ShqipërisëFotografi: Parliament of Albania

Vlerësim i progresit të deritanishëm për reformat, mbështetje e përforcuar nga BE, inkurajim për të plotësuar kushtet e Këshilit Europian dhe Bundestagut gjerman! Në këto tri drejtime u përqëndruan mesazhet që dha të mërkurën në Tiranë, Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Várhelyi gjatë vizitës së tij disa orëshe për të prezantuar Progres Raportin 2020 të Komisionit Europian, (KE) për Shqipërinë dhe Planin gjithëpërfshirës Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, të sapomiratuar nga KE.

Në fjalën e tij në Kuvendin e Shqipërisë, Várhelyi theksoi, se "e ardhmja e Shqipërisë dhe rajonit është integrimi në Bashkimin Europian. Jemi në një moment vendimtar, ku Shqipëria është më pranë se kurrë fillimit të negociatave të pranimit. Shqipëria duhet ta ruajë vrullin dhe të vazhdojë reformat e saj në fushat e treguara në Konkluzionet e Këshillit Europian të marsit”. Duke rikonfirmuar mbështetjen e përforcuar të BE për progresin e BP drejt hyrjes në BE ai tha në Kuvend se KE është përqëndruar nën tri pista kryesore,” rigjallërimin e procesit të zgjerimit, hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përshpejtimin e konvergjencës ekonomike të rajonit me BE”.

Albanien Oliver Varhelyi und Premierminister Rama
Oliver Varhelyi dhe kryeministri Rama në konferencën për shtyp, janar 2020Fotografi: DW/A. Rui

Që Shqipëria të hapë zyrtarisht negociatat e hyrjes në BE...

Komisioneri i  Olivér Várhelyi bëri të qartë për autoritetet e Tiranës dhe drejtuesit politikë se testi për të merituar Konferencën e Parë Ndërqeveritare të BE për Shqipërinë, brenda këtij viti, është përfundimi i një reformë zgjedhore të besueshme dhe i një Gjykate Kushtetuese, po të besueshme. "Kam mirëpritur rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020 për zgjedhjet, e cila zbaton rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Inkurajoj të gjitha palët që të mbajnë fokusin tek këto reforma të domosdoshme të Shqipërisë, përfshirë reformat që parashikohen në marrëveshjen e 5 qershorit.  Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare, Na duhet një reformë e besueshme zgjedhore në bazë të së cilës të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Ky do të jetë testi. Këto lloj zgjedhjesh do të jenë testi për për konferencën e parë ndërqeveritare që besoj do të ndodhë sivjet”, theksoi Olivér Várhelyi. Ai e konsideroi si sfidë edhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe vetingun. "Vetingu është i rëndësishëm”, tha Varhelyi.

Përmirësimi i klimës së biznesit

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, ai dha detaje për Planin Ekonomik dhe gjithëpërfshirës për BP, të sapomiratuar në KE. "Plani, do të na ndihmojë të integrohemi gradualisht si rajon, me tregun europian, paralelisht me proceset individuale të integrimit për objektivat individuale të vendeve të BP që kanë të bëjnë me shtetin e të drejtës, me funksionimin e institucioneve dhe me gjithë ngrehinën shtetërore që shkon në procesin e monitorimit të vazhdueshëm nga BE-ja”, u shpreh Várhelyi.

Albanien | Stadtansicht Tirana
Fotografi: DW/A. Ruci

Në këtë kontekst komisioneri i BE vuri në dukje që "klima e investimeve është shumë kyçe, vendimtare për Shqipërinë. Por po ashtu dhe sundimi i ligjit luan një pjesë tejet të rëndësishme në këtë aspekt, ku BE i duhet që klima e biznesit të jetë e garantuar, ku  të ketë një gjyqësor të pavarur, ku të kemi parashikueshmëri. Parashikueshmërinë e të gjithë mjediseve që kanë të bëjnë me aktivitetet e biznesit”.

Komisioneri Oliver Várhelyi theksoi se BE dëshëron "të ketë një ndikim madhor në rajon.” "Plani gjithëpërfshirës ekonomik dhe i Investimeve mund të ndryshojë panoramën e të gjithë rajonit, në mënyrë të konsiderueshme për 4-5 vitet e ardhshme. Kemi përcaktuar 9 miliardë euro me grante për këtë plan. Po bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë, me institucionet ndërkombëtare financiare, në mënyrë që të arrijmë të gjithë këto fonde edhe me 20 miliardë euro shtesë në garanci. Pra, pothuajse 30% e të gjithe PBB-së të të gjithë rajonit”.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana