1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vuajtjet e të internuarve nuk mund të përcillen me përpikmëri

Silke Oppermann29 Prill 2006

Sot para 61 vjetësh, pra më 29. prill 1945, u çlirua kampi i përqëndrimit në Dachau. Në sipërfaqen e dikurshme të këtij kampi është ngritur sot një qendër përkujtimore. Qëllimi i saj është që të mos harrohen krimet e periudhës naziste, në mënyrë që ato të mos përsëriten më.

https://p.dw.com/p/Ar0k
Pamje nga çlirimi i kampit të përqendrimit në Dachau
Pamje nga çlirimi i kampit të përqendrimit në DachauFotografi: AP

Ish-kampi i përqëndrimit Dachau në afërsi të Mynihut vizitohen çdo ditë nga qindra vizitorë. Rreth gjysma e tyre janë të rinj gjermanë, të tjerë janë vizitorë të huaj. Ata kalojnë me fytyra serioze përpara eksponateve duke u përpjekur të përfytyrojnë se çka ndodhur këtu në periudhën 1933 - 1945.

Michael Franke është ciceron. I riu me flokë të verdha dhe me piercings në buzö dhe në vetull tregon për të kaluarën duke e sjellë disi më pranë historinë: "Të burgosurit kalonin në këtë rrugë dhe kalonin më pas portön e hekurt. Kjo ishte e vetmja portë për të hyrë dhe dalë nga ky i ashtuquajtur kamp mbrojtës."

Në portën e kampit të Dachaut, si dhe në portat e shumë kampeve të tjerë të përqëndrimit mund të lexosh fjalinë "Puna të bën të lirë". Një fjali cinike kjo, sepse njerëzit silleshin në këto kampe përqëndimi për të punuar dhe për të vdekur më pas prej punës së rëndë, sëmundjeve apo ushqimit të pamjaftueshëm.

Megjithatë kampi i Dachaut nuk ishte kap shfarosjeje. Në këtë kamp nuk pati dhoma gazi. Ky kamp që u ngrit në mars të vitit 1933 shërbente fillimisht për internimin e komunistëve dhe social-demokratëve gjermanë që kundërshtonin politikën e Hitlerit. Më pas në të dërgoheshin sinti dhe roma me prejardhje gjermane, homoseksualë, kriminelë, njerëz asocialë, të pastrehë e kështu me radhë. Për këta përdorej termi "njerëz që kanë nevojë për mbrojtje" dhe për t'i mbrojtur i mbanin nëpër kampe të tilla përqëndrimi si në Dachau. Kategori të tilla konsideroheshin prej nacional-socialistëve si njerëz të dorës së dytë.

Me fillimin e luftës në këtë kamp u sollën edhe njerëz nga rreth 40 vende të botës. Për të gjithë ata jeta në kamp dhe punët që duhet të bënin në fabrikat përreth ishin mjaft të vështira. Por ata u nënshtroheshin edhe torturave, apo eksperimenteve mjeksore të nazistëve.

Ciceroni Michael Franke ua tregon të gjitha këto histori vizitorëve të shumtë. Kur kthehem në shtëpi, tregon ai dhe, nën këmbët e mia kërcet i njejti zhavor si dikur nën këmbët e mijëra të internuarve, më shkojnë në mend lloj mendimesh dhe idesh. Ai e ka të qartë se ato që u tregon vizitorëve nuk do të arrijnë kurrë të përcjellin me përpikmëri mjerimin dhe vuajtjet e të internuarve në Dachau. Megjithatë ai shpreson se vizitorët, sidomos të rinjtë mësojnë diçka nga kjo vizitë:

"E vetmja gjë që mund t'u mësojmë vizitorëve është që ato që kanë ndodhur në Ausshvic dhe kampe të tjerë nuk duhet të ndodhin më. Por njëkohësisht është e qartë se vizita në një vend të tillë nuk mund të të bëjë të ndjesh, atë vuajtje dhe mjerim që kanë përjetuar ata që kanë të mbyllur këtu. Në këtë mes hyn në veprim kujtesa jonë, dhe kujtimi që u bëjmë këtyre ngjarjeve."