1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vrasje politike në Mahabad

Davoud Khodabakhsh16 Gusht 2005

Zhvillimet në Turqi dhe në veri të Irakut nxisin përpjekjet për autonomi edhe të kurdëve në Iran

https://p.dw.com/p/ArOP
Hartë e zonave të banuara nga kurdë
Hartë e zonave të banuara nga kurdëFotografi: APTN

Kur mediet ndërkombëtare flasin për çështjen e kurdëve, fokusi është në shumicën e rasteve mbi Turqinë ku në përleshjet mes forcave qeveritare dhe rebelëve kurdë gjatë dhjetëvjeçarëve të shkuar janë vrarë më shumë se 30.000 vetë. Kohët e fundi megjitatë situata duket se është çtensionuar. Kur nuk flitet për kurdët në Turqi atëherë vështrimi drejtohet kryesisht mbi krahinat kurde në veri të Irakut të cilat gëzojnë një autonomi relative. Shpesh harrohet që edhe në Iran jetojnë rreth gjashtë milionë kurdë kryesisht në rajonet malore kufitare në perëndim të vendit. Zhvillimet në krahinat kurde në vendet fqinje ndiqen atje jo vetëm me vëmendje por mesa duket kanë kontribuar edhe në krijimin e një ndërgjegjeje të re kulturore dhe politike të kurdëve iranianë të cilët shtypen me egërsi nga regjimi në Teheran ku nuk përjashtohen as vrasjet politike.

Në mes të korrikut në qytetin Mahabad u vra aktivisiti politik Kamal Asfarun. Për shumë kurdë ai ishte një aktivist shembull i cili anagazhohej për të drejtat e tyre. Qeveria në Teheran nga ana e saj e konsideronte të vrarin të njohur në Iran me emrin Shvane Sejed-Ghaderi si nxitës trazirash dhe e cilëson madje kriminel. E sigurtë është që vrasja e tij nga agjentët e sigurimit të rregjimit të mullave në Teheran ka provokuar në provincën iraniane të Kurdistanit një kryengritje të fortë. Gjatë përleshjeve të shumta mes demonstruesve kurdë dhe forcave të sigurisë që prej mesit të korrikut nuk janë shkatërruar vetëm ndërtesa të administratës dhe qeverisë. Ka patur edhe të vrarë dhe të plagosur. Të dhëna të sigurta mbi numrin e të vrarëve nuk ka. Organizata për të drejtat e njeriut "Human Rights Watch" flet për të paktën 17 të vrarë në rradhët e demonstruesve dhe kundërshtarëve të qeverisë dhe i referohet të dhënave të organizatave kurde. Sipas të dhënave të Dojçe Veles rreth 500 vetë janë ndaluar nga autoritetet.
Aktivistët kurdë në intervista me Dojçe Velen fajësojnë qeverinë për këtë shkallëzim të situatës. Aktivistja për të drejtat e grave e arrestuar ndërkohë nga autoritetet iraniane, Roya Tuloui nga qyteti Sanandaxh, në një intervistë me radion Dojçe Vele, tregoi për një letër drejtuar qeverisë në të cilët aktivistët kurdë kërkonin lirimin e të burgosurve politikë dhe një proçes gjyqësor kundër vrasësve të aktivistit kurd Shvane. "Eshtë fjala për dhunën e organeve të sigurisë kundër qytetarëve kurdë. Vrasjet e kurdëve nuk janë gjë e re në Iran. Që prej mëse 26 vjetësh e kemi këtë problem. Edhe vëllai im më i vogël është vrarë me armë zjarri në vitin 1992 nga një Pasdar (kështu quhen militantët mbrojtës të revolucionit). E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shumë të rinj të tjerë në provincën Kurdistan. Por njerëzit aty vetëm gjatë viteve të fundit kanë gjetur kurajon për të ngritur zërin dhe protestuar me mjete paqësore. Si kurde dhe aktiviste për të drejtat e njeriut unë u bëj thirrje të gjitha organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të vijnë këtu për të parë vetë problemet e kurdëve. Tani përsëri po provohet të na mposhtin me dhunë dhe brutalitet" - shprehej në intervistën për Dojçe Velen, Roja Tuloui.
Aktivistja ende në burg, flet për një diskriminim të vazhdueshëm të kurdëve megjithëse ata e konsiderojnë veten shtetas iranianë. Edhe në një raport të kohëve të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara regjimi i Teheranit akuzohet për diskriminim e krahinave të banuara nga kurdë dhe pakica të tjera etnike: në rajonet e kurdëve furnizimi me ujë dhe energji elektrike është veçanërisht i keq thuhet në raportin e OKB-së dhe ndërtimi i infrastrukturës atje është fare i pamjaftueshëm.
Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1997 shumë kurdë patën votuar për reformatorin Mohamad Katami. Por mosbesimi i krijuar mes kurdëve dhe qeverisë në Teheran nuk u reduktua. Nën qeverisjen e presidentit të ri, Mahmud Ahmadinexhad, të konsideruar si fetar i vijës së ashpër, gjendja e kurdëve rrezikon të përkeqësohet më tej.
Aspiratat e kurdëve për më shumë pavarësi motivohen edhe nga zhvillimet në vendet fqinje në të cilat jetojnë gjithashtu pakica të konsiderueshme kurde: në Irak tani kurdët gëzojnë një autonomi de facto nga e cila synojnë të ruajnë sa më shumë në sistemin e ardhshëm federalist. Përveç kësaj në Irak me Xhalal Talabanin tani vendi ka një president kurd gjë që është gjithashtu një fakt sinjalizues.
Kurdët iranianë hedhin vështrimin edhe drejt Turqisë ku kohët e fundit ka patur ndryshime përsa i përket çështjes kurde. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan ka bërë të qartë se edhe më tej do të luftojë Partinë Kurde të Punës, PKK. Megjithatë ai ka deklaruar se shteti turk në të kaluarën ka bërë disa "gabime" në trajtimin e shtetasve me orgjinë kurde në juglindje të vendit. Ai ka folur hapur për egzistencën e "problemit kurd" të cilin qeveria synon ta zgjidhë përmes zgjerimit të strukturave demokratike dhe rritjes së mirëqënies:"Çështja kurde këtu tek ne nuk është një problem që mund të zgjidhet me separatizëm, dhunë apo me metoda të tjera që prishin rendin publik. Kjo çështje ashtu si shumë të tjera të papërmendura deri tani, si problemet ekonomike, politike apo kulturore nuk mundet dhe nuk duhet të konsiderohet e ndarë nga parimet themelore të vendit tonë. Të gjitha këto çështje duhen trajtuar nën ombrellën e madhe të demokratizimit, pavarësisht nga termat që përdoren: "kërkesat publike të shtetasve me orgjinë kurde", "çështja e Juglindjes" apo "çështja kurde"-është shprehur kryeministri turk.
Kthesa në qëndrimin e qeverisë turke në trajtimin e çështjes kurde dhe autonomia e gjerë e kurdëve në veri të Irakut mesa duket kontribuojnë në forcimin e ndërgjegjes së kurdëve iranianë në kërkimin e të drejtave të tyre kulturore dhe politike.