1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vritet zëvendësministri i jashtëm irakian Basam Kuba

Jörg Kaminski12 Qershor 2004

Atentatorët e panjohur e ndërmorrën këtë akt një ditë pas thirrjes së një udhëheqësi sunit për dhunë kundër mbështetësve të amerikanëve.

https://p.dw.com/p/AqvB
Pllakatë demonstruesish kundër shfrytëzimit të naftës irakiane nga SHBA
Pllakatë demonstruesish kundër shfrytëzimit të naftës irakiane nga SHBAFotografi: AP


Lagja e Bagdadit Adamija përshkohet nga shumë rrugica të ngushta me qindra dyqane të vogla. Njerëzit që banojnë këtu janë të varfër dhe besimtarë. Fëmijët e tyre, kështu u thonë banorët të huajve, duhet të jetojnë një ditë më mirë se ata.Prandaj ata ndërmarrin shumë iniciativa, për shembull për të ndërtuar shkolla në këtë pjesë të qytetit. Në rajonin e Adamisë, shumica e popullsisë është sunitase, por ata jetojnë në paqe me grupet e tjera të popullatës. Kjo lagje deri tani njihej për punishtet e mira të zanatcinjve.

Kurse tani kjo lagje tërheq vëmendjen në lajme për arsye krejt të tjera. Sot në mëngjes, rreth orës 7, zëvendësministri i jashtëm irakian Basam Kuba doli nga shtëpia e tij në Adamija për të shkuar në punë. Pak pas kësaj, mercedesi i tij u bardhë u ndodh nën breshërinë e plumbave. Dy ose tri burra, u tha, hapën zjarr kundër Kubës dhe truprojave të tij. Politikani shiit vdiq një orë më vonë në një spital të afërt nga plagët e rënda në bark.

Kuba ishte njëri nga diplomatët më me përvojë të Irakut. Javën e kaluar, si anëtar i delegacionit të vendit të tij ai udhëtoi edhe për në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Nën Sadam Huseinin, Kuba bëri karrierë në shërbimin diplomatik- gjë e pazakontë për një shiit në këtë kohë. Pas përmbysjes së diktatorit, 60 -vjecari bëntë pjesë në grupin që u ngarkua me ngritjen e ministrisë së jashtme irakiane. Së bashku me zonjën Akila el Hashimi ai krijoi strukturat ende në fuqi të kësaj ministrie. Në shtator 2003 ai përjetoi se si kolegia e tij u vra nga atentatorët. Më 17 maj, kryetari i radhës i këshillit qeveritar irakian, Isedin Salim u vra në një atentat me kamikaz ndaj autokolonës së automjeteve të tij. Dhe vetëm këtë javë, po në lagjen Adamija u ushtrua një atentat kundër zëvendësministrit të shëndetësisë së Irakut. Por truprojat e tij arritën t'i bëjnë atentatorët të marrin arratinë.

Të gjithë anëtarët e qeverisë irakiane janë të ndërgjegjshëm se bëjnë pjesë në eksponentët e preferuar për atentate nga grupet e rezistencës. Pas atentateve të fundit tri javë më parë ata patën kërkuar mbrojtje më të mirë nga trupat amerikane. Dan Senor, zëdhënës i administratës amerikane i justifikoi masat e ndërmarra tashmë:"Siguria juaj ka rëndësinë më të madhe për ne. Prandaj ju kemi ofruar ndihmë financiare, truproja, automjete speciale, armë dhe programe për stërvitje për kushtet e sigurisë.

Jo më larg se dita e djeshme, një udhëheqës fetar sunit u bëri thirrje në xhaminë e Adamijas ish -ushtarëve të ushtrisë së Sadam Huseinit që ta mbështesin luftën kundër amerikanëve. Ai i akuzoi ata se vetëm bëjnë sehir se si të rinj pa përvojë e marrin përsipër këtë detyrë.

Atentate kundër politikanëve që bashkëpunojnë me SHBA priteshin pas përvojave më të fundit. Pjesëtarët e rezistencës duan të krijojnë një klimë pasigurie në vend me atentatet e tyre edhe kundër policëve irakianë, pikërisht para marrjes së pushtetit të qeverisë së re.