Votimi i qeverisë afgane në parlament sukses i pjesshëm për Karzain | Bota | DW | 21.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Votimi i qeverisë afgane në parlament sukses i pjesshëm për Karzain

Parlamenti i Afganistanit votëbeson qeverinë duke rëzuar pesë nga njëzet ministrat. Pavarësisht nga kjo pozita e presidentit është e fortë.

Parlamenti në Kabul

Parlamenti në Kabul

Ndonëse ngadalë demokracia në Afganistan po zhvillohet. Pas një seance maratonë prej dy javësh Volozi Xhirga (Wolosi Jirga), dhoma e ulët afgane, të enjten i dha votëbsimin kabinetit të ri qeveritar, e bashkë me të edhe ministrit të ri të punëve të jashtme, Rangind Dadfar-Spanta, i cili ka jetuar njezët vjet në Gjermani. Pesë ministrave nuk iu dha votëbesimi, ndër to ishte edhe e vetmja grua kandidate për ministre. Në Afganistan, vend ky i tronditur prej luftës civile, së kalurës së Talibanëve si dhe nga përçarja etnike, janë në fuqi parime ndryshe nga ato të demokracive perëndimore. Parë nga një perspektivë e tillë rezultati mund të vlerësohet vetëm si një sukses i pjesshëm për presidentin Hamid Karzai.


Formalisht ishte vetëm një ristrukturim i kabinetit, por në aspketin historik kjo duhet vlerësuar: për herë të parë në historinë e Afganistanit kabineti i një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike gëzon besimin e një parlamenti gjithashtu të legjitimuar në mënyrë demokratike. Edhe per presidentin Hamid Karzai ishte një përvojë e re, që kandidatët për ministra të emëruar prej tij duhej t´u përgjigjeshin pyetjeve kritike të parlamentarëve. Gjatë pesë viteve të fundit ai e ka drejtuar vendin pa kontroll parlamentar dhe në mënyrë gjithnjë e më autoritare. Ndërsa tani atij iu desh të pranojë, që pesë nga kandidatët e propozuar për ministra të rrezoheshin, ndër to ishte edhe e vetmja grua Suraja Rahim Sabarang si dhe kandidati për ministrinë e ekonomisë Mohamed Amin Farhang, që ka jetuar rreth njëzet vjet në Gjermani. Megjithatë një tjetër post i rëndësishëm siç është ministria e jashtme iu besua Rangin Dadfar-Spanta, që ka jetuar mëse njëzet vjet në Gjermani.

Për të evituar ndonjë shuplakë të fortë parlamentare Karzai i la vetes mjaft kohë në dispozicion për krijimin e qeverisë duke zgjedhur me kujdes secilin kandidat për ministër. Një rol të rëndësishëm në përzgjedhje ka luajtur kriteri i komptencës profesionale. Por jo më pak e rëndësishme ka qenë për Karzain që në kabinetin e ri të ketë një përfaqësim të ekujlibruar të grupeve të ndryshme etnike.

Rezultati është: më shumë se gjysma e antarëve në kabinetin e ri afgan janë ekspertë me kualifikim të lartë që kanë studjuar jashtë vendit dhe pjesërisht kanë mbrojtur edhe doktoraturën. Të tillë janë gjashtë ministra, që krahas nënshtetësisë afgane kanë edhe nënshtetësi të huaj, gjë që pjesërisht u bë shkas për debate të ashpra. Tashmë atyre u duhet të dorëzojnë nënshtetësinë e huaj. Kjo vlen edhe për ministrin e ri të punëve të jashtme, Dadfar-Spanta, pasardhës i politikanit taxhikistanas Abdullah Abdullah. 53 vjeçari Dadfar- Spanta ka jetuar mbi njëzet vjet në Gjermani. Në vitin 1982, pra gjatë periudhës së pushtimit sovjetik në Afganistan, ai pat ardhur në Gjermani dhe ka studjuar në shkollën e lartë të Ahenit për shkenca politike, për një periudhë kohe ai ka qenë edhe përfaqësues i ekologjistëve në këshillin bashkiak të qytetit.

Përpara votimit për kabinetin e ri presidenti i parlamentit, Junuz Kanuni e cilësoi si një "provë të madhe historike" për Afganistanin duke u bërë thirrje deputetëve që gjatë votimit të mos kenë si kriter përkatësinë etnike, por kualifikimin e kandidatëve për ministra. "Kur populli afgan na dha votën ne deputetëve, nuk na bëri thirrje që të përfaqësojmë një Afganistan jotolerant dhe që kapet fort pas përkatësive fisnore dhe etnike. Qytetarët na zgjodhën ne, në mënyrë që ta konsiderojmë Afganistanin si shtëpinë e përbashkët të të gjithë afganëve dhe që t´i shërbejmë interesave madhore të vendit tonë."

Në kabinetin e ri nuk marrin pjesë as përfaqësuesit e partive fundamentaliste apo ekstremiste konservatore dhe as lordët e luftës. Një gjë e tillë shkaktoi pakënaqësi qysh përpara si dhe gjatë dëgjimit në parlament. Edhe ministraave sekularistë iu desh që të dëgjonin kritika me sfond fetar.

Deputetët kishin për herë të parë mundësi që jo vetëm t´i pyesnin ministrat për kualifikimin e tyre dhe pozicionim personal, por edhe për të diskutuar me ta mbi çështjet fetare. Me këto pyetje deputetët artikulojnë edhe shqetësimet dhe dëshirat e zgjedhësve të tyre. Gjatë votimit u bë e qartë, se në parlament nuk dominojnë forcat fetare konservatore, siç kishte frikë Perëndimi. Shumica në parlamentin afgan pavarësisht nga përkatësia fisnore në aspektin politik mund të përshkruhet me konceptin "tradicionaliste e matur".

Por pavarësisht nga kjo parlamenti afgan mbetet një amalgam i interesave të grupeve të ndryshme të popullsisë dhe në radhët e shumicës së deputetëve mbizotëron mënyra tradicionale e të menduarit. Shumica e tyre është e oerintuar kryesisht në mënyrë lokale dhe puthuajse nuk mendojnë fare për perspektivat kombëtare.

Presidenti Karzai ka dalë i forcuar nga kjo sprovë e parë e matjes së forcave me parlamentin. E kjo ndonëse ai dhe ministrat e tij nuk i paraqitën ndonjë program kyç qeveritar, që të përshkruajë qartë perspektivën politike, sociale dhe ekonomike të zhvillimit të vendit. Planet programatike të ministrave të veçantë më shumë mund të kuptohen si një listë masash të pafundme, por jo si një strategji kombëtare për zhvillimin. Sfidat më të mëdha për qeverinë e Karzait janë megjithatë të tjera: lufta kundër kultimimit masiv të drogës, kontrabandës dhe aksioneve të vazhdueshme destabilizuese të milicëve dhe grupeve terroriste.

  • Data 21.04.2006
  • Autor Said von Said Musa Samimy
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLm
  • Data 21.04.2006
  • Autor Said von Said Musa Samimy
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLm
Reklamë