Vrasje për hakmarrje - Hije e rëndë mbi marinsat amerikanë në Irak | Bota | DW | 31.05.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vrasje për hakmarrje - Hije e rëndë mbi marinsat amerikanë në Irak

Në rast se akuzat dalin të vërteta atëhere do të kemi të bëjmë me krimin më të rëndë që kanë kryer ushtarët amerikanë në Irak që prej fillimit të invazionit të tyre. Sipas hetimeve, të cilat pritet të përfundojnë së shpejti në nëntor të vitit të kaluar një grup marinsash dyshohet se kanë vrarë në Haditha 200 km në veriperëndim të Bagdadit 24 civilë irakianë të paarmatosur, ndër ta edhe gra dhe fëmijë.

Pamje nga masakra amerikane në Haditha

Pamje nga masakra amerikane në Haditha

Dalëngadalë po dalin në shesh gjithnjë e më shumë gënjeshtra. Numri i irakianëve të vrarë në Haditha 200 km në veriperëndim të Bagdadit, në provincën Anbar një zonë në të cilën janë ndërmarrë shumë aksione dhe sulme kundër amerikanëve nuk është 15 sikurse ishte thënë më parë por 24. Po ashtu viktimat që ishin civilë irakianë të paarmatosur, ndër ta edhe gra dhe fëmijë nuk ishin vrarë prej një bombe që kishin hedhur rebelët, por ishin pushkatuar prej një trupe elitë të marinsave amerikanë, ndoshta në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e 15 ushtarëve amerikanë, të vrarë një javë përpara kësaj masakre.

Gazetat "New York Times" dhe "Los Angeles Times" sjellin hollësi për hetimet të cilat në pjesën më të madhe kanë përfunduar, por që ende nuk janë botuar, duke sqaruar edhe për pasojat që do të sjellin ato me vete. Njëra prej tyre është pështjellimi në radhët e politikanëve amrikanë të cilët kanë frikë se në Irak po përsëritet një "My Lai" i ri. Në My Lai të Vietnamit ushtarët amerikanë ekzekutuan në vitin 1968 më tepër se 500 civilë. Ky akt u dënua më vonë ashpër në të gjithë botën. John Murtha, vetë veteran i nderuar me shumë dekorata të larta për luftën në Vietnam, sot kongresmen demokrat është i shokuar:

"Ata kanë hyrë nëpër shtëpi dhe kanë vrarë gra e fëmijë, dy herë më tepër sesa u njoftua në fillim."

Për herë të parë për ngjarjen në Haditha njoftoi para disa muajsh revista "Times". Asokohe ushtria amerikane mendonte se mund ta maskonte këtë ngjarje. Tani nga Ministria e Mbrojtjes mësohet se janë shkarkuar nga detyra si komandantë tre oficerë, si dhe kanë filluar hetimet nën akuzën për vrasje ndaj një rreshteri dhe disa ushtarëve. Murtha, i cili ka kohë që kërkon tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, të cilat sipas tij janë tërësisht të mbingarkuara prej detyrës, mendon se po vërtetohen supozimet e tij më të këqia:

"Nuk pati as përleshje dhe as bombë që i vrau këta njerëz të pafajshëm. Ushtarët tanë janë nën një presion aq të madh sa që në këtë rast kanë reaguar në afekt dhe i kanë vrarë ata pa skrupull."

Ushtria ka filluar që tani me përgatitjet për ditën kur do të botohet raporti i grupit hetimor. Deputetët e kongresit dhe senatorët janë informuar disa herë për stadin e hetimeve për të shmangur në këtë mënyrë, sikurse thuhet, revolta të reja si atëhere kur u bë publik skadali për torturat në burgun e Abu-Ghraibit. Deri tani me sa duket kjo strategji po funksionon. Senatori John Warner, kryetar i komisionit për ushtrinë, përpiqet që të duket sa më pak i shqetësuar, megjithëse e pranon edhe vetë se:

"Kam më tepër se 30 vjet përvojë me ushtrinë dhe duhet të them se kjo çështje është relativisht serioze."

Çështja është madje aq serioze sa komandanti i marinsave amerikane, gjenerali Michael Hagee, u nis me urgjencë në Irak për t'u ngulitur edhe një herë në kokë trupave të tij rregullat e kodit të sjelljes në luftë kundër terrorit. Marinsat amerikanë e konsiderojnë veten si elitë të trupave amerikane jo vetëm për shkak të guximit psiqik, por para së gjithash për kodin e tyre të nderit. Në himnin e marinsave thuhet "Mbani të pastër nderin tonë", fjalë që pas lajmeve nga Haditha të lënë pas një shije të hidhur.

"CNN" citoi pjesë nga fjalimi i gjeneralit Hagee përpara njësive të trupave elitë:

"Ne e përdorim dhunën jo si qëllim në vetvete dhe vrasim vetëm kur një gjë e tillë eshtë e justifikuar, e kërkojnë rrethanat dhe para së gjithash është e ligjshme."

Vrasjet në Haditha nuk i plotësonin asnjë prej këtyre kritereve.

  • Data 31.05.2006
  • Autor Carsten Schmiester
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLO
  • Data 31.05.2006
  • Autor Carsten Schmiester
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLO
Reklamë