1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vrasjet e planifikuara nuk janë të paligjshme

Bettina Marx14 Dhjetor 2006

Gjykata Supreme në Izrael miraton vrasjet e planifikuara në raste të caktuara

https://p.dw.com/p/ArJt
Vrasjet e planifikuara të ushtrisë izraelite u kushtojnë jetën shumë palestinezëve të pafajshëm
Vrasjet e planifikuara të ushtrisë izraelite u kushtojnë jetën shumë palestinezëve të pafajshëmFotografi: AP

Ushtria izraelite prej vitesh vret në mënyrë të planifikuar militantë palestinezë në Rripin e Gazës dhe Jordanin Perëndimor. Sipas të dhënave të organizatave izraelite të të drejtave të njeriut gjatë gjashtë viteve të fundit që prej shpërthimit të Intifadës rreth 500 palestinezë kanë humbur jetën në vrasje të planifikuara, ndër të cilët shumë të pafajshëm. Tani Gjykata Supreme në Izrael ka miratuar vrasjet e planifikuara në raste të caktuara.

Në të vërtetë ai nuk është më fare në post. Rreth tre muaj më parë presidenti i Gjykatës Supreme izraelite Aharon Barak doli në pension. Por mbi skrivaninë e tij gjendeshin ende një numër çështjesh të pazgjidhura juridike për të cilat ai duhej të vendoste. Këtë javë vendimet pasuan njëri-tjetrin. Vendimi mbi ligjshmërinë e të ashtuquajturave "vrasje të planifikuara" është vendimi i fundit gjyqësor për të cilin mban përgjegjësinë Aharon Barak. Vendimi u prit me tension. Ai u bë publik të enjten (14.12)në mënyrë jo shumë spektakolare në faqen e internetit të Gjykatës Supreme.

Instanca gjyqësore prej tre vetësh nën ish kryegjyqtarin vendosi se vrasjet e planifikuara nuk janë të paligjshme. Ato nuk bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Megjithatë ato duhet t'iu nënshtrohen kritereve të rrepta dhe duhet gjykuar rast për rast. Kështu duhet të ketë informacione bindëse mbi terroristët që do të vriten. Çdo mundësi tjetër për ta ndaluar atë duhet të jetë ezauruar dhe gjithashtu duhet reduktuar në minimum rreziku i cënimit të të pafajshmëve gjatë një sulmi eventual.

Ministri izraelit i mjedisit Gideon Ezra, ish shefi i shërbimit sekret në vend Shabak, tha në radion izraelite se ushtria izraelite i ka respektuar gjithnjë këto rregulla: "Vendimi i gjykatësit Barak është në fakt ajo që zbatohet në praktikë. Rikujtojmë se ne fillimisht përpiqemi të ndalojmë çdo terrorist. Vetëm kur nuk ia dalim mbanë jemi të detyruar t'i ndalojmë me mënyra të tjera planet e tij dhe kjo ndodh me vrasjet e planifikuara."

Ezra u shpreh i indinjuar mbi vendimin e tre gjykatësve të lartë sipas të cilit të pafajshmit të cilët përfundojnë në gjendje të dëshpëruar nga një vrasje e planifikuar kanë të drejtë të padisin për zhdëmtim shtetin e Izraelit: "Kur izrealitët plagosen nga palestinezët a paguajnë këta zhdëmtime? Unë nuk e kuptoj këtë vendim. Ne nuk duam të godasim asnjë palestinez, ne luftojmë kundër organizatave terroriste që na sulmojnë. Dhe tani duhet të zhdëmtojmë të dyja palët për diçka që nuk duam t'a bëjmë? Kjo nuk është e mundur."

Gjykatësit në Gjykatën Supreme izraelite i dhanë mjaft kohë vetes për marrjen e vendimit. Pesë vjet më parë dy organizata izraelite për të drejtat e njeriut kishin ngritur padi duke kërkuar që praktika e vrasjeve të planifikuara të ndalohej. Në shkurt të vitit 2005 procesi u ndërpre pasi kryeministri Ariel Sharon dhe presidenti i palestinezëve Mahmud Abaz ranë dakort për një armëpushim dhe dhënien fund vrasjeve. Një muaj më parë organizata e refuzuesve të shërbimit të detyruar ushtarak Yesh Gvul u ankua në Gjykatën Supreme për gjyqtarët dhe kërkoi një vendim të shpejtë.

Në Izrael mbizotëron një konsensus i gjerë se vrasjet e planifikuara janë shpesh mjeti i vetëm për të asgjesuar terroristët të cilët kërcënojnë popullsinë civile izraelite. Ami Ayalon ish gjeneral nga krahu i majtë i Partisë Laburistë izraelite flet në emër të shumë izraelitëve kur thotë se: "Kush kundërshton logjikën e vrasjeve të planifikuara duhet t'i ofrojë shtetit të Izraelit një tjetër mundësi për t'u mbrojtur. Ndryshe jemi vërtet një demokraci që kryen vetëvrasje."